[email protected]
KFOR-i dhe FSK nuk mbajnë ushtrime të përbashkëta në “Belvedere”
shape
shape
shape

Artikulli me përmbajtje keqinformuese nga mediumi Kurir.rs u korrigjua pas trajtimit nga hibrid.info (shih artikullin e korrigjuar këtu)


E përditshmja serbe “Novosti” në ueb faqen e saj “Novosti.rs” dje (24 gusht) ka publikuar një artikull në të cilin pretendon se pjesëtarët e KFOR-it janë duke marrë pjesë në ushtrime të përbashkëta me Forcat e Sigurisë së Kosovës në kampin Belvedere në Jug të Mitrovicës.

Pretendimet e të përditshmes serb u publikun me titull “Forcat speciale të Kurtit me amerikanë, gjermanë dhe britanikë të KFOR-it praktikojnë prishjen e demonstratave dhe përdorimin e bombave trullosëse”, ndërsa sot ky artikull ka zënë vend në ballinë të gazetës “Novosti” me titull “Ushtria e Kurtit po trajnohet nga KFOR-i për sulm”. (shih këtu)

(Ballina e të përditshmes serbe “Novosti” e datës 25 gusht)

Vegëza e artikullit të publikuar në mediumin serb “Novosti.rs”:

https://www.novosti.rs/vesti/politika/1147738/kurtijevi-specijalci-amerikancima-nemcima-britancima-kfora-vezbaju-razbijanje-demonstracija-koriscenje-sok-bombi


Pjesë të artikullit të publikuar në mediumin serb “Novosti” të përkthyer:

NË BAZËN e të ashtuquajturës njësi speciale të Policisë së Kosovës “Belvedere”, e cila gjendet në pjesën jugore të Mitrovicës, është duke u zhvilluar një stërvitje, në të cilën pjesëtarët e kësaj njësie marrin pjesë së bashku me një pjesë të të ashtuquajturve të forcave të sigurisë së Kosovës – mësohet jozyrtarisht nga “Novosti”.

Sipas burimeve tona, është shqetësuese fakti që KFOR-i po merr pjesë në të gjitha këto! Përkatësisht, në bazën e përmendur janë të pranishëm edhe instruktorë britanikë, amerikanë, turq dhe gjermanë të forcave të armatosura ndërkombëtare. Prandaj, anëtarët e misionit ushtarak, i cili sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së është e vetmja ushtri e rregullt në territorin e Kosovës dhe Metohisë, po trajnojnë ushtrinë ilegale të një shteti të rremë për të thyer demonstrata dhe trazira, për të thyer ndërtesa, ndërhyjnë me shpejtësi me përdorimin e bombave shokuese, përgjimin e automjeteve dhe arrestimet, drejtimin e mjeteve të blinduara luftarake të markave “Hammer H1”, “Reno”, “Bastion” dhe “Spartar”.


Ky artikull u publikua edhe në shumicën e mediumeve në gjuhën serbe. (shih disa këtu, këtu dhe këtu)


Pretendimet e mediumit serb zunë vend dje (24 gusht) edhe në konferencën për media të Presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, e realizuar pas takimit të krerëve të komunave serbe. Duke komentuar gjendjen në Kosovë, ndër të tjera apostrofohet edhe KFOR-i në deklaratën e Vuçiqit ku thotë se KFOR-i e ka për detyrë sigurimin e popullit serb, dhe ju drejtohet me pyetjen se, pse po i ndihmojnë dhe po i ushtrojnë shqiptarët për t’i maltretuar serbët në veri: “Qëllimi juaj është të mbroni popullsinë serbe, pse i ndihmoni shqiptarët që ta shtypin atë pakicë, pse i ushtroni me ta për keqtrajtimin e serbëve?”. (shih këtu)


Pas publikimit të pretendimeve të mediumit serb “Novosti.rs”, e që zunë vend edhe në konferencën e Presidentit Vuçiq, për ushtrime të përbashkëta të KFOR-it dhe Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK) në kampin ‘Belvedere’ në jug të Mitrovicës, KFOR-i, si palë e apostrofuar, ka demantuar ato në një përgjigje të publikuar dje (24 gusht) nga agjencia e lajmeve “Tanjug.rs”.

KFOR-i njoftoi sot se nuk janë të sakta raportimet e mediave se instruktorët e KFOR-it marrin pjesë në trajnimin e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në bazën policore në Belvedere në pjesën jugore të Mitrovicës. “KFOR-i i mohon plotësisht këto akuza. Ushtarët e KFOR-it nuk trajnojnë Policinë e Kosovës dhe as pjesëtarët e Forcave të Sigurisë së Kosovës për ndonjë aktivitet policor apo ushtarak”, thuhej në përgjigjen e KFOR-it në pyetjen e agjencisë së lajmeve “Tanjug.rs” nëse janë të sakta raportet e mediave se pjesëtarët e FSK-së trajnohen me ndihmën e instruktorëve të KFOR-it në bazën Belvedere në pjesën jugore të Mitrovicës. KFOR, po ashtu u bën thirrje të gjithëve që të shmangin veprimet e njëanshme dhe të përmbahen nga retorika nxitëse dhe përhapja e dezinformatave. (shih këtu)


Demantimi i KFOR-it në lidhje me pretendimet e mediumit serb “Novosti” u publikua dje (24 gusht) në disa mediume në gjuhën serbe. (shih këtu, këtu dhe këtu)


Përkundër faktit që pretendimet e gazetës serbe “Novosti” u demantuan nga vet KFOR-it, disa mediume në gjuhën serbe vazhdojnë të publikojnë edhe sot (25 gusht) artikullin me pretendimet e cekura. (shih këtu dhe këtu)


Analiza:

Mediumi serb “Novosti.rs” në një artikulli të publikuar dje (24 gusht) hodhi pretendimin se KFOR-i është duke zhvilluar ushtrime të përbashkëta me Forcat e Sigurisë së Kosovës (FSK) në kampin ‘Belvedere’ në jug të Mitrovicës.

Pretendimet e të përditshmes serbe “Novosti” u lakuan edhe në konferencën për media të presidentit serb Aleksandër Vuçiq, pas takimit të krerëve të komunave serbe.

Pasi këto pretendime u diskutuan nga palët e lartcekura,  KFOR-i i demantojë ato në një përgjigje dhënë për agjencinë e lajmeve “Tanjug.rs”.

Hibrid.info në bazë të metodologjisë së punës, vlerëson se pretendimet e të përditshmes serbe “Novosti” janë të pabaza dhe klasifikohen si “lajm i rremë”.


Vlerësimi:

Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato raportime mediatike që janë tërësish prodhim i një mediumi i cili në vete përmban pretendime ose informacione faktikisht të gabuara.

Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet me siguri se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.

Share With Others