Diabeti është sëmundje kronike që ndodh ose kur pankreasi nuk prodhon mjaftueshëm insulinë ose kur trupi nuk mund ta përdorë në mënyrë efektive insulinën që e prodhon. Insulina është hormon që rregullon glukozën e gjakut. Kur kjo nuk funksionon si duhet, niveli i sheqerit në gjak rritet. Hiperglicemia, e quajtur edhe rritje e glukozës në gjak ose sheqer i rritur në gjak, është efekt i zakonshëm i diabetit të pakontrolluar dhe që me kalimin e kohës mund të çojë në dëmtime serioze në shumë sisteme të trupit, sidomos në nerva dhe enët e gjakut. Mund të shkaktojë humbjen e shikimit, dështim të veshkave, sulm në zemër, goditje në tru dhe amputim të gjymtyrëve të poshtme.
Sipas të dhënave të publikuara nga ueb-faqja e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), numri i njerëzve që kanë diabet është rritur nga 200 milionë më 1980 në 830 milionë në vitin 2022. Ekzistojnë dy lloje tipash të diabetit, ai i tipit 1 (trupi nuk prodhon fare insulinë dhe që zakonisht shfaqet në moshë të re) dhe ai i tipit 2 (trupi prodhon insulinë, por nuk e përdor si duhet dhe lidhet shpesh me mënyrën jetesës, aktivitetin fizik dhe trashëgiminë). Dieta e shëndetshme, aktivitetet e rregullta fizike, ruajtja e një peshe normale trupore dhe shmangia e duhanit janë disa prej mënyrave që mund të parandalojnë ose shtyjnë fillimin e diabetit të tipit 2.
14 nëntori shënohet si Dita Botërore e Diabetit.
Për shkak të përhapjes së madhe si sëmundje, ndër vite kanë qarkulluar mite rreth saj. Ja disa prej tyre:
Miti: Askush në familjen time nuk e ka diabetin, prandaj s’do ta marr as unë
Fakt: Është e vërtetë se nëse keni një prind ose vëlla/motër me diabet rrit rrezikun e marrjes së kësaj sëmundjeje. Në fakt historia familjare është faktor rreziku për të dy tipat e diabetit. Gjithsesi, shumë njerëz që kanë diabet nuk kanë familjarë të afërm që e kanë këtë sëmundje.
Zgjedhjet e stilit të jetesës dhe kushtet e caktuara mund të rrisin rrezikun për marrjen e diabetit të tipit 2.
Këtu përfshihen:
- të qenit mbipeshë,
- të pasurit pridiabet – (niveli i sheqerit në gjak është më i lartë se normalja, por jo aq i lartë sa të quhet diabet – paralajmëron se trupi po humb aftësinë për të përdorur insulinën si duhet)
- Sëmundja policistike e vezoreve – çrregullim hormonal që i prek gratë në moshë riprodhuese
- Diabeti gestacional – formë e diabetit që shfaqet vetëm gjatë shtatzënisë, zakonisht në tremujorin e dytë ose të tretë.
- Të qenit më i vjetër se 45 vjet
Ulni rrezikun duke qëndruar në peshë të duhur, duke kryer ushtrime rregullisht e duke konsumuar ushqim të shëndetshëm.
Miti: Me gjasë do të kem diabet sepse jam mbipeshë
Fakti: Është e vërtetë se mbipesha rrit rreziqet për të marrë diabetin. Gjithsesi, shumë njerëz që janë mbipeshë ose obezë nuk kanë kurrë diabet. Dhe njerëzit me peshë normale ose pak mbipeshë mund të kenë diabet. Këshilla kryesore në këtë rast është të ulni rrezikun me aktivitete fizike për të ulur peshën dhe dieta të shëndetshme.
Miti: Ha shumë sheqer, shqetësohem se do ta marr diabetin
Fakti: Ngrënia e sheqerit nuk e shkakton diabetin. Por duhet të shmangni konsumimin e ëmbëlsirave dhe pijeve me sheqer.
Nuk është befasi që njerëzit kanë konfuzion nëse sheqeri shkakton diabet. Kjo mund të vijë nga fakti se kur hani ushqim, ai shndërrohet në sheqer të quajtur glukozë. Glukoza është burim energjie për trupin. Insulina e zhvendos glukozën nga gjaku në qeliza në mënyrë që të mund të përdoret për energji. Me diabet, trupi nuk prodhon insulinë të mjaftueshme ose nuk e përdor mirë insulinën. Si rezultat, sheqeri shtesë mbetet në gjak dhe si rrjedhojë niveli i glukozës në gjak (sheqerit në gjak) rritet. Për njerëzit që nuk kanë diabet, problemi kryesor me ëmbëlsirat dhe pijet më ëmbëlsues është se mund të ju shtojnë peshë. Dhe të qenit mbipeshë rrit rrezikun për diabet.
Miti: Më është thënë se kam diabet, tani duhet të kem dietë speciale
Fakti: Njerëzit me diabet hanë ushqimin që e hanë të gjithë të tjerët. Në fakt, “Shoqata Amerikane e Diabetit” nuk rekomandon më sasi specifike të karbohidrateve, yndyrës apo proteinave. Por rekomandon që njerëzit me diabet të marrin karbohidrate nga perimet, drithërat, frutat dhe bishtajoret. Duhet të shmangen ushqimet e pasura me yndyrë, natrium e sheqer. Këto rekomandime janë të ngjashme me ato që duhet t’i hanë të gjithë. Po që se keni diabet, duhet të punoni me mjekun për të planifikuar shujta që funksionojnë më mirë për shëndetin tuaj.
