Të fundit | Ibri dhe Ujmani si instrument i luftës hibride Të fundit | Si mediat serbe po ndërtojnë narrativa të paqena rreth filmit “Dua” Të fundit | Pretendohet pa fakte se Kurti ka dy emra jopartiakë për president Të fundit | Renditja e Shqipërisë në NCSI nuk nënkupton se vendi është i pari në botë p… Të fundit | Manipulohet përmes nxjerrjes nga konteksti deklarata e Kurtit për Gjykatën… Të fundit | Imazhi që pretendon një takim mes Time Kadrijajt dhe Skender Llugiqit është… Të fundit | Narrativat serbe pas optimizimit gradual të KFOR-it tek ura e Ibrit dhe man… Të fundit | Videoja e aksidentit në Turqi publikohet si ngjarje në Skenderaj Të fundit | Farage pretendoi pasaktë se Suedia dërgon të burgosurit e huaj në Kosovë Të fundit | “Hahaganda” – humori si keqinformim
[ ARTIKULLI ]

Ndërtimi i narrativave serbe për Kosovën përmes deklaratave të një ministreje të Qeverisë së Serbisë

FESTIM RIZANAJ

Në një intervistë të dhënë më 12 korrik 2026 në emisionin “Neispricano” të televizionit serb Kurir TV, Snezhana Paunoviq, ministre e Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale në Qeverinë e Serbisë, ka promovuar disa narrativa mbi Kosovën, luftën e vitit 1998–1999 dhe periudhën e pasluftës.

Gjatë intervistës, Paunoviq ka artikuluar pretendime që paraqesin serbët si viktima kryesore të zhvillimeve në Kosovë, delegjitimojnë rolin e bashkësisë ndërkombëtare dhe relativizojnë politikat e regjimit të Sllobodan Millosheviqit. Këto deklarata ndërtojnë një kornizë interpretimi ku Serbia paraqitet si mbrojtëse e të drejtave të serbëve dhe garantuese e stabilitetit, ndërsa shqiptarët e Kosovës dhe institucionet ndërkombëtare paraqiten si faktorë përgjegjës për pasigurinë e pretenduar dhe ndarjet e pretenduara etnike. Ajo në këtë intervistë ka deklaruar se nëse do të kishte qenë në vendin e Millosheviqit në vitin 1998, do ta kishte pastruar etnikisht Kosovën.

Narrativa 1: Kosova është tokë historike dhe e përjetshme serbe

Narrativa dominuese e intervistës është se Kosova përbën pjesë të pandashme të Serbisë, ndërsa pavarësia e saj konsiderohet një gjendje e përkohshme dhe e imponuar. Kosova paraqitet si “tokë e shenjtë serbe”, e lidhur pazgjidhshmërisht me identitetin historik, kombëtar dhe fetar serb. Në këtë kontekst, rikthimi i saj nën sovranitetin serb trajtohet si një proces i pashmangshëm historik.

“Ka mbetur shumë, por mbi të gjitha ka mbetur fakti se kjo është tokë serbe. Dhe besimi se nuk ekziston asnjë serb që do të ishte në gjendje të nënshkruante se ajo quhet ndryshe… Kosova e Metohia do të jetë sërish pjesë e Serbisë dhe vend për të gjithë ata që duan të jetojnë aty, me vetëdijen se duhet ta respektojnë këtë tokë të shenjtë serbe… Unë do të vazhdoj t’u kujtoj brezave që të mos harrojnë kurrë se sa e shenjtë është kjo për ne dhe se ajo është e jona… Asnjë okupim nuk zgjat përgjithmonë, prandaj nuk do të zgjasë as ky”.

Narrativa 2: Shqiptarët kanë zhvilluar prej dekadash një projekt për spastrimin etnik të serbëve

Intervista më tutje promovon idenë se konflikti në Kosovë nuk nisi në fund të viteve 1990, por është rezultat i një projekti afatgjatë shqiptar për krijimin e “Shqipërisë së Madhe” dhe eliminimin gradual të pranisë serbe. Sipas saj, ky projekt ka filluar që nga Lidhja e Prizrenit dhe është realizuar përmes blerjes së pronave serbe, krijimit të zonave etnikisht homogjene dhe shkatërrimit të trashëgimisë historike serbe.

