Të fundit | Nuk ka të dhëna se Gjermania ka 'shtrënguar' procedurat e azilit për të kon… Të fundit | Ende nuk ka konfirmim se Kurti do të udhëtojë në SHBA për Asamblenë e OKB-s… Të fundit | Gashi s'ka thënë se do ta votonte Listën Serbe para Vetëvendosjes Të fundit | Gotovina s’ka thënë se “Thaçi nuk është në gjyq, por UÇK-ja është në gjyq”,… Të fundit | Titulli nuk sqaron se në grevë kanë hyrë punëtorët teknikë të shkollave Të fundit | Raporti monitorues i keqinformimit për muajin gusht 2026 Të fundit | Pretendim konspirativ se nëse dënohen krerët e UÇK-së, do të shkaktohet dhu… Të fundit | Pretendohet rrejshëm se Trump i ka bërë ftesë Thaçit për vizitë në SHBA më… Të fundit | Rishikimi i javës: Deklarata të sajuara që u atribuohen figurave politike,… Të fundit | Titulli nuk sqaron se largimi nga përfitimet vlen për ata që nuk plotësojnë…
[ ARTIKULLI ]

Videoja e dronit “SKIFTERI K1”: Çfarë dihet dhe çfarë mbetet e paverifikuar

HIBRID

Autorë: Etrit Rexhepi dhe Fatbardh Dema

Të dielën (18 janar), në rrjete sociale dhe në media, u përhap në masë të madhe një video që pretendon se paraqet dronin e prodhuar në Kosovë, “SKIFTERI K1”, duke u lansuar dhe duke goditur një cak.

Pretendimi ngjalli interes të madh publik për shkak se lidhet me kapacitete ushtarake dhe me sigurinë.

Personi që thotë se qëndron prapa tij, Ridvan Aliu, tha se me këtë testim është vërtetuar se Kosova është gati të godasë nga ajri në distancë 1000+ kilometra (km) larg.

Testohet SKIFTERI K1 nga njëri prej klientëve tanë me saktësi maksimale: Fluturim: 7h 12 min, distancë: 1124 km, ngarkesë: 42 kg (i armatosur)”, shkroi Aliu në Facebook.

Ai, përpos këtij postimi, bashkëngjiti edhe një video të gjatë 2:47 sekonda, ku shihet një fluturake pa pilot e fiksuar në një lokacion të panjohur, i cili më pas lansohet në fluturim. Pas kësaj, paraqitet një pamje tjetër që pretendon se droni në fjalë godet cakun, që është një autobus në një fushë të gjerë me reliev fushor e malor – gjithashtu lokacion i panjohur. 

Sipas Aliut, që është themelues i “Future Minds Academy” nga Gjilani – kompani e cila, bashkë me “MIGA SkyShield MAR” (po ashtu nga Gjilani), thonë se janë prodhuesit e këtij droni – fluturakja pa pilot ka arritur të fluturojë me sukses për 1124 kilometra, rrugëtim ky i përshkuar për 7 orë e 12 minuta.

Pretendimin e Aliut, mediat e raportuan pa ofruar verifikim të pavarur të pretendimeve të bëra. Pra, nuk u verifikua distanca reale, nuk u verifikua ngarkesa dhe nuk u verifikua vendndodhja. Titulli që dominoi në mediat reale dhe rrjete sociale ishte “Testohet droni kosovar” (shih këtu dhe këtu).

Vetë publikimi i Aliut në Facebook, deri në momentin e trajtimit nga hibrid.info (22 janar, 10:45), ka marrë gati 10 mijë reagime, 668 komente e 557 shpërndarje.

Mirëpo, media “Telegrafi.com” kontaktoi personin në fjalë, i cili dha pak informacion mbi videon e publikuar nga vetë ai. Aliu tha se “testimi është bërë jashtë Kosovës, në lokacionin e klientit”.

Goditja është e vërtetë, mirëpo për shkaqe të sigurisë, edhe me kërkesë të klientit tonë, pamjet janë bërë invert dhe me night vision on. Më shumë informata nuk mundem të jap”, citon “Telegrafi” të ketë thënë Aliu.


Çka do të thotë “invert” dhe “night mode”?

Sipas shpjegimeve teknike, “invert” nënkupton përmbysjen e ngjyrave të imazhit, ndërsa “night mode” apo “night vision” përdoret për xhirime në kushte ndriçimi të ulët.

Kështu, videoja u analizua përmes vëzhgimit vizual kornizë pas kornize dhe u verifikua edhe përmes platformave online që detektojnë përmbajtje të krijuar ose të manipuluar me inteligjencë artificiale (IA).

Bazuar në gjetjet, ka indikacione se pamjet në vende të caktuara mund të jenë krijuar me inteligjencë artificiale.

Çka thonë platformat online për verifikim të përmbajtjeve të gjeneruara me IA?

Platforma “Hive Moderation” jep të dhëna të ndryshme kur kontrollohet pjesa e shpërthimit të autobusit.

Në pjesë të caktuara të saj, platforma thotë se pamjet janë krijuar me IA me probabilitet mbi 90%, kurse në pjesë tjera thotë se probabiliteti që të jetë përdorur IA në të, është zero.