Miti: Nëse kam diabet, s’mund të ha më kurrë ëmbëlsira
Fakti: Ëmbëlsirat janë përplot sheqer, gjë që rrit sasinë e glukozës në gjak më shumë se cilido ushqim tjetër. Por ato nuk janë të ndaluara për njerëzit me diabet, për sa kohë bëhet me planifikim. Është mirë që ato të konsumohen në raste speciale. Mund të konsumoni në sasi të vogla në vend të karbohidrateve tjera që zakonisht hahen në një vakt. Nëse merrni insulinë, mjeku mund të udhëzojë të merrni doza më të larta se normale, kur ju hani ëmbëlsira.
Miti: Mjeku më propozoi insulinë. Kjo do të thotë që s’po bëj punën si duhet
Fakti: Njerëzit me diabet të tipit 1 duhet të marrin insulinë sepse trupi nuk prodhon më hormonin e rëndësishëm. Tipi 2 është progresiv, gjë që nënkupton se trupi prodhon insulinë më pak me kalimin e kohës. Prandaj, ushtrimet, ndryshimi i dietës dhe ilaçet mund të mos jenë të mjaftueshme për të mbajtur nën kontroll sheqerin në gjak. Prandaj duhet të përdoret insulinë për të mbajtur sheqerin në suaza të shëndetshme.
Miti: Nuk është e sigurt të ushtroj kur jam me diabet
Fakti: Kryerja e rregullt e ushtrimeve është pjesë e rëndësishme e menaxhimit të diabetit. Stërvitjet apo aktivitetet ndihmojnë në sensitivitetin e trupit për insulinë. Një cak i mirë do të ishte150 minuta ushtrime nga shkalla mesatare te më e lartë. Gjithçka duhet të bëhet me këshillë të mjekut në mënyrë që të monitorohen probleme të tjera të mundshme.
Miti: Kam sheqer në kufij të diabetit, s’duhet të shqetësohem
Fakti: Pridiabeti është term që përdoret për ata që kanë nivel të sheqerit jo në shkallën e diabetit, por në numra të lartë për atë që mund të konsiderohet normale. Kjo nënkupton po ashtu se jeni në një fazë të rrezikshme që të fitoni diabetin brenda 10 vjetësh. Mund ta ulni nivelin e sheqerit në gjak në shkallë normale duke ulur peshën trupore dhe duke ushtruar 150 minuta në javë. Konsultohuni me mjekun për rreziqet e juaja për diabet dhe çka të bëni për të ulur rrezikun.
Miti: Mund të mos marrë terapi të diabetit sapo që sheqeri në gjak të jetë nën kontroll
Fakti: Disa njerëz me diabetin e tipit 2 janë në gjendje të kontrollojnë nivelin e sheqerit në gjak pa terapi duke humbur peshë, me dieta të shëndetshme e ushtrime të rregullta. Por diabeti është sëmundje progresive dhe me kalimin e kohës edhe nëse po bëni gjithçka që të qëndroni të shëndetshëm, do të mund të duhen medikamente për të mbajtur sheqerin në gjak në nivelin e kërkuar.
Pyetje të tjera:
A është diabeti sëmundje serioze?
Po. Diabeti shkakton më shumë vdekje për vit sesa kanceri i gjirit dhe AIDS së bashku dhe të pasurit diabet dyfishon shanset e rrezikut për sulm në zemër. Lajmi i mirë është se menaxhimi i diabetit mund të ulë rreziqet edhe nga komplikimet prej diabetit.
A mund ta marr diabetin nga dikush tjetër?
Jo. Edhe pse nuk dihet ende 100 për qind përse disa njerëz marrin diabetin e disa jo, ajo që dihet është se diabeti nuk është sëmundje bartëse. Nuk mund të merret si gripi apo ftohja.
A kanë më shumë gjasa njerëzit me diabet të ftohen apo të marrin sëmundje të tjera?
Nuk ka më shumë gjasa që të ftoheni ose të sëmureni nga ndonjë sëmundje tjetër nëse keni diabet. Personave me diabet u këshillohet të vaksinohen kundër gripit. Kjo ndodh sepse çdo sëmundje mund ta bëjë diabetin më të vështirë për t’u kontrolluar dhe njerëzit me diabet kanë më shumë gjasa se të tjerë që të përjetojnë komplikime serioze.
Rastet e trajtuara nga hibrid.info:
Më 2024, hibrid.info ka trajtuar tri përmbajtje të rreme ose mashtruese që lidhen me çështjen e diabetit.
Më 10 maj 2024, pas verifikimit të fakteve ishte vlerësuar si lajm i rrem artikulli me pretendimin se një kirurg kosovar është shprehur se shëron sëmundjen e diabetit për një ditë.
Pak ditë më pas ishte pretenduar rrejshëm se Kryqi i Kuq po jep ndihma për personat me diabet, duke ftuar njerëzit të bënin kërkesë. Por klikimi çonte në faqe të dyshimta me artikull të rremë.
Në qershor ishte pretenduar për “gjetjen e një medikamenti që ndikon në uljen e përhershme të nivelit të sheqerit”. Por përmbajtja ishte vlerësuar si mashtrim sepse përdorte fotografi të manipuluara që po ashtu çonin në ueb-faqe të dyshimtë me artikull të rremë.
Përmbajtja e përshtatur nga artikujt e “mountsinai.org” (sistem shëndetësor akademik në SHBA) dhe “diabetes.org” (Shoqata amerikane e diabetit).