[email protected]
Gashi nuk ka thënë se “LDK-ja, Albin Kurtit do t’ia bëj ‘8 me 2’ në proces zgjedhor”
shape
shape
shape

Portali “kosova-sot.info” me datë 14 janar ka publikuar një artikull me titull “Gashi: LDK-ja, Albin Kurtit do t’ia bëj ‘8 me 2’ në proces zgjedhor”.

Pas analizës së kontrollit të fakteve të kryer nga hibrid.info, del që titulli i këtij artikulli nuk i përgjigjet përmbajtjes.

“Kosova-sot.info” i është referuar një fotografie të postuar nga anëtari i kryesisë së LDK-së, Arben Gashi, në profilin e tij në Facbook në të cilën shkruan se:

“Albin Kurti është kundërshtari im politik, por nuk është armiku im. Ne duam ta mundim në proces zgjedhor dhe jo në proces ligjor”.

Pra, Gashi nuk ka thënë se “LDK do t’ia bëj ‘8 me 2’ Albin Kurtit në proces zgjedhor”, ashtu siç pretendohet në titullin e artikullit të publikuar në “kosova-sot.info”.

Artikulli i publikuar në “kosova-sot.info”:

Gashi: LDK-ja, Albin Kurtit do t’ia bëj ‘8 me 2’ në proces zgjedhor

Anëtari i LDK’së, Arben Gashi përmes një postimi ka thënë që Albin Kurti nuk është armiku i tij, por vetëm kundërshtar politik.

Në një fotografi që e ka publikuar, Gashi ka shkruar se dëshiron ta mund Kurtin në proces zgjedhor.

“Albin Kurti është kundërshtari im politik, por nuk është armiku im. Ne duam ta mundim në proces zgjedhor dhe jo në proces ligjor”, thuhet në fotografinë që ka publikuar ai.

Kurti dhe disa deputetë të tjerë janë dënuar me burgim me kusht nga gjykata për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvend.

Vendimi më i ri i Gjykatës Kushtetuese parasheh që kushdo që është i dënuar në tri vitet e fundit nuk mund të kandidojë për deputet. Megjithatë, VV ka propozuar Kurtin dhe Albulena Haxhiun.

Vegëza e artikullit të publikuar në “kosova-sot.info”:

https://www.kosova-sot.info/lajme/519002/gashi-ldk-ja-albin-kurtit-do-t-ia-bej-8-me-2-ne-proces-zgjedhor/

Më poshtë mund të gjeni fotografinë të cilën e ka postuar Arben Gashi në profilin e tij zyrtar në Facebook:

https://www.facebook.com/ArbenGashiLDK/posts/3707978229248243


Analiza:

Portali “kosova-sot.info”, në artikullin e publikuar ka përdorur postin e Arben Gashit në Facebook, por të cilit ia ka ndryshuar kontekstin përmes titullit. Pra, këtij artikulli i është vënë titull i sajuar, i cili nuk përputhet me përmbajtjen. Pas verifikimit të bërë nga hibrid.info, del që ky shkrim kategorizohet si “dezinformatë” dhe “clickbait”.


Arsyetimi:

Dezinformata – Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ai raportim mediatik i cili në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe përmbajtje gjysmë të vërtetë. Gjithashtu, ky vlerësim do të trajtojë raporte që kanë atribute të gabuara ose tituj që nuk pasqyrojnë tekstin për sa i përket saktësisë së informacionit.

Clickbait – “Clickbait” janë ato tekste titulli i të cilave nuk kanë asnjë bazë në përmbajtjen e tekstit vijues. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e lexuesit apo edhe konsumatorit me një titull sensacional duke premtuar përmbajtje që nuk ekziston në të vërtetë dhe janë krijuar kryesisht nga interesi financiar, domethënë për shkak të rritjes së lexueshmërisë. Pra, ky lloj teksti ka për qëllim vetëm klikimin, i cili mund të shndërrohet në përfitim të prodhuesit të përmbajtjes.

Share With Others