Duke qenë se rezultatet e platformës nuk janë konsistente në të gjithë videon, e bën të pamundur nxjerrjen e një përfundimi të prerë. Duhet theksuar se platformat e tilla ofrojnë vetëm indikacione teknike dhe nuk përbëjnë prova përfundimtare.

Por në rezultatin e përgjithshëm, platforma “Hive Moderation” ka përmendur platformat “Veo3” dhe “Gemini3”. “Veo3” është model i Google që prodhon video me kualitet të bazuara në tekstin e kërkuar nga përdoruesit. “Gemini” është asistent dhe model i avancuar i IA nga Google. Të dyja funksionojnë nën laboratorin “Google DeepMind”.

Në hapësirën e modeleve në “Google DeepMind” shpjegohet se si këto platforma përdorin një “vulë” që nuk shihet me sy, por që vendoset qëllimisht në përmbajtje, në mënyrë që nga softuerë të ndryshëm të arrihet të shpjegohet nëse përmbajtja është gjeneruar nga platformat e IA nga Google apo jo. Kjo teknologji quhet “SynthID”.

“SynthID vendos vula digjitale direkt në imazhet, audiot, tekstet ose videot e gjeneruara nga IA. Këto ‘vula’ janë të vendosura në të gjitha produktet e gjeneruara me AI nga Google dhe janë të padukshme për njerëzit – por mund të detektohen nga teknologjia e SynthID”, thuhet në përshkrimin e Google se si funksionon kjo teknologji.

Për ta detektuar këtë, Google sugjeron që të pyetet “Gemini”. Hibrid.info e ka bërë pikërisht këtë. Fillimisht për shkak të kritereve të “Gemini” videoja është shkurtuar në 1:10, duke marrë pjesën e fundit, për shkak se “Hive Moderation” theksoi se përmbajtja e gjeneruar nga IA mund të jetë aty.

Hibrid.info e ka ngarkuar videon e shkurtuar në “Gemini” dhe ka pyetur se a është gjeneruar apo ndryshuar kjo përmbajtje nga “Google AI”. Në përgjigje, chatboti “Gemini” ka thënë se ka elemente si audio ashtu edhe video që janë krijuar ose edituar duke përdorur “Google AI”.

Përgjigjja e përkthyer:

“Bazuar në analizën time, të dyja elementet audio dhe vizuale të kësaj videoje ishin krijuar ose edituar duke përdorur Google AI. Një vulë digjitale e quajtur SynthID u detektua në video në mes të 0:30 dhe 1:00, dhe në audio në mes të 0:30 dhe 1:09. Vula është e vendosur direkt në përmbajtje për të ndihmuar që të detektohet si e gjeneruar me IA, edhe nëse është edituar apo shkurtuar”.

Në videon e ngarkuar nga hibrid.info, sekonda e 30-të është pikërisht momenti kur në video niset droni dhe vazhdon me goditjen e autobusit.


Pse gjenerojnë shumë reagime përmbajtjet për armatim?

Hibrid.info në disa raste ka trajtuar përmbajtjet që lidhen me armatimin. Bazuar edhe në artikuj hulumtues, thuhet se kur qytetarët mendojnë se ka kërcënim të jashtëm të madh, ata mbështesin rritjen e shpenzimeve për mbrojtje. Kjo u konstatua bazuar në artikullin kërkimor (2021) të titulluar “Democracy, external threat, and military spending” (në shqip, “Demokracia, kërcënimi i jashtëm dhe shpenzimet ushtarake”) nga Matthew Hauenstein, profesor në Universitetin e Notre Damit dhe Matthew Smith dhe Mark Souva, profesorë në Universitetin e Floridas, si dhe në studimin e publikuar (2023) në “Revistën Britanike të Shkencave Politike”, me titullin “Threats and the Public Constraint on Military Spending” (në shqip, “Kërcënimet dhe kufizimi publik mbi shpenzimet ushtarake”).

Te rasti i Kosovës, edhe pse plani dhjetëvjeçar për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), parasheh rritjen graduale të kapaciteteve luftarake tokësore dhe atyre ajrore, Qeveria e Kosovës ka rritur dhe promovuar shpenzimet në fushën e mbrojtjes, duke marrë si bazë rrezikun të cilin ata e cilësojnë si real nga Serbia. Autoritetet në vazhdimësi e kanë paraqitur Serbinë si rrezik kryesor të shtetit, duke e bërë përgjegjëse edhe për sulmin terrorist të shtatorit 2023 në Banjskë, ku u vra zyrtari policor Afrim Bunjaku (shih këtu dhe këtu). Marrë parasysh përceptimin ndaj këtij rreziku, ekzistojnë mundësitë që një pjesë e madhe e qytetarëve të përkrahin këto shpenzime në armatim.

Ndërsa faqet që i shpërndajnë këto materiale, mund të kenë qëllim rritjen e interaktivitetit, çka rrit gjasat për shtim të numrit të ndjekësve.


Përfundimi

Në përfundim, ndonëse videoja është prezantuar si dëshmi e një testimi real të dronit “SKIFTERI K1”, mungesa e informacionit të verifikueshëm për lokacionin, rrethanat e testimit dhe mospërputhjet në analizat teknike të videos, bëjnë që pretendimi të mos mund të konfirmohet në mënyrë të pavarur.

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere