[email protected]
Brohoritjet “Albin baba” nuk janë bërë në tubimin elektoral të LDK-së, video është e manipuluar
shape
shape
shape

Shkroi: Fatbardh Dema

U publikua një video-material i shkurtër i shkëputur nga një prej tubimeve elektorale të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ku shihet kryetari i këtij subjekti, njëherësh kandidati për kryeministër, Lumir Abdixhiku.

Përmes kësaj videoje pretendohet se në këtë tubim gjatë përfundimit të një fjalie nga Abdixhiku, qytetarët kanë nisur të brohorasin një thirrje “Albin baba”, që ndërlidhet me emrin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Kjo video me këtë pretendim u publikua në median sociale Threads nga llogaria e televizionit Teuta nga Mali i Zi, “tv_teuta”.

Cila është e vërteta?

Pas kontrollit të fakteve të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se ka ndërhyrje në këtë video-material, të cilit i është mbivendosur audioja e një tubimi të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në Vushtrri, me pretendimin të paraqitet si brohoritje në tubimin e LDK-së.


Hibrid.info ka kontrolluar të gjitha tubimet e publikuara në faqen e LDK-së si dhe në llogarinë zyrtare të Abdixhikut në Facebook, e që një brohoritje e tillë u konstatua se nuk është bërë në ndonjërin nga këto tubime elektorale të këtij subjekti politik.

Pas hulumtimit online, hibrid.info ka gjetur se brohoritja nga qytetarët drejtuar Kurtit me fjalët “Albin baba” ka ndodhur në tubimin elektoral të LVV-së në Vushtrri. (shih këtu)

Pra, audioja nga ky tubim i LVV-së i është mbivendosur një pjese të fjalimit të Abdixhikut në një prej tubimeve të tija elektorale me pretendimin të paraqitet si brohoritje për Kurtin në tubimin e LDK-së.

Po ashtu, vërehet se videoja ndërpritet në sekondën e 9-të dhe pamja paraprake përsëritet sërish për 4 sekondat e radhës. Ndërkaq, audioja gjatë kësaj kohe nuk ndërpritet, gjë që vërteton se brohoritjet “Albin baba” janë mbivendosur në video në mënyrë digjitale.


Analiza:

Një video e shkurtër nga një tubim i LDK-së, ku shihet kryetari Lumir Abdixhiku, është publikuar në Threads nga “tv_teuta” me pretendimin se qytetarët brohoritën “Albin baba”, thirrje kjo drejtuar për kryeministrin Albin Kurti.

Pas verifikimit nga hibrid.info, u vërtetua se videoja është manipuluar, duke i shtuar audion e marrë nga një tubim i LVV-së në Vushtrri. Asnjë brohoritje e tillë nuk është regjistruar në tubimet e LDK-së apo në faqet zyrtare të partisë dhe Abdixhikut.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Mashtrim” dhe “Përmbajtje e pa verifikuar”.

Arsyetimi:

Vlerësimi “Mashtrim” u bëhet atyre përmbajtjeve informative të cilat manipulohen si në aspektin vizual (deepfake, cheapfake), zanor (audio) apo tekstual të përmbajtjes për të mashtruar audiencën. Zakonisht kjo formë e mashtrimit përdoret për të prodhuar përmbajtje të paqena dhe të manipuluara.

Vlerësimi “I pa verifikuar” u bëhet atyre përmbajtjeve informative që nuk ofrojnë informata të mjaftueshme për të konfirmuar pretendimet e bëra në raport, dhe të cilat nuk kanë mundur të verifikohen për shkak të rrethanave të caktuara (shpejtësisë, mungesës së burimeve) gjatë publikimit të përmbajtjes.

Share With Others

Translate »