Të fundit | Rifat Jashari nuk e ka bërë deklaratën e pretenduar ndaj Edi Ramës Të fundit | Titulli e paraqet lirimin e Thaçit si të konfirmuar Të fundit | Rama s’ka thënë se mbështetësit e protestave nga Kosova e Maqedonia e Veriu… Të fundit | Nuk ka dëshmi se Engel ka deklaruar se lirimi i Thaçit do të ndikonte në sk… Të fundit | Pretendim i rremë se Hillary Clinton ka bërë një deklaratë për qeverisjen e… Të fundit | Raporti monitorues i keqinformimit për muajin korrik 2026 Të fundit | Format e manipulimit të imazheve për qëllime keqinformimi Të fundit | Hamza nuk refuzoi krijimin e institucioneve dhe nuk kërkoi zgjedhje të reja Të fundit | Videoja e vitit 2021 me aeroplanë luftarakë serbë mbi Jarinjë ripublikohet… Të fundit | Pretendime pa fakte se familja Berisha e dogji shtëpinë në Zveçan për t’i a…
[ ARTIKULLI ]

Imazhi që po qarkullon në media sociale nuk është sondazh real

HIBRID

Shkroi: Etrit Rexhepi

Një imazh i cili paraqet akronimet e katër partive më të mëdha parlamentare në Kosovë me përqindje të caktuara ka nisur të qarkullojë në disa llogari në mediat sociale TikTok, Facebook dhe Instagram.

Imazhi i cili paraqet Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) me 53 për qind, Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) me 16%, Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) me 12% dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me 4% është publikuar në disa llogari të ndryshme në një javë në TikTok, në Facebook e në Instagram.

Çka nuk shkon me publikimin? Imazhi nuk tregon për ndonjë burim kredibil se mund të bëhet fjalë për sondazh a matje të opinionit publik apo edhe se kush e ka realizuar atë. Po ashtu nuk e plotëson asnjë kriter që të konsiderohej sondazh i realizuar sipas matjeve të duhura statistikore


Kysmet ne dhjetor” shkruan në publikimin e parë të hasur me këtë pretendim nga llogaria “rai123” në TikTok. Bazuar në imazhin e publikuar lihet të kuptohet se kjo mund të jetë një matje e opinionit publik lidhur me partitë politike për zgjedhjet e parakohshme që mund të mbahen në muajin dhjetor ose është vetëm një parashikim i llogarisë që e ka publikuar. Megjithatë, publikimi i ka marrë mbi 400 komente dhe mbi 180 mijë shikime. Shumë prej komentuesve i komentojnë si rezultate të mundshme apo debatojnë mbi to.

Fotografia me disa nga komentet

Pas kësaj llogarie, imazhi u ripublikua edhe nga llogaritë “ekrem.kryeziu2” dhe “kingbossi1204”.

E publikimi me përqindjet e njëjta dhe emrat e partive është publikuar edhe më 14 nëntor nga llogaritë në TikTok me emrat “D I A M A N T” dhe “Skifteri Dardan” . Dallimet qëndrojnë te fotografitë e liderëve partiakë. “Opozita po Fundoset ne vetvete. Zgjedhjet e ardhshme me 28 dhjetor ne Kosove LVV po shkon drejt shumices absolute”, ka shkruar në përshkrim të publikimit llogaria “D I A M A N T”.


I njëjti imazh është publikuar të premten (14 nëntor) edhe në Facebook nga llogaria “Jona Çitaku”. Kjo llogari ka shkruar se “ky është trendi i qartë” për zgjedhjet që i ka paralajmëruar për 28 dhjetor. Publikimi i ka marrë rreth 2 mijë reagime e mbi 400 komente, në bazë të disa prej të cilave duket se imazhi po konsiderohet si sondazh real.

Postimi i plotë:

“Zgjedhjet e ardhshme me 28 Dhjetorë në Kosovë, ky është trendi i qartë: LVV po shkon drejt shumicës absolute, ndërsa opozita po fundoset në vetvete. Qytetarët po kërkojnë drejtësi, punë e dinjitet,jo rikthim të korrupsionit e pazareve. LVV – 53% | 🔵 PDK – 16% | ⚪ LDK – 12% | 🟠 AAK – 4% pa votat e dijasporesë. Ky është realiteti që po formohet: një Kosovë që po zgjedh ndryshimin, jo rikthimin. LVV ka 53%, PDK 16%, LDK 12%, AAK 4% (nuk hyn). Votat e AAK-së shpërndahen midis tre të parave, dhe për shkak të formulës së D’Hondt-it, LVV del me rreth 55–56% të mandateve parlamentare.+ LVV mer rreth 3% vota dijaspores qe do te sshkojë 59% ky donte jete Rezultati perfundimtar Urime”.

