Përmes një artikulli të publikuar më 29 tetor 2026 në median ruse “politnavigator.news”, pretendohet se Kosova po përgatitet ta dërgojë Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) në veri të vendit, përkatësisht në zonat e banuara me shumicë serbe.
Ky pretendim ndërlidhet me rritjen e numrit të pjesëtarëve të FSK-së, investimet në armatim dhe pranimin e automjeteve të reja ushtarake.

I njëjti artikull më pas u shpërnda edhe nga domaini propagandistik rus “Pravda“ në gjuhën shqipe (shih këtu).
Çka nuk shkon me këtë pretendim?
Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, vërehet se medium rus nuk ofron asnjë fakt lidhur me këtë pretendim, qoftë dokument zyrtar, vendim institucional apo deklaratë konkrete që dëshmon se ekziston një plan i tillë.
Çka tregojnë faktet?
Më 29 tetor, Qeveria e Kosovës njoftoi se FSK-ja kishte pranuar 12 kamionë ushtarakë të tipit “UNIMOG” (shih këtu). Sipas të njëjtit njoftim, disa ditë më herët kishin arritur edhe tetë kamionë të tjerë të blerë nga kompania “Rheinmetall”. Këto automjete janë pjesë e investimeve për forcimin e kapaciteteve transportuese dhe logjistike të FSK-së.
Po ashtu, deklaratat e kryeministrit Albin Kurti për investimet në ushtri dhe shtimin e numrit të ushtarëve janë të dokumentuara. Por, këto zhvillime nuk dëshmojnë se FSK-ja po përgatitet të dërgohet në veri.
Për më tepër, NATO ka sqaruar se dërgimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në veri të vendit bëhet në koordinim me KFOR-in dhe kërkon pajtimin e komandantit të kësaj force ndërkombëtare. Kjo kërkesë lidhet me një zotim të institucioneve të Kosovës të vitit 2013.
Më 7 shtator 2023, sekretari i atëhershëm i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, pas një takimi me presidenten Vjosa Osmani, deklaroi se çdo dislokim i FSK-së në veri të Kosovës kërkon pajtimin e KFOR-it. Ai theksoi gjithashtu se NATO pret konsultime paraprake për çdo veprim të FSK-së ose Policisë së Kosovës që mund të ndikojë në situatën e sigurisë (shih këtu).
Këtë qëndrim NATO e përsëriti edhe në një deklaratë të 18 qershorit 2023, duke iu referuar marrëveshjes së vitit 2013 për dislokimin e FSK-së në veri. Sipas NATO-s, këto rregulla synojnë të sigurojnë veprim të koordinuar, të shmangin përshkallëzimin e situatës dhe të ruajnë një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet (shih këtu).
Pra, pretendimi se FSK-ja po përgatitet të shkojë në veri paraqitet në artikull pa dëshmi që e mbështesin. Faktet e përmendura për blerjen e kamionëve dhe forcimin e kapaciteteve të FSK-së nuk provojnë ekzistimin e një plani të tillë.
Analiza
Media ruse “politnavigator.news” pretendon se FSK-ja po përgatitet të dërgohet në veri të Kosovës. Në artikull përmenden rritja e numrit të ushtarëve, investimet në armatim dhe pranimi i automjeteve të reja.
Megjithatë, nuk ofrohet asnjë dëshmi zyrtare që vërteton ekzistimin e një plani të tillë.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Dezinformatë”.
Arsyetimi
Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.