Shkroi: Festim Rizanaj
Nëpërmjet një artikulli është pretenduar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë fushatës elektorale ka kërcënuar me luftë.
Premtimi për investime një miliard euroshe nga Kurti, është interpretuar nga mediumi serb “Informer.rs” si kërcënim për luftë dhe gjakderdhje dhe se me ato armë do të dëbohen serbët nga Kosova. Artikulli u publikua më 2 shkurt me titull “Qëllime shumë të rrezikshme të ekstremistit nga Prishtina – Kurti kërcënon sërish me luftë: Do të blejmë armë për një miliard euro!”

Cila është e vërteta?
Albin Kurti, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, nuk ka kërcënuar me luftë dhe gjakderdhje siç pretendohet. Po ashtu, ai nuk ka thënë se me një miliard euro, siç ka premtuar, do të bëhet blerje e armëve për t’i dëbuar serbët nga Kosova. Ai ka deklaruar se Kosova armatoset për t’u mbrojtur, në rast të sulmit të mundshëm.
Hyrja e artikullit në “informer.rs”:
“Shqiptari ekstremist dhe kryeministri i institucioneve të përkohshme të Prishtinës, Albin Kurti, edhe njëherë ka kërcënuar me luftë dhe gjakderdhje, duke thënë se do t’i shpenzojë një miliard euro për të blerë pushkë me të cilat do të dëbojë serbët nga Kosova”
Artikulli merr për bazë deklarimin e Kurtit në tubimin e Lëvizjes Vetëvendosje në Suharekë, më 28 janar, në kuadër të fushatës për zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit.
Por çfarë tha Kurti?
“Në mandatin e ardhshëm një miliard euro për mbrojtje, për Ushtrinë e Kosovës… Unë do të kisha dëshiruar që të mos jemi të detyruar që një miliard euro t’i japim për mbrojtje për ushtri. Por të dashur qytetarë na ka qëlluar kojshia i keq. E kur e ke kojshinë e keq ka veç një zgjidhje, pushka e mirë. Por jo vetëm pushka e mirë, por edhe pushka plot. Prandaj përveç se kemi blerë drona luftarakë ‘Bayraktarë TB2” nga Turqia dhe sistemin anti-tank ‘Javelin’ nga Amerika e po blejmë helikopterë ‘skifterë të zi’ (Black Hawk) nga Amerika, gjithashtu do ta kemi edhe fabrikën tonë të municionit e do të fillojmë edhe ne vetë të prodhojmë drona ‘made in Kosova’ të cilët do të jenë pjesë e Forcës së Sigurisë së Kosovës. E kësisoj kur të jemi të mbrojtur cep më cep, kur ta kemi kufirin e ruajtur nga ushtria dhe policia jonë, me këtë armatim modern, me këtë municion të shumtë, pa dyshim edhe kojshia i keq, mendon nja dy-tri herë a me na mësy a jo e kur të mendon nja dy-tri herë nuk na mësyn hiq, e më besoni se kjo është mirë edhe për ne, edhe për ata. Për neve është mirë sepse nuk kemi nevojë të luftojmë e edhe për ata është mirë se s’do të kenë nevojë të vdesin”.(Shih këtu)
Pra Kurti nuk ka kërcënuar se Kosova do të dëbojë serbët. Ai ka thënë se Kosova armatoset për të mbrojtur veten. E këtë deklaratë, Kurti e ka përsëritur edhe në raste të tjera. Më 30 qershor 2023, në ceremoninë e diplomimit të gjeneratës së klasës 2023 të kadetëve të Qendrës për Studime Universitare të FSK-së, Kurti kishte thënë se “ne nuk e forcojmë ushtrinë për të sulmuar të tjerët, por për të qenë mjaftueshëm të fortë për ta mbrojtur vetveten”.
Mediat në Serbi dhe zyrtarët në disa raste kanë pretenduar se Kosova synon dëbimin ose frikësimin e serbëve. Asnjëherë nuk janë ofruar fakte për këtë pretendim. (Shih këtu dhe këtu)
Artikulli i “informer.rs” është shpërndarë edhe nga media “alo.rs”.
Analiza:
Mediumi në gjuhën serbe “informer.rs” ka pretenduar se premtimi i Lëvizjes Vetëvendosje dhe Albin Kurtit për investime 1 miliard euro në Ushtrinë e Kosovës bëhet me qëllim për gjakderdhje dhe dëbim të serbëve nga Kosova.
Artikulli i publikuar nuk mbështetet në fakte. Kurti ka thënë se Kosova dëshiron të mbrohet dhe nuk investon për të sulmuar të tjerë.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë artikull si “teori konspirative”.
Arsyetimi:
Vlerësim si “Teori konspirative” marrin ato përmbajtje informative të cilat në vete përmbajnë një përshkrim të rremë ose të paverifikueshëm të një dukurie, ngjarje ose një personi, duke e paraqitur atë si pjesë ose rezultat të një plani të fshehtë (“komplot”). Karakteristikë e këtyre përmbajtje është se ato paraqesin një seri pretendimesh, të paraqitura si fakte, midis të cilave vendosen marrëdhënie shkak-pasojë, pa ofruar ndonjë provë të besueshme.