“Unë nuk e di nëse ajo ka përfunduar ndonjëherë. Që nga Lidhja e Prizrenit dhe dokumentet e tyre strategjike për krijimin e Shqipërisë së Madhe, ajo luftë nuk ka pushuar kurrë… Menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore ata blenë në mënyrë strategjike pronat serbe, duke krijuar zona etnikisht të pastra në Kosovë e Metohi, të cilat më vonë u shndërruan në baza të UÇK-së… Me vetëdije të plotë punuan për të zhdukur autenticitetin, historinë dhe identitetin e serbëve”.

Narrativa 3: UÇK-ja ishte organizatë terroriste dhe Serbia zhvilloi një luftë legjitime kundër terrorizmit

Një nga narrativat qendrore është paraqitja e UÇK-së ekskluzivisht si organizatë terroriste, ndërsa operacionet e forcave serbe përshkruhen si masa legjitime për mbrojtjen e qytetarëve dhe luftimin e terrorizmit. Edhe operacioni në Prekaz justifikohet duke pretenduar se Adem Jashari përdori familjen si mburojë. Në këtë kuadër, krimet e luftës dhe masakrat e kryera nga forcat serbe mbi civilët shqiptarë ose relativizohen, ose rishkruhen plotësisht. Sulmi mbi familjen Jashari në Prekaz paraqitet si një faj i vetë viktimave dhe udhëheqësit të UÇK-së, duke e zhveshur shtetin nga përgjegjësia për vrasjen e grave dhe fëmijëve. Po ashtu, masakrat e njohura botërisht, si ajo e Reçakut, që shërbyen si pikë kthese për ndërhyrjen e NATO-s, cilësohen thjesht si “improvizime” dhe fabrikime mediatike të propagandës perëndimore dhe shqiptare.

“Adem Jashari ishte njeri që, me grupin e tij terrorist, pamundësonte lëvizjen ndërmjet Pejës dhe Prishtinës. Në atë rrugë vriteshin serbë dhe sulmoheshin familje… Pse u vra familja e Adem Jasharit? Sepse ai fshihej pas saj. Ai i sakrifikoi ata… Ne kemi viktima serioze të atyre sulmeve terroriste. Që nga momenti i parë ajo ishte një ushtri e organizuar”.

“Për Raçakun mos të flasim. Danica Marinkoviq është gjallë që të mund të thotë e të flasë me zë të lartë se sa improvizim ishte vetëm ajo”.

Narrativa 4: Serbia ishte viktimë e propagandës ndërkombëtare dhe NATO ndërhyri mbi bazën e manipulimeve

Në intervistë ndërtohet narrativa se ndërhyrja ushtarake e NATO-s kundër Republikës Federale të Jugosllavisë nuk ishte rezultat i shkeljeve të të drejtave të njeriut apo krimeve të luftës, por i një fushate të koordinuar propagandistike kundër Serbisë. Paunoviq pretendon se ngjarjet kryesore që shërbyen si justifikim për ndërhyrjen ndërkombëtare, përfshirë helmimin e nxënësve shqiptarë në vitin 1990 dhe masakrën e Reçakut në vitin 1999, ishin të fabrikuara ose të manipuluara për të krijuar një narrativë që legjitimoi bombardimet e NATO-s. Përmes kësaj qasjeje, përgjegjësia për ndërhyrjen zhvendoset nga veprimet e regjimit të atëhershëm serb, te mediat, aktorët ndërkombëtarë dhe institucionet perëndimore, të cilat paraqiten si pjesë e një fushate të organizuar kundër Serbisë.

“Atëherë kishim situatën kur pretendohej se ata u helmuan papritur nga uji që e pinim të gjithë bashkë… Ajo pamje u dërgua në botë si dëshmi plotësisht e besueshme e helmimit të fëmijëve shqiptarë në Kosovë. Hap pas hapi kjo çoi në bombardimin e një shteti sovran… Asgjë nga ajo që ndodhi si motiv për ndërhyrjen e NATO-s nuk ishte histori reale… Për Reçakun të mos flasim fare, sa improvizim i madh ishte ai”.

Narrativa 5: Serbët janë viktimat kryesore të luftës në Kosovë

Kjo narrativë paraqet serbët si viktimat kryesore dhe të vazhdueshme të luftës në Kosovë, duke ndërtuar perceptimin se komuniteti serb jeton ende në një gjendje pasigurie të ngjashme me periudhën e luftës së vitit 1998–1999. Përmes pretendimeve për rrëmbime, dëbime të organizuara dhe rrezik të vazhdueshëm nga shqiptarët, narrativa synon të krijojë idenë se ekziston një proces i qëllimshëm për ta bërë Kosovën “etnikisht bosh” nga serbët. Kjo kornizë e viktimizimit kolektiv e zhvendos fokusin nga kompleksiteti i konfliktit dhe përgjegjësitë e palëve, duke paraqitur komunitetin serb vetëm si objekt të dhunës dhe presionit sistematik.

“Filluan rrëmbimet, hyrjet me forcë në shtëpi dhe dërgimi i njerëzve në drejtime të panjohura… Populli që jeton sot në Kosovë e Metohi jeton sikur të ishte ende viti 1998 për nga siguria, ose edhe më keq, sikur të ishte korriku i vitit 1999… Është i ekspozuar ndaj mundësisë që çdo budalla lokal shqiptar të shpikë se ai ka marrë pjesë në diçka… Sepse synimi është që Kosova e Metohia të mbetet etnikisht bosh”.

Narrativa 6: KFOR-i dhe bashkësia ndërkombëtare janë okupatorë të Kosovës

Në këtë narrativë, KFOR-i dhe bashkësia ndërkombëtare paraqiten si aktorë të jashtëm që kanë imponuar kontroll mbi Kosovën, duke u përshkruar si “okupatorë” dhe jo si misione ndërkombëtare të vendosura pas përfundimit të luftës. Përmes një interpretimi që e cilëson ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999 si agresion ushtarak dhe praninë ndërkombëtare si vazhdimësi të tij, narrativa synon të delegjitimojë rolin e këtyre aktorëve në periudhën e pasluftës. Ajo ndërton idenë se largimi i KFOR-it dhe institucioneve ndërkombëtare do të shënonte përfundimin e një “okupimi”, duke e paraqitur rendin aktual politik dhe të sigurisë në Kosovë si të imponuar dhe jo si rezultat të zhvillimeve pas konfliktit.

“Në fakt, kjo ishte një okupim tokësor i Kosovës, të cilin nuk arritën ta realizonin përmes sulmit që më vonë e quajtën ‘Engjëlli Mëshirues’… Ata kaluan përmes Koshares falë mentorëve që i ndihmuan që nga fillimi… Do të presim që të largohet edhe KFOR-i, e bashkë me të ndoshta edhe të gjithë ata që erdhën me të. Asnjë okupim nuk zgjat përgjithmonë, prandaj nuk do të zgjasë as ky. Kemi pritur pesëqind vjet që të iknin turqit, kështu që do të presim edhe që të ikë KFOR-i, e bashkë me të edhe të gjithë ata që erdhën me të. Kosmeti do të jetë sërish pjesë e Serbisë dhe një hapësirë për të gjithë ata që duan të jetojnë në të duke respektuar atë tokë të shenjtë serbe”.

Narrativa 7: Sllobodan Millosheviqi ishte mbrojtësi i serbëve dhe u demonizua padrejtësisht

Paunoviq, Sllobodan Milosheviqin e paraqet si një lider që mbrojti interesat dhe sigurinë e serbëve në Kosovë, duke relativizuar ose mohuar përgjegjësinë e politikave të tij gjatë viteve ’90. Përmes portretizimit të tij si një figurë e keqinterpretuar dhe e “demonizuar” padrejtësisht nga faktorët ndërkombëtarë, narrativa synon të zëvendësojë imazhin e tij si përgjegjës për politikat represive me atë të një mbrojtësi të komunitetit serb. Ajo ndërton një dallim mes “politikës së tij” dhe “gabimeve personale”, duke minimizuar pasojat e veprimeve shtetërore nën udhëheqjen e tij dhe duke sfiduar interpretimet historike që e lidhin regjimin e Milosheviqit me luftërat dhe krimet e kryera në ish-Jugosllavi.

“Për serbët në Kosovë e Metohi kjo nuk ishte thjesht një fjali që dikush e tha, por një premtim që Sllobodan Millosheviqi e përmbushi… Nga faktori më i madh i paqes dhe stabilitetit në Ballkan pas Dejtonit, ai u shndërrua në ‘kasapin e Ballkanit’… Politika e Sllobodan Millosheviqit nuk ishte e gabuar. Ndoshta bëri gabime si pasojë e karakterit të tij, por politika e tij nuk ishte e gabuar”.

