Disa portale informative në gjuhën shqipe kanë publikuar artikuj me pretendime se brendi italian i modës “Gucci” ka lansuar në treg pelena për foshnje, e që një pako kushton 490 dollarë.
Hibrid.info ka gjetur se artikujt me këtë pretendim u publikuan nga “vna.al”, “bordo.al”, “portalifiks.com” e “spektri.tv”.

Çka nuk shkon me këtë pretendim?
Pas hulumtimit të kryer online nga hibrid.info, u vërtetua se kjo nuk është e vërtetë. “Gucci” nuk ka lansuar në treg një produkt të tillë.
Hibrid.info fillimisht ka kërkuar për imazhet që shfaqin pelenat për foshnje nga “Gucci”, përmes programit të automatizuar “InVID”. Rezultatet nuk shfaqin asnjë media të huaj kredibile apo burim zyrtar që kanë raportuar për këtë produkt (shih këtu, këtu dhe këtu).
Duke u bazuar në këto rezultate, vërehet se ky pretendim ka qarkulluar vetëm nga faqe e llogari të ndryshme në media sociale.
Për ta vërtetuar edhe më shumë faktin se një produkt i tillë nuk është prodhuar nga “Gucci”, hibrid.info ka hulumtuar në ueb-faqen zyrtare të kësaj kompanie.
Në seksionin SEARCH (KËRKO), hibrid.info ka kërkuar me fjalët kyçe “Baby Diapers” (siç shkruan në imazh). Mirëpo, rezultatet nuk e shfaqin këtë produkt. (shih këtu)
Analiza
Disa portale në shqip kanë publikuar një pretendim se brendi italian i modës “Gucci” ka lansuar pelena për foshnje me çmim rreth 490 dollarë për pako.
Pas verifikimit nga hibrid.info, rezultoi se ky pretendim nuk është i vërtetë. Nuk ka asnjë dëshmi nga burime zyrtare apo media kredibile ndërkombëtare që konfirmon ekzistencën e një produkti të tillë.
Hulumtimet përmes mjeteve të verifikimit të imazheve nuk kanë nxjerrë rezultate relevante nga burime të besueshme duke treguar se përmbajtja ka qarkulluar kryesisht në media sociale. Po ashtu, kërkimi në ueb-faqen zyrtare të “Guccit” nuk jep asnjë rezultat për pelena për foshnje.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë pretendim si “Lajm i rremë”.
Arsyetimi
Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.