[email protected]
Mbyllja nga COVID-19 ka rritur paragjykimet dhe teoritë konspirative te e djathta ekstreme në Evropë
shape
shape
shape

Një raport i publikuar më 16 shkurt nga organizatat anti-raciste Hope Not Hate, The Amadeu Antonio Foundation dhe Expo ka zbuluar shkallën e pikëpamjeve anti-pakicë në Evropë – përfshirë mënyrën se si 30% e të anketuarve në Mbretërinë e Bashkuar kanë pikëpamje negative ndaj emigrantëve.

Në Hungari, 60% rezulton se kanë pikëpamje negative për njerëzit emigrantë dhe 54% kishin pikëpamje negative për komunitetin mysliman.

Raporti gjithashtu zbuloi se gjatë gjithë vitit 2020 kishte një rritje të teorive konspirative nga ekstremi i djathtë, siç janë ato që ndërlidhen me pandeminë COVID-19 që ofrojnë “një rrugë të re shqetësuese drejt politikës antisemitike”.

Siç thuhet në këtë raport, ndikim të madh në rritjen e konspiracioneve nga pjesëtarët e ekstremit të djathtë, ka pasur edhe vet izolimi si masë kundër shpërndarjes së virusit Korona. Gjithashtu bllokimet, kufizimet e udhëtimit, mbyllja e shkollave ka ndryshuar në mënyrë dramatike jetën e përditshme për njerëzit në të gjithë Evropën.

Pandemia mund të ketë pasoja të paparashikuara afatgjata për klasat politike të Evropës, e teksa teoritë konspirative po përhapen, besimi në sistemin politik po zvogëlohet, thuhet në studimin i cili bazohet nga anketat e 12,000 respodentëve në tetë vende për qëndrimet e tyre politike.

Paragjykimi në rritje

Një shumicë e të anketuarve në Francë, Itali, Poloni dhe Hungari besojnë se sistemi politik në vendin e tyre është prishur plotësisht ose pjesërisht. Në Gjermani dhe Suedi, gati një e treta e njerëzve ndajnë këtë pikëpamje.

Paragjykimet kundër emigrantëve, myslimanëve dhe grupeve të tjera janë në rritje. Në të gjitha vendet e anketuara, rreth një e treta e të anketuarve kanë një mendim negativ për emigrantët. Në Hungari shifra është 60%.

E djathta politike, në veçanti, po përpiqet të përfitojë nga kjo, sipas Joe Mulhall të Hope Charitable Trust.

“Megjithëse një pjesë e madhe e të djathtës ekstreme evropiane nuk ka arritur të shfrytëzojë pandeminë aq sa ata shpresonin, ajo ka çuar në një epokë të re të teorive të konspiracionit ndërsa njerëzit kërkojnë ngushëllim në shpjegime të thjeshta për një botë që duket se është jashtë kontrollit”, tha Mulhall.

Në të gjithë Evropën, ka pasur protesta kundër bllokimeve dhe kundër elitave politike në muajt e fundit – shpesh të nxitura nga teoritë konspirative.

Nga SHBA-ja lëvizja antisemitike QAnon ka shkuar përtej Atlantikut – veçanërisht në Gjermani dhe Britani.

Ata besojnë në teori të tilla si trafikimi i fëmijëve në mbarë botën dhe kontrolli i mendjeve nga njerëz të Hollivudit dhe politikanë apo hebrenj.

Autorët e studimit besojnë se rreziku kryesor është se këto paragjykime mund të vazhdojnë edhe pas përfundimit të pandemisë.

Kërcënimi i terrorizmit të djathtë

Autorët e studimit paralajmërojnë gjithashtu se rreziku i sulmeve të krahut të djathtë mbetet i lartë në të gjithë Evropën.

Midis teoricienëve të konspiracionit, ka një zhvendosje nga mbështetja për partitë dhe organizatat kryesore të ekstremit të djathtë në lëvizjet transnacionale që janë të organizuara lirshëm, beson Joe Mulhall i Hope Charitable Trust.

Këto grupe normalisht nuk bëjnë plane konkrete për sulme, sipas autorëve të studimit, por ata i inkurajojnë ata në grupet e tyre dhe ndajnë njohuritë kryesore.

Angazhimi civil kundër kësaj urrejtjeje është i vështirë sepse individët nuk mund të gjenden lehtësisht fizikisht, por përkundrazi janë duke u rrjetëzuar vazhdimisht përtej kufijve kombëtarë, shtojnë ata.

Por të tre fondacionet kanë arsye të jenë optimistë. Solidariteti në shumë qytete dhe komunitete i sjellë nga pandemia është inkurajues: Familjet, lagjet, madje edhe të huajt po ndihmojnë dhe mbështesin njëri-tjetrin në të gjithë Evropën. Në mesin e urrejtjes, viti i fundit ka parë shembuj tërheqës të sakrificës, dashurisë dhe shpresës.

(Raporti i plotë në gjuhën angleze – amadeu-antonio-stiftung.de/wp-content/uploads/2021/02/ESOH-LOCKED-FINAL.pdf)

Share With Others