Të fundit | Rishikimi i javës: Pretendime dezinformuese për aktgjykimin në Hagë, përmba… Të fundit | Titulli nuk tregon se paga minimale deri në 1400 euro vlen për Malin e Zi Të fundit | “Ma sollën një dash dhe më thanë t’i fryeja në […]” – audioja e gjeneruar m… Të fundit | Mediat serbe për aktgjykimin e Hagës ndaj ish-krerëve të UÇK-së: nga “dënim… Të fundit | Media ruse e serbe paraqesin rrejshëm protestën në Tiranë si “trazira” për… Të fundit | Pretendohet pabazë se Albin Kurti është vlerësuar pozitivisht në raportimet… Të fundit | Manipulohet fotografia e protestës së vitit 2022, i ndryshohet mbishkrimi n… Të fundit | Deklarata e vjetër e Musliut mundohet të paraqitet si reagim pas vendimit n… Të fundit | Vrasja e Xhemail Mustafës paraqitet rrejshëm si pjesë e aktgjykimit të Hagë… Të fundit | Bosnitch shtrembëron faktet për sulmet e autobusëve në Kosovë më 1999 dhe 2…
[ ARTIKULLI ]

Rishikimi i javës: Pretendime dezinformuese për aktgjykimin në Hagë, përmbajtje të manipuluara dhe clickbait

ETRIT REXHEPI

Gjatë monitorimit të sferës keqinformuese gjatë periudhës 14–19 shtator 2026, është konstatuar se dezinformata ka qenë kategoria më e pranishme e keqinformimit, ndërsa janë evidentuar edhe raste të manipulimit të fakteve, clickbait-it, mashtrimit, lajmit të rremë dhe përmbajtjes së paverifikuar.

Gjatë kësaj periudhe, përmbajtjet keqinformuese janë publikuar kryesisht në rrjetet sociale, veçanërisht në Facebook, TikTok dhe Telegram, ndërsa disa prej pretendimeve janë publikuar ose amplifikuar edhe nga portale në gjuhën serbe. Një pjesë e konsiderueshme e rasteve kanë pasur në fokus aktgjykimin e 16 shtatorit ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Në raste të tjera janë përdorur deklarata të vjetra, njoftime institucionale dhe materiale të manipuluara për të krijuar interpretime të pasakta.

Dezinformata është evidentuar në pesë raste. Në disa prej tyre janë bërë pretendime të pabazuara për rezultatin e aktgjykimit, ndërsa në raste të tjera deklarata të analistëve janë paraqitur si qëndrime të politikanëve, ose ngjarje që nuk kanë qenë pjesë e procesit gjyqësor janë paraqitur si të tilla. Një tjetër rast lidhej me protestën në Tiranë, e cila u paraqit në disa media si protestë e shkaktuar nga aktgjykimi në Hagë, ndonëse raportimet e mediave shqiptare e lidhnin protestën me zhvillimet politike të brendshme në Shqipëri.

Manipulimi i fakteve është evidentuar në tri raste. Një prej tyre lidhej me pretendimet për sulmet ndaj autobusëve në Kosovë më 1999 dhe 2001, ku faktet për dy ngjarje të dokumentuara u paraqitën në mënyrë të shtrembëruar. Dy raste të tjera kishin të bënin me masat e sigurisë para 16 shtatorit. Në njërin rast, masat e Policisë së Kosovës u paraqitën si tregues se ish-krerët e UÇK-së do të dënoheshin rëndë, ndërsa në tjetrin një njoftim i Ambasadës së SHBA-së për shmangien e zonave të demonstratave u paraqit si thirrje e përgjithshme për qytetarët që të mos i dërgonin fëmijët në shkollë.

Clickbait është evidentuar në tri raste. Një titull për rritjen e pagës minimale në Mal të Zi nuk e specifikonte shtetin, ndërsa dy raste të tjera lidhen me deklarata të vjetra të Ganimete Musliut dhe avokatit të Hashim Thaçit, të cilat u ripublikuan në ditët e aktgjykimit duke krijuar përshtypjen se bëhej fjalë për reagime ose zhvillime të reja.

Mashtrimi është evidentuar në dy raste. Një video përdorte pamje reale nga procesi gjyqësor në Hagë, por i kombinonte ato me një audio të gjeneruar me inteligjencë artificiale, e cila paraqitej si dëshmi e një dëshmitari. Në rastin tjetër, një fotografi e një proteste të vitit 2022 ishte manipuluar duke i ndryshuar tekstin një pankarte.

Lajm i rremë është evidentuar në një rast që lidhet me pretendimin se mediat austriake kishin vlerësuar pozitivisht Albin Kurtin. Ndërsa përmbajtje e paverifikuar është evidentuar në një pretendim për bojkotimin e Kombëtares së Kosovës nga disa futbollistë.

Dezinformatë

Në TikTok u publikua një imazh me pretendimin se vetëm dy nga katër ish-krerët e UÇK-së do të liroheshin më 16 shtator dhe se në Kosovë do të kishte “luftë qytetare”. Para shpalljes së aktgjykimit, Dhomat e Specializuara kishin bërë publike vetëm datën dhe orën e shpalljes së vendimit dhe nuk kishin njoftuar për rezultatin e procesit. Edhe paralajmërimet e Policisë së Kosovës dhe institucioneve të tjera për 16 shtatorin lidheshin me masat e sigurisë dhe demonstratat, dhe jo me ndonjë informacion të konfirmuar për rezultatin e gjykimit (shih këtu).

Në Telegram u publikua pretendimi se Albin Kurti kishte pranuar që Hashim Thaçi të bëhej president i Kosovës nëse lirohej nga Dhomat e Specializuara. Verifikimi tregoi se një deklaratë e ngjashme ishte bërë nga analisti politik Xhavit Drenori më 12 shtator, i cili kishte shprehur mendimin e tij për atë se çfarë mund të ndodhte në rast të lirimit të Thaçit. Nuk u gjet dëshmi se Kurti kishte bërë një deklaratë ose marrëveshje të tillë. Gjithashtu, nuk u konfirmua se mediat në gjuhën shqipe kishin raportuar për një marrëveshje të tillë më 16 shtator (shih këtu).

Një tjetër përmbajtje e publikuar në Facebook, në ditën e shpalljes së aktgjykimit, paraqiste vrasjen e Xhemajl Mustafës sikur të ishte pjesë e vendimit të Hagës. Në publikim thuhej se “13 vjet për vrasjen e Xhemajl Mustafës janë pak”, duke krijuar përshtypjen se dënimi 13-vjeçar i Rexhep Selimit lidhej me këtë vrasje. Megjithatë, vrasja e Mustafës nuk ishte pjesë e procesit gjyqësor në Hagë dhe aktgjykimi nuk e dënon Selimin për këtë vepër (shih këtu).

Në disa media në gjuhën serbe, protesta e 17 shtatorit në Tiranë u paraqit si protestë e shkaktuar nga aktgjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Verifikimi i raportimeve të mediave shqiptare tregoi se protesta ishte pjesë e një serie protestash kundër qeverisë së Edi Ramës, ndërsa përplasjet me policinë ndodhën pasi protestuesit tentuan të kalonin barrierat policore. Në të njëjtën periudhë kishte pasur edhe reagime në Shqipëri lidhur me aktgjykimin në Hagë, por nuk u gjetën dëshmi se përplasjet e 17 shtatorit ishin shkaktuar nga vendimi i gjykatës (shih këtu).

Një tjetër rast lidhej me një publikim ku deklarata e avokatit të Hashim Thaçit, Luka Mishetiq, “Hashim Thaçi është i pafajshëm”, u paraqit si “lajmi i fundit nga Haga”. Në fakt, deklarata ishte bërë gjatë fjalës përmbyllëse të mbrojtjes më 11 shkurt 2026 dhe nuk përbënte vendim të Dhomave të Specializuara për pafajësinë e Thaçit. Përmbajtja u publikua në prag të aktgjykimit duke krijuar përshtypjen se bëhej fjalë për një zhvillim të ri gjyqësor (shih këtu).

Manipulim i fakteve

John Bosnitch publikoi pretendime për dy sulme ndaj autobusëve në Kosovë, duke i lidhur ato me NATO-n dhe duke paraqitur të dhëna të pasakta për viktimat dhe përgjegjësit. Në rastin e Lluzhanit, NATO-ja kishte pranuar se autobusi ishte goditur gjatë një sulmi ajror ndaj një ure, por shifrat e viktimave të paraqitura nga Bosnitch nuk përputheshin me burimet e dokumentuara. Ndërsa për sulmin në Livadicë, autobusi ishte goditur nga një mjet shpërthyes dhe Florim Ejupi ishte dënuar fillimisht për terrorizëm, por dënimi ishte rrëzuar më vonë nga Gjykata Supreme për shkak të pamjaftueshmërisë së provave. Nuk u gjetën prova që NATO-ja kishte mbështetur sulmin (shih këtu).

Një përmbajtje e publikuar në Facebook nga faqja “Kosova Report” përdorte njoftimet për masat e sigurisë së Policisë së Kosovës para 16 shtatorit për të pretenduar se kishte gjasa që ish-krerët e UÇK-së të dënoheshin rëndë. Verifikimi i njoftimeve të Policisë së Kosovës tregoi se masat kishin të bënin me menaxhimin e demonstratave, mundësinë e grumbullimeve dhe parandalimin e incidenteve. Në këto njoftime nuk thuhej se Policia kishte informacion për rezultatin e aktgjykimit apo se katër ish-krerët do të dënoheshin rëndë (shih këtu).

Përmes një postimi në Facebook u pretendua se Ambasada e SHBA-së në Prishtinë u kishte bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të mos i dërgonin fëmijët në shkollë më 16 shtator. Në njoftimin e Ambasadës për demonstratat e planifikuara thuhej se qytetarët duhej të shmangnin zonat ku zhvilloheshin protestat dhe të kufizonin udhëtimet nëse rrugët kalonin nëpër zonat e prekura. Ndërsa këshilla për të mos i dërguar fëmijët në shkollë i drejtohej personelit të Qeverisë së SHBA-së, për shkak të pengesave të mundshme në trafik, dhe jo të gjithë qytetarëve të Kosovës (shih këtu).

Clickbait

Faqet në Facebook “Trendi.info”, “Gazeta 114” dhe “Gazeta Diaspora” publikuan mbishkrime ku thuhej “Nga 1 janari rroga minimale deri 1400 euro”, pa treguar se bëhej fjalë për Malin e Zi. Sipas njoftimeve zyrtare të këtij shteti, nga janari 2027 paga minimale neto pritet të jetë nga 1,000 deri në 1,400 euro, varësisht nga niveli i arsimit. Mungesa e përcaktimit të shtetit në mbishkrim mund të krijonte përshtypjen se bëhej fjalë për një vendim në Kosovë (shih këtu).

Një deklaratë e Ganimete Musliut, e bërë më 9 shtator 2026, u ripublikua më 16 shtator në ditën e shpalljes së aktgjykimit në Hagë. Në publikim përdorej deklarata “Tani do t’i shihni veprimet e PDK-së”, duke krijuar mundësi që ajo të kuptohej si reagim i saj ndaj vendimit. Megjithatë, deklarata ishte bërë një javë më herët dhe lidhej me zhvillimet politike dhe institucionale në Kosovë, jo me aktgjykimin në Hagë (shih këtu).

Mashtrim

Në Facebook u publikua një video ku pamjet reale nga procesi gjyqësor në Hagë u kombinuan me një audio në gjuhën serbe, e cila paraqitej si dëshmi e një dëshmitari kundër Hashim Thaçit dhe UÇK-së. Pamjet ishin nga dëshmia e Ismet Tarës, i njohur si Komandant Hoxha, ndërsa nuk u gjet burim kredibil që dokumentonte deklaratën e përfshirë në audio. Analizat e kryera përmes mjeteve për identifikimin e përmbajtjeve të krijuara me IA e vlerësuan audion me probabilitet të lartë si të gjeneruar artificialisht (shih këtu).

Një fotografi e një proteste të vitit 2022 u publikua në TikTok me një pankartë ku shkruhej “Kush është kundër gjykatës është kundër Kosovës”. Verifikimi tregoi se fotografia ishte nga protesta e 24 dhjetorit 2022, e organizuar nga PSD-ja kundër dënimit të Sali Mustafës. Në fotografinë origjinale pankarta kishte mbishkrimin “Jo në emrin tim”, ndërsa teksti ishte ndryshuar në versionin e publikuar në TikTok (shih këtu).

Lajm i rremë

Disa faqe në Facebook publikuan pretendimin se mediat austriake e kishin vlerësuar pozitivisht Albin Kurtin, duke e paraqitur si liderin me rejtingun më të lartë në Ballkan dhe në një pjesë të Evropës, si dhe duke i atribuar atij vlerësime të tjera lidhur me korrupsionin dhe sovranitetin e Kosovës. Në publikime nuk specifikohej se cilat media austriake i kishin bërë këto deklarata dhe nuk u gjet raportim në mediat e kërkuara që i mbështeste këto pretendime në formën e paraqitur (shih këtu).

Përmbajtje e paverifikuar

Në platformën X u publikua pretendimi se gjashtë futbollistë të tjerë të Kosovës do ta bojkotonin Kombëtaren deri në largimin e Agim Ademit nga pozita e presidentit të FFK-së. Pretendimi u shpërnda më pas edhe në Facebook dhe në një media në gjuhën serbe. Megjithatë, Arijanet Muriç dhe Florent Muslija mohuan se kishin marrë një vendim të tillë, ndërsa autori i pretendimit fillestar pranoi se informacioni lidhur me Muriçin ishte i pasaktë. Për këtë arsye, pretendimi nuk u konfirmua nga burime të besueshme (shih këtu).

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere