[email protected]
Hibrid.info – e vërteta për lajmet e rreme
shape
shape
shape

Të gjithë jemi dëshmitarë se si teknologjia Informative (IT), dita ditës, po e përmbush misionin e saj në krijimin e një bote më të lidhur. Por, njëkohësisht, ajo po përjeton edhe ironinë e këtij misioni: krijimin e një ambienti më të pasigurt për njerëzimin.

Historia na mëson se avancimet shkencore janë përdorë në dobi të shoqërisë. Mirëpo, krahas me këtë, ka pasur edhe të atillë që këto përparësi i kanë përdorur për qëllime malinje.

IT ka lehtësuar shpërndarjen e shpejtë të informacionit përmes platformave të shumta online, duke ofruar mundësi për edukim të lirë dhe masiv, por, në të njëjtën kohë dhe në mënyrë tinëzare, këto platforma po përdoren edhe nga krijuesit e lajmeve dhe informacioneve të rreme.

Por çfarë në fakt janë lajmet e rreme?

Lajmet e rreme, dezinformimi ose propaganda, që në ditët e sotme janë përhapur gjithandej botës online, përçojnë mesazhe mashtruese, informata të sajuara, kontekst të rremë dhe përmbajtje të manipuluar. Termi “lajm i rremë” (Fake News) u shfaq ndjeshëm gjatë zgjedhjeve presidenciale të SHBA në 2016 duke vendosur këtë fenomen në vëmendjen ndërkombëtare. Që nga ajo kohë, përdorimi i termit “lajm i rremë” është rritur me 365 përqind për vit.

Rusia konsiderohet midis distributorëve kryesorë që synojnë të godasin vendet perëndimore, veçanërisht politikën e SHBA-së, por edhe vendet anëtare të BE-së dhe NATO-s. Edhe pse dezinformimi e ka gjetur si aleat të fortë IT-në dhe ka gjetur shtrirje të madhe në epokën e digjitalizimit, si fenomen ai paraqitet të jetë shumë më i hershëm. Në vitin 1919, Walter Lippmann, për herë të parë, elaboroi rolin negativ që ka propaganda në shoqëritë moderne perëndimore. Termi propagandë u përdor për një kohë të gjatë deri në shfaqjen e mediave masive me të cilat u përhap edhe termi informim e që e kundërta e saj, quhej dezinformim apo informim i pavërtetë.

Në aspektin gjeografik, rajonet që më së shumti janë prekur nga kjo dukuri, kanë qenë kryesisht ato që gjendeshin në kufijtë e dy kampeve të dala nga Lufta e Dytë Botërore, kampit kapitalist dhe atij komunist. Kur analizohet Evropa, vija ndarëse mes këtyre kampeve, dihet se ka kaluar edhe ne rajonin tonë, në Ballkan. Lufta hibride që është zhvilluar në shtetet kryesore në këtë rajon, padyshim që ka përmbajtur komponentin kryesore, atë të dezinformimit.

Lufta Hibride me armën më të fortë, dezinformimin, ka vazhduar edhe gjatë kohës së okupimit serb gjatë dekadës së fundit të shekullit të kaluar në Kosovë, nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit, për të vazhduar edhe në periudhën e pasluftës. Por, me ndryshimin rrethanave politike dhe gjeostrategjike në Ballkan, është modifikuar edhe forma e shpërndarja e dezinformatës. Tashmë, Serbia shërben si një satelit i strategjisë propaganduese ruse për rajonin tonë.

Dihet se në dy dekadat e fundit, vendet e Ballkanit Perëndimor, kontekst rajonal ky i krijuar pas shpërbërjes së Jugosllavisë, janë sulmuar nga ndikimi i politikës së jashtme ruse për të ndaluar perspektivën pro-perëndimore të rajonit. Përveç faktit se vendet e Ballkanit Perëndimor u përdorën për të prodhuar lajme të rreme, të ngjashme me rastin e Maqedonisë së Veriut, në të njëjtën kohë ato kanë qenë edhe cak i sulmeve të tilla, kryesisht me origjinë nga jashtë. Për shkak të aleancës së saj strategjike dhe historike me Rusinë, Serbia shërben si një hapësirë ​​e përshtatshme për të akomoduar mediat pro-qeveritare ruse. Sipas raportit të platformës rajonale për kontrollim të fakteve, Raskrinkavanje, me qendër në Sarajevë, Bosnje dhe Herzegovinë, transmetuesi ndërkombëtar në pronësi të qeverisë ruse me qendër në Beograd, përkatësisht Sputnik, shërben si prodhues i dezinformatave që synojnë audiencat në gjuhën serbe në Bosnje dhe Hercegovinë, Serbi, Kroaci, Mal të Zi dhe Kosovë. Në kontrast me Sputnik, seksioni tjetër i mediave ndërkombëtare në gjuhën serbe (Zëri i Amerikës, Radio Evropa e Lirë / Radio Liria, Deutsche Welle dhe BBC), bazuar në këtë raport, nuk u paraqiten as në algoritmin e dezinformimit.

Rrjetet sociale si shpërndarës të lajmeve të rreme

Avancimi i internetit ka çuar në zhvillimin e shumë platformave digjitale, përfshirë rrjetet sociale, makinat e kërkimit dhe kanaleve me video-përmbajtje.

Sipas shumë studimeve të bëra në dhjetëvjetëshin e fundit, Kosova paraqitet të jetë si një vend me shtrirje të gjerë të internetit. Në bazë të raportit të STIKK, 96% e familjeve në Kosovë, kanë qasje në internet. Kjo ka shtyrë që kosovarët të jenë përdorues të rregullt ditor të mediave online dhe rrjeteve sociale.

Të gjetur në oqeanin informativ online, kosovarët janë përballur menjëherë me rrezikun e informatave të rreme. Kjo mundësi e artë, nuk ka se si të mos përdorët nga palë të ndryshme që të shtrijnë ndikimin tek qytetarët, duke përcjellë agjenda të ndryshime të dyshimta. Si rezultat i kësaj, kosovarët vazhdojnë të jenë cak i sulmit përmes shumë komponentëve të Luftës Hibride, e që vijnë nga adresa të shumta.

Varësisht nga konteksti, fushatat me lajme të rreme janë krijuar si nga akterë të brendshëm, ashtu edhe nga ata të jashtëm. Për shembull, në fushata parazgjedhore, akterë të ndryshëm politikë dhe grupe të interesit, brenda vendit, përpiqen të përdorin mediat si kanale për të arritur qëllimet e tyre. Në këtë drejtim, fenomeni prezantohet kryesisht në rastet kur mediat financiarisht të paqëndrueshme, veçanërisht ato online që kërkojnë mbështetje financiare, janë potencialisht të prekshme nga grupet e interesit, të cilat përpiqen të imponojnë agjendën e tyre.

Përveç kontekstit politik, audienca në Kosovë por edhe në botë, është prekur edhe nga fenomeni i “infodemia” që i dedikohet kryesisht shpërndarjeve të lajmeve që kanë për qëllim shtrirjen e informacioneve të dyshimta lidhur me pandeminë COVID-19. Nga kjo dukuri digjitale janë prekur në masë të madhe edhe kosovarët, por që nuk është evidentuar ndonjë pasojë, siç ka ndodhur në vendet tjera të botës. Kjo periudhë prej rreth 6 muajve, ka shpalosur në masë rrezikun që vjen nga dezinformimi.

Roli i platformave të kontrollimit të fakteve

Me avancimin e prodhimit dhe shpërndarjes së lajmeve të rreme, po lind nevoja edhe për kontrollimin e tyre. Në këtë aspekt, shoqëritë, kryesisht ato perëndimore, kanë filluar tash e disa vite të ndërtojnë platforma që shërbejnë si pararojë për audiencën për mbrojtje nga lajmet e rreme.

Në këtë fushatë është inkuadruar edhe platforma kosovare hibrid.info, e cila me këmbëngulësi po përpiqet që të mbrojë qytetarët nga kontaminimi informativ.

Duke u nisur nga fakti që propaganda dhe dezinformata janë fenomene shumë të vjetra, dhe njerëzimi ka bashkëjetuar me to për shekuj me radhë, ato do të vazhdojnë të jenë prezentë edhe më tutje. Për më tepër këto dukuri do të sforcohen edhe më shumë me zhvillimin e teknologjisë dhe Inteligjencës Artificiale (AI).

Por, për këtë arsye, hibrid.info, së bashku me stafin profesionist në fushën e gazetarisë, sigurisë dhe kibernetikës, do të jetë këtu për t’u përballur me sfidat  dhe rreziqet aktuale dhe ato të ardhshme, që e kërcënojnë audiencën shqipfolëse nga fenomeni i mos informimit të drejtë.

Share With Others