Gjatë monitorimit të sferës keqinformuese gjatë periudhës 7–12 shtator 2026, është konstatuar se manipulimi i fakteve ka qenë kategoria më e pranishme e keqinformimit, ndërsa janë evidentuar edhe raste të lajmit të rremë, mashtrimit dhe clickbait-it.
Gjatë kësaj periudhe, përmbajtjet keqinformuese janë publikuar kryesisht në rrjetet sociale, veçanërisht në Facebook dhe TikTok, dhe kanë trajtuar tema të ndryshme politike dhe shoqërore. Një pjesë e rasteve kanë pasur në fokus figura politike, institucionet e Kosovës dhe zhvillimet politike, ndërsa raste të tjera kanë përdorur përmbajtje të vjetra ose të krijuara me inteligjencë artificiale për t’i paraqitur ato si ngjarje aktuale në Kosovë.
Manipulimi i fakteve është evidentuar në tri raste. Një video e publikuar në TikTok paraqiste një kamion që përplaset në një gropë gjatë kalimit në një rrugë të përmbytur, duke pretenduar se pamjet tregojnë gjendjen e rrugëve në Kosovë. Megjithatë, përmes “InVID” dhe “Google Lens” u gjet se videoja ishte publikuar më herët në mediat indoneziane dhe paraqiste një ngjarje të ndodhur në Indonezi në gusht të vitit 2023. Një tjetër rast lidhej me artikuj në gjuhën serbe, të cilët i paraqitën stërvitjet e KFOR-it në Kampin Bondsteel dhe në afërsi të Deçanit si përgatitje për trazira të reja në Kosovë dhe si reagim ndaj pretendimeve për keqtrajtim të serbëve nga shqiptarët. Megjithatë, në njoftimet zyrtare të KFOR-it nuk përmenden trazira të pritshme apo një kërcënim i tillë, ndërsa stërvitjet përshkruhen si aktivitete për rritjen e gatishmërisë dhe reagimin ndaj situatave emergjente. Në rastin e tretë, një deklaratë iu atribuua në mënyrë të rreme Dejona Mihalit, duke paraqitur si citat të saj pretendimin se “nuk është problem Lista Serbe, por nënkryetarët e PDK-së dhe LDK-së”. Verifikimi i deklarimit të saj tregoi se Mihali kishte folur për kushtëzimin e votimit të nënkryetarëve me funksionimin e institucioneve, por nuk e kishte përmendur Listën Serbe.
Lajm i rremë është evidentuar në një rast që lidhet me rregullat e hyrjes në Kosovë për shtetasit e Shqipërisë. Në Facebook u publikua pretendimi se nga 7 shtatori shtetasit shqiptarë nuk do të mund të hynin në Kosovë pa pasaportë. Megjithatë, në dokumentet zyrtare nuk u gjet ndonjë vendim që përcaktonte ndryshimin e këtyre rregullave, ndërsa marrëveshjet në fuqi u mundësojnë shtetasve shqiptarë të udhëtojnë në Kosovë me letërnjoftim të vlefshëm.
Clickbait është evidentuar në një rast tjetër, ku faqet “Prishtina City” dhe “lajmi.tv” publikuan mbishkrime që pretendonin se do të ndaheshin “1 mijë euro për çdo të porsalindur”. Mbishkrimet nuk tregonin vendin ku ishte marrë vendimi, duke krijuar mundësi që audienca shqipfolëse ta kuptonte si masë të ndërmarrë në Kosovë. Artikujt e bashkangjitur sqaronin se bëhej fjalë për një vendim të Bashkisë së Kallitheas në Athinë të Greqisë.
Mashtrimet gjatë kësaj periudhe janë evidentuar përmes përmbajtjeve të krijuara ose të manipuluara me inteligjencë artificiale. Një imazh i publikuar në TikTok paraqiste në mënyrë të rreme Albin Kurtin, në një moshë më të hershme, pranë një gruaje në një stacion treni në Beograd, duke pretenduar se bëhej fjalë për “dashnoren serbe Lidija Sokoloviq”. Analiza përmes “HiveModeration” tregoi një probabilitet prej 96.7% që imazhi të ishte i gjeneruar me IA dhe 64.5% si Deepfake.
Manipulim i fakteve
Një video e publikuar në TikTok nga llogaria “infopointstar” pretendonte se shfaqte gjendjen e rrugëve në Kosovë, duke paraqitur një kamion që has në një gropë gjatë kalimit në një rrugë të përmbytur. Përmes “InVID” dhe “Google Lens” u gjet një artikull i publikuar në vitin 2023 në një media indoneziane, i cili kishte përdorur pamje nga e njëjta video. Hulumtimi tregoi se bëhej fjalë për një ngjarje të ndodhur në Indonezi në gusht të vitit 2023 dhe jo në Kosovë (shih këtu).
Në mediat në gjuhën serbe “vaseljenska.net” dhe “in4s.net” u publikuan artikuj që pretendonin se stërvitjet e KFOR-it në Kampin Bondsteel dhe në afërsi të Deçanit ishin përgatitje për trazira të reja në Kosovë dhe lidheshin me pretendimet për keqtrajtim të serbëve nga shqiptarët. Verifikimi i njoftimeve zyrtare të KFOR-it tregoi se këto aktivitete kishin të bënin me ushtrime për mbrojtjen e bazës, menaxhimin e viktimave në masë, transportin dhe evakuimin e personelit dhe reagimin ndaj situatave emergjente. Në njoftimet e KFOR-it nuk përmenden trazira të pritshme, keqtrajtim i serbëve apo ndonjë kërcënim i tillë (shih këtu).
Një tjetër përmbajtje, e publikuar në Facebook nga faqja “Jepi zë”, i atribuonte Dejona Mihalit deklaratën se “nuk është problem Lista Serbe, por nënkryetarët e PDK-së dhe LDK-së”. Megjithëse Mihali kishte shkruar për kushtëzimin e votimit të nënkryetarëve të Kuvendit me një marrëveshje më të gjerë për funksionimin e institucioneve, në deklarimin e saj nuk ishte përmendur Lista Serbe. Për shkak se një interpretim i autorit ishte paraqitur si citat i drejtpërdrejtë i saj, përmbajtja u vlerësua si manipulim i fakteve (shih këtu).
Lajm i rremë
Në Facebook u publikua pretendimi se nga 7 shtatori 2026 qytetarët nga Shqipëria nuk mund të hynin në Kosovë pa pasaportë. Përmbajtja u publikua nga faqet “Fshati Duhël Therandë” dhe “Arbër Hoxha”. Verifikimi i dokumenteve zyrtare dhe marrëveshjeve në fuqi tregoi se nuk kishte ndonjë vendim që përcaktonte një ndryshim të tillë. Shtetasit shqiptarë vazhdojnë të mund të udhëtojnë në Kosovë me letërnjoftim të vlefshëm (shih këtu).
Clickbait
Faqet në Facebook “Prishtina City” dhe “lajmi.tv” publikuan përmbajtje me mbishkrimet “LAJMI I FUNDIT 1 MIJË EURO PËR KËTË KATEGORI” dhe “LAJMI I FUNDIT / FANTASTIKE / 1 mijë euro për çdo të porsalindur”. Në mbishkrime nuk ishte treguar vendi ku ishte marrë vendimi. Artikujt e bashkangjitur sqaronin se bëhej fjalë për një vendim të Bashkisë së Kallitheas në Athinë, Greqi. Duke pasur parasysh se faqet kanë audiencë të gjerë shqipfolëse dhe publikojnë kryesisht përmbajtje që lidhen me Kosovën dhe hapësirat shqiptare, mungesa e këtij konteksti mund të krijonte përshtypjen se vendimi ishte marrë në Kosovë (shih këtu).
Mashtrim
Në TikTok u publikua një imazh që paraqiste Albin Kurtin pranë një gruaje në një stacion treni në Beograd, me pretendimin se gruaja ishte “dashnorja serbe Lidija Sokoloviq”. Imazhi u publikua nga llogaria “infofakte10” dhe më pas u gjet edhe në Facebook. Për shkak të elementeve të panatyrshme në imazh, ai u analizua përmes platformës “HiveModeration”. Analiza tregoi një probabilitet prej 96.7% për gjenerim me inteligjencë artificiale dhe 64.5% për Deepfake. Platforma identifikoi gjithashtu disa burime të mundshme të gjenerimit të imazhit (shih këtu).