Publikohen imazhe me mbishkrimin “Mësohet data kur mbahen zgjedhjet e reja në vend”.
Përmbajtjet me këtë mbishkrim janë publikuar të hënën (20 prill) në Facebook nga faqet me emrat “Gazeta Minuti” dhe “Fronti.info”.
Cila është e vërteta?
Ende nuk është vendosur nëse do të ketë zgjedhje të reja në Kosovë.

Faqja “Gazeta Minuti” ka mbi 250 mijë ndjekës, ndërsa faqja “Fronti.info” ka mbi 46 mijë ndjekës. Të dy postimet kanë te bashkangjitur vegëzat e artikujve. Artikujt kanë të vendosur si tituj mbishkrimin e postimeve (shih këtu dhe këtu).
Përderisa titulli pretendon se është bërë e ditur data se kur do të mbahen zgjedhjet e reja në vend, në brendësi të tekstit kuptohet se nuk ka një vendim zyrtar për zgjedhje parlamentare në Kosovë, nuk ka një datë të caktuar nga institucionet dhe 7 qershori përmendet vetëm si “data më e përfolur”.
Imazhi i përmbajtjes së artikullit:

Pra, nga kjo vërehet se kemi shpërputhje në mes informacioneve të paraqitur në titull dhe në pëmbajtje.
Për shkak të kësaj paqartësie, hibridi.info ka hulumtuar më shumë për këtë pretendim. Sipas Kushtetutës së Kosovës, është kompetencë e presidentit të Kosovës, që të shpallë zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës (shih këtu). Andaj, hibrid.info ka kontrolluar në ueb-faqen e presidencës së Kosovës. Nga njoftimet e publikuara, nuk është hasur asnjë që konfirmon zgjedhjet e reja në vend (shih këtu).
Hibrid.info ka përdorur edhe motorin e kërkimit “Google”, duke kërkuar me fjalët “zgjedhjet e reja” dhe duke e kufizuar shfaqjen e rezultateve në 24 orët e fundit. Rezultatet e kërkimit kanë shfaqur artikuj të mediave kredibile ku raportohen deklarata të Albin Kurtit, kryeministrit të Kosovës, ku është përmendur mundësia e zgjedhjeve të reja (shih këtu).
Në një artikull të hasur nga ky kërkim është kuptuar se vendi ka kohë që deri më 28 prill të zgjedh presidentin e vendit, përndryshe, dështimi i këtij procesi nënkupton zgjedhje brenda 45 ditëve (shih këtu). Ky informacion bazohet në aktgjykimin e 25 marsit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës (shih këtu). Ndërsa, në një tjetër artikull sqarohet se takimi i sotëm ndërmjet kryeministrit Kurtit dhe liderit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) ka përfunduar pa zgjidhje (shih këtu).
Pra, në bazë të këtyre informacioneve të publikuara, megjithë mundësinë që pas tetë ditëve vendi të shkojë në zgjedhje të reja, ende nuk kemi konfirmim se në Kosovë do të ketë zgjedhje të parakohshme. Për këtë arsye mungojnë edhe diskutimet për datën e zgjedhjeve të mundshme.
Analiza:
Pretendimi se është “mësuar data kur mbahen zgjedhjet e reja në vend” nuk është i saktë, pasi nuk ekziston asnjë vendim zyrtar nga institucionet e Kosovës për shpalljen e zgjedhjeve të reja parlamentare dhe rrjedhimisht as një datë e konfirmuar për mbajtjen e tyre.
Mbishkrimi është bazuar në një interpretim të pasaktë dhe spekulativ të zhvillimeve politike aktuale, ku përmendet mundësia e zgjedhjeve në rast të dështimit të marrëveshjeve politike dhe afateve kushtetuese, si dhe përmendet 7 qershori vetëm si “datë e përfolur” në skenën politike.
Sipas informacioneve të deritanishme, nuk ka njoftim zyrtar nga Presidenca e Kosovës apo institucionet përkatëse që konfirmon shpalljen e zgjedhjeve të reja apo caktimin e një date konkrete për to.
Andaj, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson informacionin në titull si “Clickbait” dhe “Përmbajtje e paverifikuar”.
Arsyetimi:
“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bënë të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.
Vlerësimi “I pa verifikuar” u bëhet atyre përmbajtjeve informative që nuk ofrojnë informata të mjaftueshme për të konfirmuar pretendimet e bëra në raport, dhe të cilat nuk kanë mundur të verifikohen për shkak të rrethanave të caktuara (shpejtësisë, mungesës së burimeve) gjatë publikimit të përmbajtjes.