I njëjti shkrim është shpërndarë me imazhin e njëjtë edhe në Instagram nga llogaria “leotrim_beriishaa”.

Imazhi është publikuar edhe në grupin në Facebook “#meVETËVENDOSJEN-n”. “Ky fatë do ti pret kundërshtarët politikë, në zgjedhjet e ardhshme me 28.dhjetor!” ka shkruar një llogari me nofkën “në përkrahje të Albint”.

Faktet:

Hibrid.info ka kërkuar përmes “Google.com” me fjalët “Sondazh për zgjedhjet e dhjetorit në Kosovë” dhe “LVV 53%, PDK 16%, LDK 12%, AAK 4%”. Asnjëri nga kërkimet nuk ka hasur në ndonjë burim kredibil të informacionit se bëhet fjalë për sondazh real dhe me metodologji të duhur statistikore.

Për më shumë këto llogari në disa raste kanë përmendur 28 dhjetorin si datë të zgjedhjeve të reja, por se kjo ende nuk është caktuar.

Zgjedhjet në dhjetor?

Më 26 tetor, Albin Kurti, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje nuk e siguroi shumicën e mjaftueshme në Kuvend për formimin e Qeverisë, si mandatar i parë, si fitues i zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Pas këtij dështimi, bazuar në nenin 95, paragrafin 4 të Kushtetutës së Kosovës, më 4 nëntor presidentja Vjosa Osmani e mandatoi Glauk Konjufcën për formimin e Qeverisë. Konjufca nga ajo ditë ka 15 ditë kohë për t’ia propozuar Kuvendit përbërjen e Qeverisë dhe programin. Sipas Kushtetutës, nëse as në herën e dytë nuk zgjidhet Qeveria, atëherë presidenti i shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre.

Deri tash, nuk ka pasur konfirmim se kur do të mbahet seanca në të cilën Konjufca do të prezantojë ekipin me të cilin synon ta formojë Qeverinë dhe rrjedhimisht nuk është caktuar as data e zgjedhjeve të mundshme parlamentare.

Çka janë sondazhet?

Sondazhi është hulumtim paraprak për të njohur një gjendje, mendimet a qëndrimet për diçka të caktuar. Në këtë metodë statistikore nxirren rezultate bazuar në studimin e një pjese të popullatës, që quhet mostër.

Bazuar në artikullin e institutit Pew Research (institut kërkimor për sondazhe dhe studime të bazuara në fakte), sqarohet se çfarë informata duhet të kërkohen për mënyrën se si është kryer një sondazh.

Kush e kreu sondazhin dhe kush e sponsorizoi atë?

Kush u intervistua?

Si u zhvillua sondazhi? 

Si u përzgjodhën njerëzit për sondazhin?

Kur u krye sondazhi? 

Sa persona u intervistuan? 

A u peshua sondazhi? Nëse po, si?

A duken pyetjet e sondazhit sikur janë neutrale dhe të drejta? 


Sondazhet në zgjedhjet e kaluara parlamentare:

Sondazhe të rreme si formë e manipulimit të opinionit në media sociale ishin detektuar edhe gjatë periudhës para dhe gjatë fushatës zgjedhore të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit të këtij viti. Në këtë periudhë, hibrid.info kishte verifikuar 36 sondazhe të rreme. Para fillimit të fushatës zgjedhore, hibrid.info kishte paralajmëruar lexuesit për rreziqet e informacionit të pasaktë që mund të publikohet gjatë kësaj kohe, duke përmendur edhe sondazhet e rreme si një nga format e përmbajtjeve keqinformuese.

Analiza:

Imazhi që paraqet katër partitë kryesore parlamentare në Kosovë me disa përqindje dhe me mbishkrimet se bëhet fjalë për zgjedhje të dhjetorit, nuk është sondazh real.

Publikimi është bërë në disa llogari në TikTok, Facebook e Instagram. Bazuar në komentet në këto postime del se imazhi është konsideruar si sondazh i mirëqenë.

Megjithatë, asnjëri prej këtyre postimeve nuk tregon burimin për shifrat e pretenduara e as se kush mund të ketë bërë matje të tilla të opinionit.

Po ashtu, ata përmendin datën 28 dhjetor si datë të zgjedhjeve, por kjo ende nuk është caktuar dhe ka procese institucionale që duhet të kryhen për të mbërritur te caktimi i datës.

Prandaj, bazuar në verifikimet e kryera, hibrid.info i vlerëson këto publikime si “lajme të rreme”.

Arsyetimi

Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere