Përmes disa publikimeve në gjuhën serbe në Telegram (shih këtu dhe këtu) pretendohet se ndërprerja e energjisë elektrike në disa lagje të Prishtinës, të hënën (16 nëntor), ndodhi si pasojë e vendimit të Qeverisë së Kosovës për ndalimin e tregtisë së energjisë elektrike me kompanitë nga Serbia.

Çka nuk shkon me pretendimin?
Në këto publikime shpërndahet një video e publikuar nga agjencia e lajmeve Ekonomia Online, e cila mban përshkrimin: “Prishtina në terr, një pjesë e madhe e kryeqytetit mbetet pa rrymë” (shih këtu).

Ajo që nuk sqarohet në këto publikime në Telegram është se nuk ofrohet ndonjë dëshmi që e lidh ndërprerjen e energjisë elektrike në Prishtinë me vendimin e Qeverisë për tregtinë me kompanitë serbe.
FAKTET
Më 16 nëntor 2026, Qeveria e Kosovës miratoi vendimin për ndalimin e tregtimit të energjisë elektrike me ndërmarrjet e identifikuara si të lidhura me Serbinë. Vendimi përfshin blerjen, shitjen, importin dhe eksportin e energjisë elektrike, me disa përjashtime të përcaktuara në vendim (shih këtu).
Në të njëjtën mbledhje, Qeveria miratoi edhe masa emergjente për furnizimin me energji elektrike dhe vendosi obligim të përkohshëm të shërbimit publik ndaj KEK-ut.
Në arsyetimin e këtij vendimi, Qeveria bëri të ditur se njësia B1 e Termocentralit „Kosova B” ishte jashtë funksionit për shkak të punimeve në projektin për elektrofiltra dhe reduktimin e NOx, të financuar nga Bashkimi Evropian.
Sipas Qeverisë, vonesat në këto punime krijonin pasiguri për rikthimin e njësisë në operim me kohë, duke rritur nevojën për import të energjisë elektrike gjatë periudhës së konsumit më të lartë.
Për këtë arsye, Qeveria vendosi që KEK-u të siguronte kapacitetet e nevojshme ndërkufitare për import të energjisë elektrike gjatë periudhës 1–31 dhjetor 2026 (shih këtu).
Ndërkaq, lidhur me ndërprerjen e energjisë elektrike në Prishtinë, “kosovapress.com” (shih këtu) raportoi se pjesë të Lagjes së Spitalit dhe të Mati 1 kishin mbetur pa rrymë. Në raportim thuhej se nuk dihej nëse bëhej fjalë për reduktime apo ndonjë defekt teknik.
Pra, burimet zyrtare dëshmojnë se Kosova po përballet me mungesë të prodhimit të planifikuar të energjisë elektrike për shkak të njësisë B1 jashtë funksionit. Kjo mund të ketë ndikuar në situatën e përgjithshme të furnizimit, por nuk ka dëshmi që e përcakton këtë si shkak të drejtpërdrejtë të ndërprerjes në lagjet e Prishtinës.
Analiza
Publikimet në gjuhën serbe në Telegram e paraqesin vendimin e Qeverisë së Kosovës për ndalimin e tregtisë me kompanitë serbe si shkak të ndërprerjes së energjisë në Prishtinë, por nuk ofrojnë prova për këtë lidhje shkak-pasojë.
Ndërkohë, dokumentet zyrtare tregojnë se Qeveria kishte identifikuar edhe mungesën e prodhimit nga njësia B1 si problem për furnizimin me energji elektrike. Megjithatë, nuk ka dëshmi që e përcakton këtë si shkak të drejtpërdrejtë të ndërprerjes së energjisë elektrike në disa lagje të Prishtinës.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson pretendimin në serbisht si “Dezinformatë”.
Arsyetimi
Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.