Dy media në gjuhën shqipe kanë publikuar artikuj me pretendimin se përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës në futboll, Franco Foda, ka folur pas ndeshjes me Turqinë, duke thënë se “Ne pamë që formacioni titullar i Turqisë u publikua gjatë ditës dhe i bëmë të gjitha përgatitjet tona bazuar në këtë”.
Artikulli me këtë pretendim u gjet i publikuar nga mediat online në shqip “indeksonline.net” e “botasot.info”.
Artikulli i publikuar në “indeksonline.net” mban titullin “Foda pas humbjes ndaj Turqisë: Publikimi i formacionit ndikoi në përgatitjet tona”, ndërsa ai në “botasot.info” ka titullin “Foda “fajëson” gazetarët pas humbjes ndaj Turqisë”.
E vërteta?
Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se Foda nuk ka dhënë një deklaratë të tillë.
Fillimisht me datë 1 prill, ky pretendim u publikua në rrjetin social “Reddit” nga llogaria “NaiveCod6365” në kuadër të forumit “r/FenerbahceSK”.
Më pas ky pretendim u publikua në X nga llogaria “Turk Scout”. Autori në këtë llogari, përveç që ka shkuar pretendimin, ai ka kritikuar publikimin e detajeve taktike dhe formacioneve para ndeshjeve, duke e cilësuar këtë si një praktikë të dëmshme për ekipet.
Në pjesën e dytë të përshkrimit të këtij postimi shkruan “I said MANY times that it’s wrong to share our squad & tactics for some likes but we have many ‘journalists’ who can’t think” (“E kam thënë SHUMË herë se është gabim të ndajmë formacionin dhe taktikat tona për disa pëlqime, por kemi shumë ‘gazetarë’ që nuk mund të mendojnë”).
Më pas, të mërkurën (8 prill) faqja në gjuhën shqipe “LIG Sport” në Facebook, ka publikuar postimin e marrë nga llogaria “Turk Scout” në X.
Postimi origjinal i publikuar nga faqja “LIG Sport” në Facebook:
Trajneri i Kosovës Franco Foda (59)
“Ne pamë që formacioni titullar i Turqisë u publikua gjatë ditës dhe i bëmë të gjitha përgatitjet tona bazuar në këtë.”
“E kam thënë shumë herë që është gabim të ndash formacionin dhe taktikat tona për disa pëlqime, por kemi shumë ‘gazetarë’ që nuk dinë të mendojnë.”
Pra, kjo faqe ka pretenduar se këto deklarata janë bërë nga Foda.
Kjo përmbajtje më pas zuri vend edhe në disa media në gjuhën shqipe si “indeksonline.net” e “botasot.info”. Këto dy media nuk kanë shkruar se ku është publikuar kjo deklaratë, apo ku ka folur Foda.
Çka tha Foda pas ndeshjes me Turqinë, të cilën Kosova e humbi me rezultat 0:1 në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror 2026?
Foda pas ndeshjes dha intervistë për televizionin publik RTK, të cilën e gjetëm të publikuar në portalet informative si “gazetaexpress.com” e “zeri.info”.
“Kam pasur arsyen time që kam ardhur te Kosova, qëllimi ishte Evropiani që të kualifikohemi, sonte dështuam. Çdo gjë ka shkuar më shpejt se ç’kemi menduar. Qëllimi ynë mbetet Evropiani”, tha ai për “RTK”.
“Jo nuk e kam plan ta lë Kosovën, më pëlqen vendi dhe njerëzit”, shtoi ai.
Tutje, ai tha se janë të mërzitur duke bërë me dije se kualifikimi ka qenë i mundur edhe ndaj Turqisë.
“Jemi të gjithë të mërzitur, deshëm të kualifikohemi të gjithë, dhe kjo ka qenë e mundur edhe kundër një Turqie”, tha ai.
Hibrid.info gjeti edhe intervistën tjetër të trajnerit Foda dhënë për mediumin Klan Kosova.
“Dallimi ishte që Turqia shënoi një gol, e ne jo. Në një moment në defansivë nuk ishim aq të vëmendshëm sa duhet të jemi. Edhe pse tentuam gjatë gjithë lojës, nuk arritëm të barazojmë dhe kishim ca raste që kishim mundur t’i shfrytëzojmë më mirë”, u shpreh Foda.
Foda ka thënë se e gjithë skuadra është e zhgënjyer, por shtoi se iu ka thënë lojtarëve se mund të ndihen krenarë për atë që është arritur deri më tash.
“Ekipi e ka përfaqësuar shtetin dhe popullin e këtij vendi në mënyrën më të mirë të mundshme. Edhe ekipi e ka pa që nëse luhet me zemër e vullnet si ekip, mundet me arritë shumë. Pra çka mbetet është të shkojmë përpara dhe kualifikimet e ardhshme, nëse punojmë me kualitetet që i kemi atëherë mund të arrijmë shumë”, ka thënë tutje Foda.
Pra, Foda nuk ka dhënë deklarata për publikimin e formacionit të Turqisë, duke i “fajësuar” gazetarët, siç u pretendua.
Publikimi i parë, ai në “Reddit” u bë një ditë pasi Kosova humbi 0:1 në “Fadil Vokrri”. Ndeshja ishte vendimtare për kualifikim në Kupën e Botës 2026.
Analiza:
Disa media në gjuhën shqipe publikuan një pretendim të pasaktë se përzgjedhësi i Kosovës në futboll, Franco Foda, ka komentuar “rrjedhjen” e formacionit të Turqisë para ndeshjes më 31 mars.
Verifikimi nga hibrid.info tregoi se kjo deklaratë nuk është dhënë nga Foda. Pretendimi e ka origjinën nga një postim në “Reddit” dhe më pas në platformën X, ku është shpërndarë si opinion nga një përdorues, jo si deklaratë zyrtare.
Më vonë, faqja në gjuhën shqipe në Facebook “LIG Sport” e paraqiti këtë përmbajtje si citat të Fodës, dhe kjo u mor pa u verifikuar nga media si “indeksonline.net” dhe “botasot.info”.
Në realitet, deklaratat e Fodës pas ndeshjes për media si RTK dhe Klan Kosova nuk përmbajnë asnjë koment për publikimin e formacionit apo fajësim të gazetarëve.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info i vlerëson përmbajtjet e publikuara nga mediat në shqip si “Përmbajtje e paverifikuar”.
Arsyetimi:
Vlerësimi “I pa verifikuar” u bëhet atyre përmbajtjeve informative që nuk ofrojnë informata të mjaftueshme për të konfirmuar pretendimet e bëra në raport, dhe të cilat nuk kanë mundur të verifikohen për shkak të rrethanave të caktuara (shpejtësisë, mungesës së burimeve) gjatë publikimit të përmbajtjes.

