Të fundit | Paralajmërimi “Mos planifikoni udhëtime me aeroplan për në Evropë” është i… Të fundit | Perspektivat nordike për luftimin e dezinformimit dhe forcimin e reziliencë… Të fundit | Autoritetet e rreme publike të gjeneruara me AI si formë e re e çrregullimi… Të fundit | Pretendim i rremë për shembje ndërtese, përmbajtja tregon tjetër ngjarje Të fundit | Si (s’)erdhën Marco Rubio dhe Ivanka Trump në Shqipëri Të fundit | Mediat në serbisht e paraqesin viktimën kosovare në Austri si shtetas të Se… Të fundit | Pretendohet pa fakte se Policia e Kosovës rrahu fëmijë serbë në Jarinjë Të fundit | Raporti monitorues i keqinformimit për muajin mars 2026 Të fundit | Pretendohet pa fakte për rritje 40% të çmimit të ujit të ambalazhuar Të fundit | Rishikimi i javës: Pretendime për konfiskimin e pronave të Vjosa Osmanit dh…
[ ARTIKULLI ]

Narrativat e Serbisë për zgjedhjet lokale në Kosovë: nga mobilizimi etnik te viktimizimi politik

HIBRID

Shkroi: Festim Rizanaj

Zgjedhjet lokale të 12 tetorit në Kosovë janë shoqëruar me një fushatë intensive propagandistike nga udhëheqësit politikë të Serbisë, të cilët kanë përvetësuar procesin zgjedhor si një betejë politike dhe identitare, duke e kthyer pjesëmarrjen e serbëve në një akt besnikërie ndaj Beogradit. Diskursi publik serb gjatë fushatës është ndërtuar mbi narrativat e mbijetesës kombëtare, viktimizimit të komunitetit serb dhe legjitimitetit ekskluziv të Listës Serbe si e vetmja përfaqësuese e “vullnetit të serbëve në Kosovë”. Përmes këtyre mesazheve, zgjedhjet janë paraqitur më shumë si referendum për Serbinë sesa si proces demokratik vendor në Kosovë.

Narrativat kryesore:

  • Zgjedhjet në Kosovë paraqiten si çështje kombëtare dhe ekzistenciale për serbët, jo si proces demokratik.
  • Votimi për Listën Serbe identifikohet me besnikërinë ndaj Serbisë dhe presidentit Aleksandar Vuçiq.
  • Qeveria e Kosovës dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, paraqiten si kërcënim ndaj ekzistencës së serbëve dhe shembull i “dhunës institucionale”.
  • Serbia shfaqet si mbrojtëse dhe garantuese e të drejtave të serbëve, duke përdorur premtime për punësim e ndihma ekonomike.
  • Diskursi publik ndërtohet mbi një retorikë të viktimizimit dhe mobilizimit etnik, me theks te uniteti “nën një flamur të vetëm serb”.

Narrativat e zyrtarëve serbë lidhur me zgjedhjet lokale të 12 tetorit

Zgjedhjet lokale të 12 tetorit në Kosovë janë shoqëruar me një ndërhyrje të dukshme politike nga Serbia, ku udhëheqësit e saj kanë ndërtuar një narrativë që e lidh pjesëmarrjen e serbëve në votime me mbijetesën kombëtare dhe identitetin e tyre kolektiv. Përmes kësaj qasjeje, procesi zgjedhor është paraqitur jo si një e drejtë demokratike individuale, por si një detyrim politik dhe etnik ndaj Beogradit.

Miloš Vuçeviq, kryetar i Partisë Progresive Serbe (SNS) dhe këshilltar i presidentit serb Aleksandar Vuçiq, deklaroi se votimi për Listën Serbe është “dëshmi e fuqisë legjitime të popullit serb” dhe një mënyrë për të kundërshtuar ata “që duan Kosovë pa serbë”.

Në të njëjtën linjë, Arno Gujon, drejtor i Zyrës për Diplomaci Publike dhe Kulturore në qeverinë serbe,  theksoi se fitorja e Listës Serbe është “garancia që zëri i popullit serb do të dëgjohet”, duke e lidhur përfaqësimin politik vetëm me një subjekt të caktuar.

Ndërkaq, Petar Petkoviq, shefi i zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, e quajti procesin “çështje gjithëkombëtare” dhe kërkoi bashkim “nën një flamur të vetëm serb”, duke akuzuar kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, se po përpiqet të zhdukë serbët nga Kosova.