Narrativa 8: Shqiptarët kanë kryer spastrim etnik ndaj serbëve pas vitit 1999

Pas përfundimit të luftës në Kosovë, kjo narrativë e Paunoviqit e ndërton periudhën e pasvitit 1999 si një fazë të spastrimit të organizuar etnik ndaj serbëve nga shqiptarët, duke e shpjeguar largimin e komunitetit serb si pasojë të drejtpërdrejtë të dhunës, frikësimit dhe shkatërrimit të pronës. Duke u mbështetur në rrëfime personale për humbjen e shtëpive, pasurisë dhe kujtimeve familjare, narrativa synon të krijojë një imazh të një komuniteti të dëbuar sistematikisht nga vendbanimet e tij tradicionale. Përmes këtij interpretimi, ajo redukton kompleksitetin e periudhës së pasluftës në një marrëdhënie të njëanshme viktimë–përgjegjës, duke anashkaluar faktorët e tjerë historikë dhe zhvillimet e shumta që ndikuan në lëvizjet e popullsisë pas konfliktit.

“Filluan rrëmbimet, hyrjet në shtëpi dhe dërgimi i njerëzve në drejtime të panjohura… Babai im e përjetoi shumë rëndë faktin që duhej të largohej… Unë nuk kam asnjë fotografi nga fëmijëria. Perdet mbetën në dritare; ne vetëm e mbyllëm banesën plot dhe u larguam… Kur u ktheva pas pesë ose gjashtë vitesh, në banesë nuk kishte mbetur as edhe një rubinet… Si termitë, kishin marrë gjithçka”.

Narrativa 9: Vetëm Serbia garanton bashkëjetesë dhe të drejta për shqiptarët

Paunoviq e paraqet Serbinë si garantuesen e vetme të stabilitetit, mirëqenies dhe bashkëjetesës ndëretnike në raport me shqiptarët e Kosovës. Përmes pretendimeve se shqiptarët, veçanërisht brezat e rinj, kanë më shumë besim te institucionet serbe sesa te ato të Kosovës, narrativa synon të delegjitimojë shtetësinë dhe institucionet e Kosovës, duke e paraqitur atë si një entitet të paaftë për të ofruar shërbime dhe siguri. Në të njëjtën kohë, ajo ndërton një imazh pozitiv të Serbisë si një sistem më funksional dhe gjithëpërfshirës, duke përdorur shembuj të izoluar të përdorimit të shërbimeve në Beograd për të mbështetur pretendimin se edhe shqiptarët e njohin Serbinë si autoritetin më të besueshëm.

“Brezat e rinj nuk janë më aq të magjepsur pas ideve të Shqipërisë së Madhe… Ata e duan Beogradin dhe e dinë se aty jetohet mirë. Përdorin përfitimet për t’u trajtuar në Beograd. Kanë më shumë besim te sistemi shëndetësor në Beograd sesa te ai në Prishtinë… Prandaj Kosova e Metohia do të mbetet gjithmonë serbe, sepse edhe ata që i përkasin popullit që e mori atë, kanë më shumë besim te Serbia sesa te e ashtuquajtura Kosovë e pavarur”.

Narrativa 10: Serbia është përmbajtur, ndërsa duhej të kishte përdorur masa shumë më të ashpra, “spastrim etnik”

Paunoviq e paraqet Serbinë e viteve ’90 si një aktor që ka treguar “përmbajtje” dhe nuk ka ndërmarrë masa të mjaftueshme ndaj shqiptarëve në Kosovë, duke sugjeruar se politika shtetërore duhej të kishte qenë edhe më e ashpër. Përmes idesë së “spastrimit etnik” dhe paraqitjes së dëbimit të popullsisë si një masë e justifikueshme, narrativa synon të normalizojë veprimet represive të regjimit të atëhershëm. Ajo e ripërkufizon dhunën dhe fushatat kundër popullsisë civile si masa të ligjshme kundër “terroristëve”, duke anashkaluar përgjegjësinë e strukturave shtetërore serbe për shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut dhe krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.

“Po të isha unë Sllobodan Millosheviqi, do ta kisha spastruar etnikisht Kosovën në vitin 1998. Dhe ky është kualifikimi më i ashpër që kam shqiptuar ndonjëherë në jetën time, por jo në atë mënyrë që t’i likuidoj ashtu siç përpiqen ata ta pastrojnë etnikisht Kosovën, por në atë mënyrë që kushdo që nuk ndihet si banor i Republikës Federale të Jugosllavisë ta lëshojë atë dhe të shkojë në vendin e tij amë. Ndërsa ata që kishin zgjedhur veprimet terroriste do të eliminoheshin në mënyrën se si zakonisht luftohet terrorizmi”.

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere