Shkroi: Festim Rizanaj
Nëpërmjet disa artikujve në gjuhën serbe, kryetari i ri i New Yorkut, Zohran Mamdani, është pretenduar se është lobist apo mbështetës i idesë së “Shqipërisë së Madhe”.
Publikimi u bë në disa media në gjuhën serbe, që e kanë ndërlidhur pretendimin me një fotografi në të cilën Mamdani shihet tek bën shqiponjën me duar.
Përse po trajtohet kjo përmbajtje?
Mediumet në gjuhën serbe që janë marrë me këtë çështje, nuk kanë ofruar asnjë bazë për pretendimin e tyre.
“KRYETARI I NEW YORKUT BËN SHQIPONJËN! Gjest skandaloz i Zohran Mamdanit, mbështet ‘Shqipërinë e Madhe!” mban titullin publikimi i mediumit në gjuhën serbe “alo.rs” më 7 nëntor.
Në artikull përmendet se Mamdani e ka bërë shqiponjën gjatë fushatës për zgjedhjet. Aty shqiponja konsiderohet si “simbol i Shqipërisë së Madhe”, dhe që përfaqëson shqiponjën dykrenore të flamurit shqiptar.
“Shqiptarët nëpër botë e përdorin shpesh për të shprehur identitetin kulturor, por edhe për qëllime provokimi”, thuhet ndër të tjera në artikull.
Aty është thënë se nuk është bërë publike ngjarja se ku e ka bërë shqiponjën Mamdani, por vetëm se fotografia e tij është bërë virale në rrjete sociale.
E njëjta përmbajtje është publikuar në portalin “republika.rs”, por me titull “I NERVOZOI SERBËT, BËN SHQIPONJËN SHQIPTARE! Sjellje skandaloze e të parit të New Yorkut – shokon kryetari i ri”.
Ndërkaq, gazeta “Srpski Telegraf”, pronë e të njëjtës shtëpi mediatike me “republika.rs” në ballinën e gazetës të 8 nëntorit ka publikuar fotografinë e Mamdanit bërë shqiponjën. “Lobisti i Shqipërisë së Madhe në krye të New Yorkut”, mban titullin kryesor gazeta. Ndërsa në mbititull është shtruar pyetja se “a ka marrë miliona para të pista?”

–
Çështjen e simbolit të shqiponjës nga Mamdani e ka publikuar edhe “kurir.rs”. Ky medium po ashtu e ka cilësuar skandaloze sjelljen e kryetarit të ri të New Yorkut, teksa në titull ka shtuar se “Kryebashkiaku i ri ka zgjedhur anë”. Në artikull thuhet se simboli i shqiponjës urrehet nga serbët dhe sipas pretendimit “përdoret nga shqiptarët për t’i fyer dhe provokuar serbët”.
“Zohran u pranua me entuziazëm nga shqiptarët, sidomos sepse ai u solidarizua hapur me ta në këtë mënyrë dhe veçanërisht për shkak se është mysliman, që i bëri shumë shqiptarë të lumtur”, thuhet në artikull ndër të tjera.
Shqiponjën e bërë nga Mamdani e ka quajtur skandaloze edhe mediumi “b92.net”.
Narrativa e vazhdueshme:
Narrativi i “Shqipërisë së Madhe” shpesh përdoret nga mediat në gjuhën serbe dhe zyrtarët serbë për të kritikuar apo portretizuar si kërcënim çdo ngjarje, festë apo iniciativë që ata interpretojnë si një përpjekje për bashkimin e territoreve me shqiptarë në një shtet të vetëm. Ky narrativ shfaqet veçanërisht në kontekste që lidhen me simbolet dhe identitetin kombëtar shqiptar. Për më tepër, ky narrativ është shpesh i pranishëm gjatë ngjarjeve që simbolizojnë forcimin e lidhjeve shqiptaro-shqiptare, si festa kombëtare, përkujtimore dhe takime zyrtare që kanë si qëllim përmirësimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit në rajon. Ideja e “Shqipërisë së Madhe” sipas pretendimeve implikon bashkimin e territoreve me shqiptarë në rajon, në një shtet të vetëm (shih trajtimet e mëhershme nga hibrid.info këtu, këtu, këtu, këtu dhe këtu)
Renditja e fakteve:
Mamdani pati njoftuar për takim me komunitetin shqiptar në qarkun Staten Island në New York në fushatë më 6 tetor.
“Komuniteti mysliman shqiptar në Staten Island ka qenë gjithmonë një forcë në sipërmarrje dhe shërbim. Jam mirënjohës që pata mundësinë të takohesha me udhëheqësit lokalë për të diskutuar se si administrata ime synon të mbështesë bizneset e vogla dhe t’i japë çdo komuniteti një vend të vërtetë në tryezë”, pati shkruar ai në X duke publikuar disa fotografi nga takimi.
Dy ditë më pas, fotografi nga ky takim ka postuar llogaria “theerzengashi” në Instagram. E një prej fotografive, e shfaq Mamdanin duke bërë shqiponjën me një person tjetër.
Më 4 nëntor, Mamdani fitoi zgjedhjet në New York. (shih këtu)
Pas fitores, fotografia me shqiponjë u shpërnda në media sociale. E autori i saj, Erzen Gashi, në një deklaratë për “top-channel.tv” ka përshkruar momentin e bërjes së shqiponjës nga Mamdani.
“Ka shokë shqiptarë, e ka parë që bëjnë shqiponjën ashtu. Edhe djali që është në foto me të i ka thënë a po e bëjmë shqiponjën për një foto? Edhe ashtu e ka lëshuar vetë”, ka thënë Gashi.
Hibrid.info ka kërkuar përmes motorit online të kërkimit me fjalët “Zohran Mamdani Greater Albania (Shqipëria e Madhe)”. Kërkimi nuk ka çuar në ndonjë burim kredibil i cili tregon se Mamdani ka folur për këtë çështje.
Analiza:
Disa media në gjuhën serbe kanë publikuar pretendimin se kryetari i ri i New Yorkut, Zohran Mamdani, është lobist ose mbështetës i idesë së “Shqipërisë së Madhe”, duke u mbështetur vetëm në një fotografi në të cilën ai shihet duke bërë simbolin e shqiponjës me duar gjatë një takimi me komunitetin shqiptar në Staten Island gjatë fushatës.
Këto media e kanë interpretuar shqiponjën si simbol të projektit për “Shqipërinë e Madhe”, pa ofruar asnjë provë apo deklaratë të Mamdanit që ta mbështesin këtë pretendim.
Momenti i shkrepjes së fotografisë, sipas autorit që e ka shkrepur, nuk ka pasur lidhje aspak me ndonjë pretendim të ngjashëm si ai i mediave serbe.
Mediat në gjuhën serbe shpesh përdorin narrativën e konceptit të “Shqipërisë së Madhe” për t’i paraqitur shqiptarët si kërcënim dhe për të politizuar gjeste simbolike kulturore.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info këtë pretendim e vlerëson si “teori konspirative”.
Arsyetimi:
Vlerësim si “Teori konspirative” marrin ato raportime mediatike të cilat shpërndajnë një përshkrim të rremë ose të paverifikueshëm të një dukurie, ngjarje ose një personi, duke e paraqitur atë si pjesë ose rezultat të një plani të fshehtë (“komplot”). Karakteristikë e këtyre raportimeve është se ato paraqesin një seri pretendimesh, të paraqitura si fakte, midis të cilave vendosen marrëdhënie shkak-pasojë, pa ofruar ndonjë provë të besueshme.