Po ashtu, Petkoviq më 7 tetor, i cilësoi zgjedhjet lokale të 12 tetorit në Kosovë si vendimtare për mbijetesën politike dhe kombëtare të serbëve, duke u bërë thirrje atyre të votojnë për Listën Serbe si “përfaqësuesin e vetëm legjitim” të komunitetit. Ai akuzoi kryeministrin Albin Kurti për “dhunë institucionale” dhe përpjekje për të dëbuar serbët nga veriu, duke e paraqitur procesin zgjedhor si një betejë kundër politikës “pa serbë, pa probleme”. Petkoviq theksoi se Serbia po mbështet financiarisht dhe institucionalisht komunitetin serb në Kosovë dhe se vota për Listën Serbe është, sipas tij, mënyra për të treguar besnikëri ndaj Beogradit dhe presidentit Aleksandar Vuçiq.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq, gjatë javës së fundit të fushatës, ka theksuar lidhjen emocionale dhe ekonomike të Serbisë me serbët në Kosovë, duke njoftuar hapjen e 400 vendeve të reja pune në sektorin e shëndetësisë. Ai paralajmëroi gjithashtu një marsh në Beograd më 11 tetor në mbështetje të serbëve të Kosovës, duke e paraqitur si akt solidariteti kombëtar. Kjo qasje e lidh fushatën elektorale në Kosovë me diskursin nacionalist të brendshëm në Serbi, duke rritur tensionet ndaj institucioneve të Kosovës.

Pas kësaj deklarate, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, paralajmëroi se veprimet e Beogradit para zgjedhjeve lokale përbëjnë kërcënim serioz për demokracinë dhe sovranitetin e Kosovës. Ai akuzoi Serbinë për ndërhyrje të drejtpërdrejtë në procesin zgjedhor përmes premtimeve për punësim, mbështetjes financiare dhe propagandës në favor të Listës Serbe. Kurti kritikoi Bashkimin Evropian për mungesë reagimi ndaj këtyre ndërhyrjeve, duke theksuar se sjellja e Serbisë “është më e rëndë se ajo e Rusisë në Evropë”.

Në reagim ndaj paralajmërimit të kryeministrit Kurti, Petar Petkoviq shkroi në platformën X se “Beogradi nuk po ndërhyn në zgjedhjet në Kosovë, sepse Kosova është Serbi”, duke e akuzuar Kurtin për “dhunë institucionale” dhe “terror ndaj serbëve në veri” – një narrativë e përsëritur dhe e pambështetur në fakte. Ai u bëri thirrje serbëve të Kosovës dhe atyre të zhvendosur në Serbi të kthehen për të votuar për Listën Serbe, duke e paraqitur këtë si “detyrim kombëtar për rikthimin e komunave veriore nën kontrollin serb”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në prag të zgjedhjeve lokale në Kosovë, gjatë një takimi me kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, kishte ngritur shqetësime për “ndërhyrje të drejtpërdrejtë nga Serbia” në procesin zgjedhor. Osmani e bëri deklaratën pas komenteve të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili në një paraqitje televizive në kanalin “Pink” premtoi hapjen e 400 vendeve të reja të punës për serbët në Kosovë.

Petar Petkoviq ka reaguar të enjten mbrëma (9 tetor) ndaj deklaratave të presidentes Osmani, se ka formë të ndërhyrjes së drejtpërdrejtë të Serbisë në zgjedhjet lokale të 12 tetorit në Kosovë. Në një postim në platformën “X” (ish-Twitter), Petar Petkoviq kundërshtoi deklaratën e presidentes Osmani, duke e quajtur atë dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, “sinonim të vjedhjes së zgjedhjeve”.

Të premten, më 10 tetor, presidenti serb Aleksandar Vuçiq publikoi një video në Instagram, ku u bëri thirrje serbëve të Kosovës të votojnë për Listën Serbe në zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Ai theksoi se kjo listë përfaqëson interesat e popullit serb dhe nuk merr urdhra “as nga Kurti, as nga ambasadat e huaja”. Vuçiq e paraqiti pjesëmarrjen në votime si akt që mbron identitetin dhe shtetësinë serbe, duke e quajtur komunitetin serb në Kosovë “heroik” përballë, siç tha ai, “terrorizmit të vazhdueshëm që nga viti 2000”.

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere