Shkroi: Etrit Rexhepi
Është publikuar një imazh me mbishkrimin që pretendon se Matthew Palmer, ish-zëvendës ndihmës sekretari amerikan i Shtetit ka deklaruar se ka respekt të jashtëzakonshëm për Albin Kurtin, kryeministrin aktual të Kosovës dhe mendon se ai vë interesat në të mirë të Kosovës mbi të gjitha.
Ky material është publikuar sot (21 janar) në TikTok nga një llogari me emrin “bajrush.k”.
A është e vërtetë deklarata?
Palmer ka dhënë këtë deklaratë për Kurtin, por ajo nuk është aktuale. Mos shënimi i datës kur është bërë ky deklarim mund ta bëjë që audienca ta perceptojë atë si një qëndrim aktual.

Hibrid.info ka hulumtuar përmes makinave të kërkimit dhe ka gjetur se deklarata e pretenduar, është reale.
Në bazë të një artikulli të publikuar në mediumin “indeksonline.net”, vërtetohet se Palmer deklarimin për Kurtin e ka bërë më 12 mars të vitit 2021, në televizionin “RTV Dukagjini”.
Deklarata e Palmer për Kurtin shkëputur nga artikulli i “indeksonline.net”:
“A është Kurti si partner politik të përshtatshëm? Nëse me të përshtatshëm mendoni dikë që është i gatshëm për të punuar krap për krahu me ShBA-të, për të ndihmuar në avancimin e të ardhmes më të mirë për popullin e Kosovës, absolutisht po. Kemi pasur marrëdhënie të mirë me Kurtin kur ishte kryeministër më parë. E njoh Albin Kurtin kohë të gjatë. Njihemi me vite të tëra. Kam respekt të jashtëzakonshëm për të. Sigurisht mendoj që ai vë interesat në të mirë të Kosovës mbi të gjitha dhe mirëpres mundësinë të punoj me të dhe qeverinë e tij për prioritetet tona të përbashkëta”.
Edhe në videon e publikuar në Youtube në kanalin “RTV Dukagjini”, konfirmohet se deklarata e Palmer ka ardhur nga ai, në një intervistë për këtë televizion, e publikuar më 12 mars 2021.
Çka tregon se deklarata në fjalë, nuk është aktuale.
Analiza:
Deklarata e pretenduar e Matthew Palmer se ka respekt të jashtëzakonshëm për Albin Kurtin dhe mendon se ai vë interesat në të mirë të Kosovës mbi të gjitha, është e saktë.
Por, deklarata është bërë para tre vitesh, gjë e cila nuk sqarohet në publikimin e kësaj përmbajtjeje.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Dezinformatë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.