Publikohet një përmbajtje ku është njoftuar për dëmtimin e dyerve të një ambulance serbe në fshatin Bajë (Banjska), afër Vushtrrisë.
Ky pretendim është paraqitur përmes një komunikate të publikuar të hënën (18 maj) nga Zyra serbe për Kosovën.
Çka nuk shkon me komunikatën?
Aty pretendohet pa prova se ky rast është vazhdim i një fushate antiserbe të “ekstremistëve shqiptarë” e drejtuar kundër serbëve dhe institucioneve serbe në Kosovë.

Komunikata e ZKQS-së është publikuar nga disa mediat në gjuhën serbe (shih këtu, këtu, këtu, këtu, këtu, këtu dhe këtu).
Komunikata e përkthyer në shqip
“Persona të panjohur kanë thyer derën hyrëse të ambulancës serbe në fshatin Banjskë afër Vushtrrisë, ndërsa pamja e xhamave të shpërndarë dhe dëmtimit u gjet nga punëtori i ambulancës që erdhi në punë në mëngjes.
Kjo është e vetmja ambulancë serbe në këtë enklavë serbe, e cila u shërben disa dhjetëra familjeve serbe, kryesisht të moshës së shtyrë, të cilave u nevojitet më së shumti ndihma mjekësore. Banorët e fshatit janë të shqetësuar dhe të revoltuar nga ky veprim dhe pyesin nëse kjo është një porosi se ata janë të padëshiruar këtu.
Përfaqësuesit tanë në terren kanë vizituar vendin e incidentit dhe do ta sanojnë dëmin në kohën më të shkurtër të mundshme dhe do ta kthejnë ambulancën në funksion, në mënyrë që populli ynë të mos pësojë pasoja nga këto veprime.
Ky rast është vazhdim i një fushate antiserbe të ekstremistëve shqiptarë e drejtuar kundër serbëve dhe institucioneve serbe në Kosovë dhe Metohi, e cila tregon qartë nivelin e urrejtjes dhe mosdurimit, me qëllim që të pamundësohet jeta dhe mbijetesa e popullit serb në krahinën jugore.
Jemi dëshmitarë se autoritetet në Prishtinë, me veprimet e tyre antiserbe dhe retorikën e urrejtjes, nxisin incidente të tilla dhe përhapin mosdurim etnik.
Prandaj është e domosdoshme të rritet niveli i sigurisë në zonat serbe në Kosovë dhe Metohi, të cilin duhet ta garantojnë përfaqësuesit e misioneve ndërkombëtare, dhe autorët e këtij akti të gjenden sa më shpejt dhe të ndëshkohen në mënyrë adekuate, në mënyrë që të ndalet dhuna e tillë dhe të ngjashme.”
Në tekst fillimisht thuhet se persona të panjohur kanë thyer derën e ambulancës, pra nuk ka identifikim të autorëve. Megjithatë, më pas komunikata ua atribuon ngjarjen “ekstremistëve shqiptarë” dhe e vendos atë si pjesë të një “fushate antiserbe” kundër serbëve dhe institucioneve serbe në Kosovë.
Përveç kësaj, në mënyrë më të gjerë, sugjerohet se edhe autoritetet në Prishtinë kanë përgjegjësi indirekte duke “nxitur” incidente të tilla me veprimet dhe retorikën e tyre.
Pra, edhe pse nuk ka asnjë konfirmim për identitetin e autorëve, komunikata e paraqet ngjarjen si vazhdim të një fushate antiserbe të “ekstremistëve shqiptarë”.
Ngjarja është vlerësuar si incident me motive etnike edhe në dokumentin në uebfaqe, ku ky institucion i qeverisë serbe ka listuar të gjitha rastet e vlerësuara si të tilla nga vitet 2021-2026 (shih këtu).
Hibrid.info mori informata nga Policia e Kosovës, si institucion i sigurisë në vend. Sipas publikimeve në faqen në Facebook të këtij institucioni dhe sipas raportit 24 orësh të ngjarjeve të 18 majit, ky incident nuk është raportuar dhe nuk ka konfirmim për rastin apo autorët e pretenduar (shih këtu).

Analiza:
Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë ka njoftuar për një incident ku janë dëmtuar dyert e një ambulance në Kosovë.
Edhe pse në njoftim është theksuar se akti është kryer nga persona të panjohur, tutje në komunikatë është pretenduar pa asnjë provë se dëmtimi i ambulancës është vazhdim i një fushate antiserbe të ekstremistëve shqiptarë e drejtuar kundër serbëve dhe institucioneve serbe në Kosovë.
Gjithashtu, Policia e Kosovës nuk ka konfirmuar as rastin e as autorët e mundshëm të ngjarjes së pretenduar.
Andaj, bazuar në metodologjinë e vlerësimit, hibrid.info e vlerëson pretendimin si “Teori Konspirative”.
Arsyetimi
Vlerësim si “Teori konspirative” marrin ato përmbajtje informative të cilat në vete përmbajnë një përshkrim të rremë ose të paverifikueshëm të një dukurie, ngjarje ose një personi, duke e paraqitur atë si pjesë ose rezultat të një plani të fshehtë (“komplot”). Karakteristikë e këtyre përmbajtje është se ato paraqesin një seri pretendimesh, të paraqitura si fakte, midis të cilave vendosen marrëdhënie shkak-pasojë, pa ofruar ndonjë provë të besueshme.