[email protected]
Listë me lajme të rreme për kufizim të masave nga hibrid.info
shape
shape
shape

Me rritjen e numrin e të infektuarve nga virusi Korona në Kosovë, por edhe në vendet tjera të rajonit dhe Evropës, janë rritur edhe pritjet për shtrëngim të masave kufizuese për lëvizje.

Përderisa në vendet tjera janë rikthyer kufizimet në lëvizje e qarkullim të qytetarëve dhe veprimtarive të tjera, në Kosovë ende nuk është marr ndonjë vendim nga institucionet për ndryshim të masave. Kjo pritje për një vendim të radhës, ka bërë që shumë media dhe portale të dyshimta të prodhojnë lajme të rreme për shtrëngim të masave nga ana e autoriteteve kosovare.

Vetëm gjatë periudhës së fundit, hibrid.info ka arritur të identifikoj me dhjetëra lajme të tilla të rreme dhe t’i kontrollojë disa prej tyre. Në shumicën e rasteve, lajmet e rreme për masa të reja anti-covid në Kosovën, ndërtohen duke marr lajme që paraqesin ngjarjet e ngjashme nga shtetet tjera dhe i vënë atyre tituj përgjithësues, duke i bërë lexuesit të mendojnë se fjala është për vendime nga autoritetet kosovare.

Në këtë analizë ju sjellim pesë prej tyre, të cilat janë publikuar së fundmi:

Pretendimi: LAJMI I FUNDIT: Vikendi Me Orë Policore Prej 17:00 Deri 05:00?

Vlerësimi: Masat e reja u paralajmëruan në Maqedoni të Veriut, e jo në Kosovë siç pretendohet të paraqitet në artikull (Kliko)

“Gazeta-aktive.info” ka përdorur një lajm që ka të bëjë me shtetin e Maqedonisë Veriore, të cilit i ka hequr një pjesë që e qartëson këtë. Gjithashtu, këtij artikulli i ka ndryshuar titullin, si dhe në fotografi ka imazhin e një zyrtari policor të Kosovës.Ky veprim është bërë qëllimshëm, në mënyrë që të dezinformohet lexuesi, duke aluduar rrejshëm se lajmi ndërlidhet me Kosovën.

Pas analizës së kontrollit të fakteve, hibrid.info e vlerëson këtë artikull si “dezinformatë”.


Pretendimi: Bleni ushqime dhe përgatituni për masat e reja që aprovoi Qeveria e Kosovës, ja nga cila datë do të hynë në fuqi

Vlerësimi: Artikull me titull të sajuar: Nuk ka vendim për masa të reja (Kliko)

Portali i dyshimtë “specialja.com” ka publikuar një artikull të cilit i ka vendosur titull të rremë, duke nxitur kureshtje tek lexuesit për të klikuar në postimin e shpërndarë në rrjete sociale. Pas analizës së kontrollit të fakteve nga hibrid.info, ky artikull vlerësohet si “dezinformatë” dhe “clickbait”.


Pretendimi: Këto qytete nga e hëna nga ora 20:00 do të jenë në Orë Policore

Vlerësimi: Nuk janë paralajmëruar masa të reja, ashtu siç pretendohet (Kliko)

“Specialja.com” ka marrë raportin 24 orësh nga IKSHPK me numrin e të shëruarve, të infektuarëve dhe atyre që kanë humbur jetën si pasojë e virusit Korona, të cilin më pas e ka publikuar duke i vënë titull të rremë në mënyrë që të tërheqë lexuesit të klikojnë në të.

Pas kontrollit të fakteve, hibrid.info e vlerëson këtë artikull si “dezinformatë” dhe “clickbait”.


Pretendimi: Qeveria pritet të marrë vendim të ri: Paralajmërohet ashpërsim i masave për shkak të rritjes së rasteve me Covid- 19

Vlerësimi: Nuk u paralajmërua ashpërsim i masave (Kliko)

“GazetaBlic.com” ka publikuar këtë artikull duke i vënë titull tendencioz, i cili nuk përputhet me përmbajtjen e tekstit. Ky portal i ka dhënë kahje tjetër deklaratës së Zemajt, pasi në titull nuk e paraqet kontekstin real të deklaratës së Zemajt bërë për portalin “arbresh.info”.

Pas analizës së kontrollit të faktve, hibrid.info e vlerëson këtë artikull si “dezinformatë”.


Pretendimi: LAJMI I FUNDIT – Nga kjo date po heket ora policore dhe te gjitha masat thot Zemaj .. URIME Vlerësimi: Lajm i rremë për ndryshimin e masave kufizuese (Kliko)

Portali i dyshimtë “gjithckafresh.info” ka marrë një lajm të vjetër (konspiracion), me pretendimin që ta paraqes atë si aktual. Gjithashtu këtij shkrimi i ka vënë titull të rremë në mënyrë që të përfitojë sa më shumë klikime nga lexuesit. Ky artikull është shpërndarë në faqen e Facebook-ut “Gazeta Aktive”, e cila numëron rreth 84 mijë ndjekës. Përmes kësaj shpërndarje, artikulli në fjalë ka arritur të gjenerojë trafik të konsiderueshëm në Facebook. Pas verifikimit të fakteve nga hibrid.info, ky artikull kategorizohet si “clickbait” dhe “dezinformatë”.

Share With Others