Prishtinë, 29 tetor 2026 – Përfshirja e qëndrueshme e edukimit medial në sistemin arsimor të Kosovës kërkon identifikimin e nevojave, përgatitjen e mësimdhënësve dhe bashkëpunimin ndërmjet institucioneve dhe aktorëve që kontribuojnë në këtë fushë. Këto ishin disa nga çështjet kryesore të trajtuara në konferencën “Media Literacy in Education: From Evidence to Action” (Edukimi medial në arsim: Nga gjetjet te veprimi), e cila mblodhi përfaqësues të institucioneve publike, organizatave ndërkombëtare, akademisë dhe shoqërisë civile në Kosovë.
Diskutimi u përqendrua në gjendjen aktuale të edukimit medial në vend, nevojat e sistemit arsimor, kontributin e aktorëve relevantë dhe koordinimin institucional, me synimin që këto çështje të përkthehen në hapa konkretë për avancimin e edukimit medial në shkolla.
Në hapje të konferencës, Xhemajl Avdyli, nga Hibrid.info, prezantoi katër dimensionet kryesore të diskutimit: analizën e gjendjes aktuale, vlerësimin e nevojave, identifikimin e kontributit të aktorëve kompetentë dhe koordinimin institucional.

Më tej, para nisjes së diskutimit, Shefi i Sektorit Politik të BE-së në Kosovë, Boguslaw Gertruda, theksoi mbështetjen e BE-së për nismat që ndihmojnë të rinjtë të orientohen në mjedisin e sotëm informativ dhe të marrin vendime të informuara, si dhe synimin e përbashkët për përfshirjen e edukimit për media dhe informacion në kurrikulat shkollore të Kosovës.

Enver Hoxhaj, kryetar i Komisionit Parlamentar për Arsim, shprehu mbështetjen e komisionit për avancimin e edukimit medial, duke theksuar se veprimet në këtë drejtim janë urgjente.

Avni Rexha, udhëheqës i Divizionit për Edukim në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, (MASH), foli për hapat e ndërmarrë deri më tani dhe mundësinë e përfshirjes së edukimit medial në strategjinë e re të arsimit.

Ndërkaq, Arben Hajredinaj, në emër të Misionit të OSBE-së në Kosovë, theksoi nevojën për angazhim më të madh dhe shtrirje të aktiviteteve të edukimit medial në të gjithë vendin.
Një pjesë e diskutimit iu kushtua përvojave ndërkombëtare, si shembuj për t’u marrë në konsideratë në zhvillimin e edukimit medial. Në këtë kontekst, u theksua rëndësia e përgatitjes së mësimdhënësve për t’i pajisur nxënësit me aftësi për të dalluar informacionin e besueshëm nga ai keqinformues, për të verifikuar burimet dhe për të analizuar në mënyrë kritike përmbajtjet që hasin në media dhe platformat digjitale.
Diskutimi trajtoi gjithashtu nevojën për një vlerësim më të qartë të gjendjes në shkolla, përfshirë njohuritë e nxënësve, kapacitetet e mësimdhënësve dhe burimet në dispozicion. U theksua se bashkëpunimi ndërmjet institucioneve arsimore, organizatave të specializuara dhe partnerëve ndërkombëtarë është i rëndësishëm për të siguruar që përpjekjet ekzistuese të plotësojnë njëra-tjetrën.

Gjatë konferencës, Xhemajl Avdyli prezantoi edhe përvojën e Hibrid.info në zbatimin e programit për edukimin medial, të mbështetur nga Bashkimi Evropian në Kosovë. Ai foli për punëtoritë me nxënës dhe mësimdhënës, të cilat trajtojnë dezinformimin, verifikimin e burimeve, paragjykimet mediale dhe vlerësimin kritik të informacionit në platformat digjitale. Programi përfshiu edhe angazhimin e nxënësve si ambasadorë të edukimit medial, për të ndarë njohuritë e fituara me bashkëmoshatarët e tyre.
Në përmbyllje, u diskutua për identifikimin e prioriteteve konkrete për vitin 2027, duke u mbështetur në të dhënat dhe përvojat ekzistuese, vlerësimin e nevojave dhe bashkëpunimin ndërmjet aktorëve relevantë. Konferenca synoi të kontribuojë në një qasje më të koordinuar ndaj edukimit medial në Kosovë, me fokus në zhvillimin e të menduarit kritik dhe përgatitjen e nxënësve për t’u përballur me sfidat e mjedisit të sotëm informativ.
Konferenca u organizua nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë në partneritet me Hibrid.info, në kuadër të Javës Globale të Edukimit për Media dhe Informacion 2026 të UNESCO-s.