Të fundit | Maria Bamieh nuk ka pretenduar se Charles Smith tha se “shqiptarët janë kaf… Të fundit | Wilson nuk e bëri këtë deklaratë për Kurtin Të fundit | Pretendohet rrejshëm se Trump ka hequr vizat për Kosovën dhe ka folur për K… Të fundit | Deklaratat për protestat në Prishtinë që u atribuohen DioGuardit, Walkerit… Të fundit | Sheshel nuk tha se aktakuza ndaj Thaçit dhe UÇK-së është shkruar në Beograd… Të fundit | Imazhi i Hysni Gucatit me revole është manipuluar me IA Të fundit | Trump nuk kërkoi lirimin e ish-krerëve të UÇK-së deri në dhjetor Të fundit | Rishikimi i javës: Pretendime dezinformuese për aktgjykimin në Hagë, përmba… Të fundit | Titulli nuk tregon se paga minimale deri në 1400 euro vlen për Malin e Zi Të fundit | “Ma sollën një dash dhe më thanë t’i fryeja në […]” – audioja e gjeneruar m…
[ ARTIKULLI ]

Wilson nuk e bëri këtë deklaratë për Kurtin

FATBARDH DEMA

VERDIKTI YNË

LAJM I RREMË

Nuk u gjetën burime kredibile që dëshmojnë se Joe Wilson ka thënë se është fat që Kosova ka Albin Kurtin kryeministër.

Një deklaratë që i atribuohet kongresistit amerikan Joe Wilson, sipas së cilës pretendohet të ketë thënë se “është fat i madh që populli i Kosovës ka një kryeministër si Albin Kurti”, është publikuar në Facebook nga faqja “Unioni i Shqiptarëve në Evropë – European Union of Albanians”.

Çka nuk shkon me këtë pretendim?

Hibrid.info kërkoi deklaratën e pretenduar si në gjuhën shqipe, ashtu edhe në anglisht. Nga kërkimi nuk u gjet asnjë artikull në mediat në gjuhën shqipe apo angleze, dhe as ndonjë burim tjetër kredibil, ku Wilson të ketë bërë deklaratën e pretenduar.


FAKTET

Takimi mes Kurtit dhe Wilsonit u zhvillua më 21 shtator 2026 në New York, në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Njoftimi zyrtar i Zyrës së Kryeministrit për këtë takim nuk përmban deklaratën e pretenduar.

Sipas njoftimit zyrtar, në takim u diskutua për thellimin e marrëdhënieve Kosovë-SHBA, me fokus në siguri dhe mbrojtje, investime dhe sundim të ligjit. Po ashtu, u diskutua për synimin e Kosovës për anëtarësim në NATO, vazhdimin e bashkëpunimit me SHBA-në dhe partneritetin e Forcës së Sigurisë së Kosovës me Gardën Kombëtare të Iowa-s, i cili daton nga viti 2011.

Kurti dhe Wilson folën gjithashtu për sigurinë në Ballkanin Perëndimor, ruajtjen e orientimit euroatlantik të rajonit dhe pjesëmarrjen e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, përfshirë aspiratën e Kosovës për avancim drejt pjesëmarrjes së plotë në OSBE.

Një pjesë e veçantë e diskutimit iu kushtua shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, u diskutuan nënpërfaqësimi i tyre në institucionet publike, polici, gjyqësor dhe shëndetësi, pasivizimi i adresave, pengesat në arsimin në gjuhën shqipe dhe mosnjohja e diplomave të fituara në Kosovë. Kurti kërkoi që këto çështje të trajtohen në Komisionin e Helsinkit dhe në komunikimet me Beogradin.

Në fund të njoftimit zyrtar thuhet se Kurti e falënderoi Wilsonin për mbështetjen ndaj Kosovës dhe angazhimin në çështjet e sigurisë, demokracisë dhe të drejtave të njeriut në rajon. Ai gjithashtu e ftoi kongresistin amerikan që ta vizitojë përsëri Kosovën, së bashku me një delegacion të Kongresit amerikan.


Deklarata nuk gjendet as në burimet zyrtare të Wilsonit

Kërkimi u bë edhe në uebfaqen zyrtare të kongresistit Joe Wilson. Në seksionin e tij “Press Releases”, ku publikohen njoftimet dhe deklaratat zyrtare të zyrës së tij, nuk gjendet ndonjë njoftim për takimin me Kurtin apo ndonjë deklaratë me përmbajtjen e pretenduar. Lista e publikimeve të fundit në këtë seksion përfshin njoftime të publikuara deri në gusht 2026, por nuk përmban deklaratën në fjalë.

Po ashtu, deklarata e pretenduar nuk u gjet në kërkimet e bëra në llogaritë publike të Joe Wilsonit në Facebook, Instagram dhe X, me emrin e tij dhe me variante të ndryshme të formulimit në shqip dhe anglisht.


Analiza

Një deklaratë që i atribuohet kongresistit amerikan Joe Wilson, se “është fat i madh që populli i Kosovës ka një kryeministër si Albin Kurti”, është gjetur e publikuar në Facebook.

Kërkimet në shqip dhe anglisht nuk kanë gjetur asnjë burim kredibil që e dokumenton këtë deklaratë. Ajo nuk gjendet në njoftimin zyrtar për takimin Kurti-Wilson, në faqen zyrtare të Ëilsonit apo në llogaritë e tij publike në media sociale.

Gjatë takimit Kurti-Wilson u diskutua për marrëdhëniet Kosovë-SHBA, sigurinë, anëtarësimin në NATO, sundimin e ligjit, si dhe çështjet e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Lajm i rremë”.

Arsyetimi

Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere