*Artikulli nga mediumi në gjuhën serbe “Kurir.rs” u korrigjua pas trajtimit nga hibrid.info (shih këtu artikullin e korrigjuar)
Shkroi: Fatbardh Dema
Mediumi online në gjuhën serbe “sportsport.ba” ka publikuar të mërkurën (12 nëntor) një artikull me titull “Kosovo sprema ‘pakt’ za prevaru, a žrtva je reprezentacija s Balkana! “Čuli smo za to””, (Kosova po përgatit një ‘pakt’ për mashtrim, dhe viktima është ekipi kombëtar nga Ballkani!).
Në këtë artikull, ky medium pretendon se Përfaqësuesja e Kosovës në futboll ka bërë një “pakt” me përfaqësuesen e Zvicrës, në mënyrë që të dyja këto ekipe të sigurojnë vendet e para në Grupin B në eliminatoret për Kampionat Botëror, kështu duke e lënë pa shanse kombëtaren e Sllovenisë.
Artikulli me të njëjtin pretendim më pas u shpërnda edhe nga mediat tjera në serbisht si “Kurir.rs” dhe “Sportarena.rs”. Titujt në këto dy mediume ishin “SLOVENCI U STRAHU: Tzv. Kosovo sprema prevaru za plasman na Mundijal” (“SLLOVENËT NË FRIKË: E ashtuquajtura Kosovë po përgatit një mashtrim për t’u kualifikuar në Kupën e Botës”).

Çka nuk shkon me këtë artikull?
Në artikull pretendohet se sllovenët dyshojnë se Zvicra pasi mund ta sigurojë vendin e parë para kohe, mund të mos luajë me intensitet të plotë ndaj Kosovës, për shkak të marrëdhënieve të mira midis dy federatave dhe faktit që disa lojtarë të përfaqësueses zvicerane janë me origjinë nga Kosova. Kjo, sipas pretendimit, mund t’i ndihmonte Kosovës të siguronte vendin e dytë në grup, për të avancuar në fazën e plejofit.
Pjesë nga artikulli, i përkthyer në shqip:
Sllovenët fituan vetëm tre pikë në katër ndeshje, por me një fitore, ata do të ishin një pikë më afër Kosovës dhe para raundit të fundit, do të ishin në play-off. Skuadrës së Matjazh Kekut do t’i mbetej të fitonte vendin e dytë në raundin e fundit me një fitore ndaj Suedisë, por vetëm nëse Kosova nuk e mposht Zvicrën atëherë.
Dhe gjërat në grupin B janë të tilla që sllovenët mund të “rrijnë” dhe në një farë mënyre të përjetojnë një tradhti të madhe. Në fakt, në Slloveni janë shumë të shqetësuar dhe mendojnë për faktin se në raundin e fundit Zvicra, e cila pret Suedinë në raundin e 5-të, do të jetë e lehtësuar, d.m.th. do ta kenë vendin e parë të siguruar, kështu që do të mbërrinin në Prishtinë pa një rezultat të domosdoshëm, dhe kjo e tërheq tezën për një “pakt” të mundshëm.
Dihet që Zvicra dhe Kosova kanë një marrëdhënie të mirë, pasi një numër i madh lojtarësh nga Kosova kanë luajtur për Zvicrën në të kaluarën, dhe sot disa prej tyre janë anëtarë të ekipit kombëtar, dhe sigurisht që e kanë Kosovën në zemër. Sllovenët janë me të drejtë të shqetësuar se mund të ketë një marrëveshje midis dy federatave ose midis lojtarëve, gjë që në fund të fundit do të çonte në një rrugë më të lehtë për Kosovën drejt vendit të dytë.
Në këtë artikull gjendet edhe një deklaratë e futbollistit slloven Vanja Drkushiq, e që sipas artikullit thuhet se “kjo temë ka qenë e pashmangshme prej ditësh, dhe për këtë foli edhe vetë lojtari i kombëtares sllovene”.
Çka tha Drkushiq?
“Po, dëgjuam për këtë mundësi. Në fillim pati disa shqetësime, por ne luajmë futboll në një nivel aq të lartë sa nuk duhet të ketë, nuk mund të ketë të ashtuquajtur ‘frikacakë’. Nuk jemi të ngarkuar nga kjo, do të bëjmë pjesën tonë të detyrës dhe pastaj do të shohim se ku do të na çojë”, citohet të ketë thënë ai për Sportsport.ba.
Megjithatë, kjo deklaratë nuk mbështet pretendimin e bërë nga mediumi i përmendur më sipër, sipas të cilit kjo nënkupton një “pakt” ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës. Po ashtu, nuk qëndron as pretendimi tjetër se Përfaqësuesja e Zvicrës, në të kaluarën dhe aktualisht, ka futbollistë me prejardhje nga Kosova dhe se kjo mund të çojë në një marrëveshje mes dy federatave ose lojtarëve, për të favorizuar Kosovën në sigurimin e vendit të dytë në grup.
Përveç këtyre pretendimeve të paargumentuara, mediumi nuk ofron asnjë burim zyrtar nga federatat përkatëse që të vërtetojë ekzistencën e ndonjë marrëveshjeje.
Gjendja aktuale në Grupin B
Aktualisht, Zvicra kryeson grupin me 10 pikë. Ndeshjen e ardhshme do ta luajë kundër Suedisë më 15 nëntor, ndërsa më 18 nëntor do të përballet me Kosovën.
Kosova zë pozitën e dytë me 7 pikë. Më 15 nëntor, ajo do të jetë mysafire e Sllovenisë, e cila ndodhet në vendin e tretë me 3 pikë. Suedia gjendet në fund të grupit me vetëm 1 pikë.
Pozita e parë çon direkt në Botëror, ndërsa e dyta në një fazë të re me shanse për kualifikim (shih tabelën më poshtë)

Analiza
Mediumi serb “sportsport.ba” dhe disa portale të tjera kanë publikuar pretendime se Kosova dhe Zvicra kanë një “pakt” për të favorizuar rezultatet në Grupin B të eliminatoreve për Botëror, duke dëmtuar shanset e Sllovenisë. Këto pretendime mbështeten kryesisht në faktin që disa lojtarë të Përfaqësueses së Zvicrës kanë origjinë nga Kosova.
Deklarata e futbollistit slloven Vanja Drkusiq nuk konfirmon asnjë marrëveshje të tillë. Ai tha se janë të vetëdijshëm për spekulimet, por ekipi luan futboll në një nivel kaq të lartë sa që nuk mund të ketë “frikacakë”. Sipas tij, skuadra nuk është e ngarkuar nga këto spekulime dhe do të përqendrohet në përmbushjen e detyrave të veta, duke parë pastaj rezultatet që do të sjellë loja.
Analiza tregon se pretendimet e mediumeve nuk kanë prova konkrete, nuk citojnë burime zyrtare dhe mbeten të paargumentuara. Pra, nuk ka baza për të konfirmuar ekzistencën e ndonjë “pakti” midis Kosovës dhe Zvicrës.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë artikull si “Teori Konspirative”.
Arsyetimi
Vlerësim si “Teori konspirative” marrin ato përmbajtje informative të cilat në vete përmbajnë një përshkrim të rremë ose të paverifikueshëm të një dukurie, ngjarje ose një personi, duke e paraqitur atë si pjesë ose rezultat të një plani të fshehtë (“komplot”). Karakteristikë e këtyre përmbajtje është se ato paraqesin një seri pretendimesh, të paraqitura si fakte, midis të cilave vendosen marrëdhënie shkak-pasojë, pa ofruar ndonjë provë të besueshme.



