Shkroi: Festim Rizanaj
Më 13 maj u bë e ditur se në Mitrovicën e Veriut është mbyllur kompania paralele e ujësjellësit, një vendim që, sipas ministres në detyrë të Ekonomisë në Kosovë, Artane Rizvanolli, përfaqëson një hap konkret drejt sundimit të ligjit dhe funksionalizimit të shërbimeve publike nga institucionet e Republikës së Kosovës.
Megjithatë, pas ndërhyrjes për mbylljen e kompanisë paralele të ujësjellësit në Mitrovicën e Veriut, janë artikuluar narrativa serbe që e portretizojnë këtë veprim si një hap të rrezikshëm dhe politikisht të motivuar nga kryeministri Albin Kurti. Sipas kësaj linje narrative, veprimi cenon sigurinë e komunitetit serb dhe rrezikon pasoja humanitare, sidomos për institucionet shëndetësore dhe konviktet studentore që varen nga furnizimi i qëndrueshëm me ujë.
Nga ana tjetër, ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, deklaroi se mbyllja e kompanisë “Ibar” është një hap konkret në shërbim të sundimit të ligjit dhe funksionalizimit të shërbimeve publike nga institucionet legjitime të Republikës së Kosovës. Ajo theksoi se tashmë shërbimet do të ofrohen nga KRU Mitrovica, në përputhje me ligjet vendore dhe me standarde më të larta për të gjithë qytetarët, pa dallim.
Cilat janë narrativat e ndërtuara nga zyrtarët serb
Në reagimin e tij pas mbylljes së ndërmarrjes paralele të ujësjellësit “Ibar” në Mitrovicën e Veriut, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, e cilësoi këtë veprim si të njëanshëm dhe të paligjshëm, duke e interpretuar si vazhdim të politikave të Albin Kurtit kundër institucioneve serbe në veri. Ai theksoi se bëhet fjalë për një institucion jetik që u ofron shërbime mijëra qytetarëve, përfshirë spitale, shkolla dhe kopshte, dhe refuzoi përkufizimin si “institucion paralel”, duke argumentuar se ai duhet të jetë pjesë e Asociacionit të Komunave Serbe. Sipas tij, veprimi përfaqëson presion ndaj punëtorëve për t’u integruar në sistemin kosovar dhe përbën shkelje të marrëveshjeve ndërkombëtare, përfshirë mungesën e formimit të ZSO-së. Petkoviq mbylljen e konsideron si provokim të qëllimshëm në kohën e vizitës së presidentit të Këshillit Evropian në Beograd dhe njoftoi se Serbia do ta adresojë çështjen tek përfaqësuesit ndërkombëtarë. (këtu)
Kryetari i Listës Serbe, Zlatan Elek, në një letër të hapur drejtuar ambasadave të vendeve të Quint-it, BE-së, OSBE-së, UNMIK-ut dhe KFOR-it, e dënoi si të paligjshëm dhe të dhunshëm ndërhyrjen e Policisë së Kosovës dhe punonjësve të ujësjellësit nga Jugu në hapësirat e ndërmarrjes “Ibar” në Mitrovicën e Veriut. Ai e cilësoi këtë si një akt të njëanshëm dhe provokues që rrit tensionet dhe shkakton pasiguri te qytetarët serbë, duke theksuar se ndërmarrja nga Jugu nuk ka as kapacitet teknik dhe as besimin e komunitetit lokal për të menaxhuar sistemin. Elek shtoi se këto nuk janë gabime administrative, por veprime të rrezikshme dhe të motivuara politikisht nga qeveria Kurti, që rrezikojnë kushtet bazë të jetesës. Ai paralajmëroi për pasoja të rënda humanitare nëse veprimet vazhdojnë dhe kërkoi ndërhyrje urgjente nga faktori ndërkombëtar për të ndalur veprimet e njëanshme dhe për të garantuar sigurinë dhe shërbimet për komunitetin serb. (këtu)
Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Gjuriq, dënoi ashpër ndërhyrjen e Policisë së Kosovës dhe punonjësve të ujësjellësit nga Jugu në objektet e ndërmarrjes “Ibar” në Mitrovicën e Veriut, duke e cilësuar si një veprim të njëanshëm dhe provokues që dëmton përpjekjet për dialog ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Sipas tij, ky veprim është bërë me dijeninë dhe miratimin e Albin Kurtit dhe përbën një kërcënim serioz për furnizimin me ujë të popullatës serbe, përfshirë institucionet jetike si spitali, shkollat dhe kopshtet. Gjuriq e përshkroi incidentin si një sulm të qëllimshëm ndaj të drejtave të serbëve në Kosovë, me synim nxitjen e shpërnguljes së tyre, dhe e lidhur këtë me vizitën e presidentit të Këshillit Evropian në rajon, duke akuzuar Kurtin se po sfidon hapur përpjekjet e BE-së për normalizim. Ai theksoi se menaxhimi i shërbimeve komunale është pjesë e marrëveshjes për Asociacionin e Komunave Serbe, të cilën Prishtina e ka refuzuar ta zbatojë prej 12 vitesh. (këtu)
Portali serb në Kosovë “kosovo-online.com” ka publikuar një karikaturë lidhur me mbylljen e ndërmarrjes paralele të ujësjellësit në Mitrovicën e Veriut më 13 maj. Karikatura paraqet Kryeministrin Kurti duke lidhur një nyjë në tubin e ujit, duke penguar furnizimin. Në anën tjetër, një burrë i thjeshtë, që simbolizon komunitetin serb në veri, përpiqet të ujisë një tufë bari, por rrjedh vetëm një pikë ujë, duke treguar mungesën e furnizimit. Karikatura kritikisht ilustron mbylljen e kompanisë si një veprim të motivuar politikisht nga qeveria Kurti, që mund të çojë në pasoja humanitare dhe të dëmtojë sigurinë e komunitetit serb. (këtu)

Cila është arsyeja e mbylljes së ndërmarrjes paralele të ujësjellësit “Ibar”
Sipas deklaratës së publikuar nga Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, përmes llogarisë së saj në Facebook, arsyeja kryesore për mbylljen e ndërmarrjes paralele të ujësjellësit “Ibar” në Mitrovicën e Veriut është përforcimi i sundimit të ligjit dhe vendosja e kontrollit institucional të Republikës së Kosovës mbi ofrimin e shërbimeve publike. Ministrja bëri të ditur se ky veprim është ndërmarrë me kërkesë të Njësisë për Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike, dhe se mbyllja e kësaj kompanie të ashtuquajtur paralele është një hap konkret në drejtim të shtrirjes së funksionalitetit shtetëror në të gjitha komunat e vendit.
Rizvanolli theksoi se shërbimet që më parë ofroheshin nga ndërmarrja “Ibar” do të zëvendësohen nga Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica” (KRU Mitrovica), në përputhje me një marrëveshje të nënshkruar në janar të këtij viti mes kësaj kompanie dhe Komunës së Mitrovicës së Veriut. Ajo tha se përmes KRU Mitrovica do të ofrohen shërbime të rregullta, më cilësore dhe të standardizuara për qytetarët, në harmoni të plotë me legjislacionin e Republikës së Kosovës.
Në përmbyllje, Rizvanolli deklaroi se institucionet e Republikës së Kosovës janë të vetmet që do të ofrojnë dhe administrojnë shërbimet publike në të gjithë territorin e vendit, duke nënvizuar se ky është një hap domethënës në konsolidimin e rendit dhe funksionalitetit shtetëror.

Konteksti i mbylljes së institucioneve paralele serbe
Kosova ka ndërmarrë një proces të qëndrueshëm dhe të koordinuar të integrimit të institucioneve ilegale serbe në kuadër të sistemit të saj kushtetues dhe ligjor, duke përfshirë sektorë të rëndësishëm si shëndetësia, arsimi dhe shërbimet komunale. Ky proces është pjesë e zbatimit të marrëveshjeve të arritura në Bruksel në vitet 2013 dhe 2015, të cilat janë ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe kanë për synim normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Prej përfundimit të luftës e deri më sot, Serbia ka vazhduar të financojë dhe të mbështesë strukturat paralele në komunat me shumicë serbe, të cilat veprojnë jashtë kontrollit të institucioneve të Kosovës dhe nuk i raportojnë qeverisë në Prishtinë. Kjo qasje është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me rendin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe përbën një pengesë për funksionimin e plotë të shtetit në të gjithë territorin e tij.
Integrimi i këtyre institucioneve nuk përbën një formë represioni apo përjashtimi të komunitetit serb, por është pjesë e një procesi të dakorduar ndërkombëtarisht që synon ndërtimin e një sistemi të vetëm institucional, ku të gjithë qytetarët – pa dallim etnie – të përfitojnë nga shërbimet publike në mënyrë të barabartë dhe në përputhje me ligjet dhe standardet e shtetit të Kosovës. Ky është një hap i domosdoshëm për garantimin e sundimit të ligjit, funksionimin e institucioneve demokratike dhe afrimin me strukturat evropiane. (këtu)