[email protected]
Konspirohet se shpërthimi në Zubin Potok ka qenë “mashtrim nën skenarin” e Kurtit
shape
shape
shape

Shkroi: Fatbardh Dema

Nëpërmjet publikimit në disa media në Serbi është pretenduar se shpërthimi në Zubin Potok në veri të Kosovës të premten (29 nëntor) ka qenë “mashtrim nën skenarin” e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Pretendimi u bë nga mediumi në gjuhën serbe “alo.rs” më 1 dhjetor e më pas u publikua edhe në media të tjera.

Çka thuhet në këta artikuj?

Pa ofruar asnjë fakt, mediumi serb pretendon se shpërthimi në kanalin e “Ibër-Lepencit” në Zubin Potok ka qenë “sulm i rremë terrorist”.

“Gënjeshtari Albin Kurti ia ka bërë gropën vetes! Para një muaji ai ka paralajmëruar një akt të rremë terrorist dhe me këtë ka konfirmuar se krejt kjo është një mashtrim në skenarin e tij të keq” është titulli i “alo.rs” referuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. “Sulm i rremë terrorist”, shkruhet nën titull.

Në artikull për bazë është marrë një fjali e publikuesit spanjoll “El Mundo” që më 1 dhjetor, tek raportonte për sulmin në veri të Kosovës, shkroi se “Kurti një muaj më herët në një intervistë për ‘El Mundo’ kishte paralajmëruar për përpjekje të mundshme për destabilizim para zgjedhjeve, në të cilat sipas sondazheve, favorite është partia e tij, Vetëvendosje”. Zgjedhjet parlamentare në Kosovë është caktuar të mbahen më 9 shkurt 2025.

Mbi fjalinë e mediumit spanjoll, “alo.rs” ka shkruar se së fundmi “Kryeministri Albin Kurti befasoi publikun me njoftimin e tij për aksion të mundshëm terrorist në Kosovë e Metohi”.“Kjo deklaratë nxiti përplasje dhe zgjoi pluhur në publik, por tani duket se e gjithë situata ka qenë pjesë e strategjisë politike të Kurtit”, thuhet në artikull.

Në artikull thuhet po ashtu se akuzat e Prishtinës ndaj Beogradit për shpërthimin “janë mohuar nga agjencitë botërore”. “Shkaku i shpërthimit aktualisht mbetet i panjohur, por s’ka dëshmi të përfshirjes së Beogradit – ka raportuar Reuters”, shkruan në fund të artikullit të alo.rs.

Përmbajtjen e njëjtë e kanë publikuar edhe “b92.net” dhe “novosti.rs”. Ngjashëm ka publikuar edhe “kurir.rs”.

Artikujt në fjalë nuk ofrojnë asnjë fakt se shpërthimi ka qenë i rremë apo se ka qenë pjesë e ndonjë skenari të Kurtit.


Çka dihet për shpërthimin?

Në mbrëmjen e 29 nëntorit, ka ndodhur një shpërthim në kanalin e ujit të “Ibër-Lepencit” në fshatin Varragë të Zubin-Potokut. Policia e Kosovës ka thënë se për shpërthim është përdorur eksploziv deri në 20 kilogramë. Pas një operacioni policor në veri pas shpërthimit, janë arrestuar tetë të dyshuar dhe është sekuestruar armatim.

Kanali “Ibër-Lepenc” furnizon me ujë nga liqeni i Ujmanit disa qytete të Kosovës dhe Korporatën Energjetike të Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.

Autoritetet e Kosovës e kanë cilësuar shpërthim akt terrorist. Akt terrorist dhe sabotues e ka quajtur edhe Bashkimi Evropian.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka akuzuar Serbinë, e cila ka mohuar akuzat.


Analiza:

Mediumi në gjuhën serbe “alo.rs” ka shkruar më 1 dhjetor se shpërthimi në Zubin-Potok “ka qenë sulm i rremë terrorist”.

Artikulli merr për bazë një deklaratë paralajmëruese të Kurtit për tentime të mundshme për destabilizim para zgjedhjeve. Mediumi në gjuhën serbe pretendon se ajo deklaratë konfirmon se gjithçka “është mashtrim në skenarin e tij të keq”.

Artikulli i njëjtë u publikua edhe në mediume të tjera në gjuhën serbe.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Teori konspirative”.

Arsyetimi:

Vlerësim si “Teori konspirative” marrin ato përmbajtje informative të cilat në vete përmbajnë një përshkrim të rremë ose të paverifikueshëm të një dukurie, ngjarje ose një personi, duke e paraqitur atë si pjesë ose rezultat të një plani të fshehtë (“komplot”). Karakteristikë e këtyre përmbajtje është se ato paraqesin një seri pretendimesh, të paraqitura si fakte, midis të cilave vendosen marrëdhënie shkak-pasojë, pa ofruar ndonjë provë të besueshme.

Share With Others

Translate »