Shkroi: Fatbardh Dema
Ish-zëvendëskryeministri i Serbisë, Alleksandar Vullin, ka pretenduar se armatosja e Ushtrisë së Kosovës nga ana e Perëndimit po bëhet me një qëllim të vetëm, e që sipas tij është lufta kundër serbëve.
Këtë pretendim, Vullin e ka bërë në një intervistë për agjencinë shtetërore ruse të lajmeve, “RIA Novosti”.
Aty ai përdor një metaforë duke iu referuar një parimi të njohur letrar të shkrimtarit rus Anton Çehov, i cili ka formuluar idenë se nëse në një tregim apo shfaqje teatrale paraqitet një armë (p.sh. e varur në mur), atëherë ajo duhet patjetër të përdoret më vonë. Përndryshe, sipas tij, nuk ka pse arma të jetë aty.

Çka nuk shkon me pretendimin e tij?
Pretendimi i Vullinit se armatosja e Forcës së Sigurisë së Kosovës nga Perëndimi po bëhet për të vetmin qëllim – luftën kundër serbëve, është i pabazuar.
Çka tha në të vërtetë ai, sipas Spurtnikportal.com (këtu, këtu/Archive, Archive)?
“Vullin: Perëndimi po e militarizon të ashtuquajturin Kosovë – kjo armë, në fund, do të shkrepë”
Militarizimi i Kosovës me përpjekjet e Perëndimit është e ashtuquajtura “arma e Çehovit” që patjetër do të shkrepë, deklaroi për RIA Novosti themeluesi i partisë Lëvizja e Socialistëve dhe ish-zëvendëskryeministri i Serbisë, Alleksandar Vullin”.
“Çehovi ka thënë se, nëse një pistoletë varet në mur në aktin e parë të një shfaqjeje teatrale, ajo patjetër do të shkrepë në aktin e tretë. Nëse u jepni shiptarëve, që është termi për shqiptarët e Kosovës, armë në aktin e parë, ato patjetër do të qëllojnë në aktin e tretë”, tha Vullin”.
“Sipas Vullinit, kërcënimi për Serbinë nuk vjen vetëm nga militarizimi i Kosovës – vendi është i rrethuar nga shtete armiqësore anëtare të NATO-s. Në këtë drejtim, qëndrimi i Serbisë është i ngjashëm me qëndrimin e Rusisë, për “frenimin” e së cilës është folur disa herë brenda Aleancës Veriatlantike”.
“Në Kosovë dhe Metohi nuk mund të ketë ushtri tjetër përveç KFOR-it, përveç forcave të OKB-së ose NATO-s. Kaq. Aktualisht ekziston e ashtuquajtura Forca e Sigurisë së Kosovës. Kjo është ushtri. Ushtri që është armatosur nga Perëndimi dhe është armatosur vetëm për një qëllim — luftë kundër serbëve dhe asgjë tjetër”, përfundoi Vullin”.
Pse s’qëndron pretendimi i tij?
Kjo narrativë nga eksponentë të politikës në Serbi është e vazhdueshme (hibrid.info ka trajtuar edhe më herët pretendime të tilla nga politikanë serbë këtu, këtu, këtu), që nga themelimi i Ushtrisë së Kosovës, më 14 dhjetor 2018, kur Kuvendi i Kosovës miratoi tre ligjet për transformimin e FSK-së në një forcë ushtarake profesionale.
Megjithatë, krerët shtetërorë të Kosovës vazhdimisht kanë potencuar se FSK-ja nuk është ushtri sulmuese, por forcë mbrojtëse.
Vetë kryeministri i Kosovës në atë kohë, Ramush Haradinaj, pati deklaruar se ushtria nuk po bëhet për të sulmuar popullin e vet.
“Nuk do të zhvillojmë doktrinë mbrojtëse dhe nuk do të veprojmë që ushtria asnjëherë të kthehet kundër popullit të vet. Këtë e dinë ata që jetojnë rreth nesh se sa të respektuar janë komunitetet nga shqiptarët”.
“Kurrë Ushtria e Kosovës nuk do të kthehet kundër askujt, pra jo kundër popullit të vet. Serbët, si në jug, si në veri, janë njerëz të këtij vendi, ushtria është e tyre, ata nesër kanë për të shërbyer në këtë ushtri dhe jo vetëm ata, por të gjithë që jetojnë në Kosovë”, kishte deklaruar Haradinaj një ceremoni ku është prezantuar Forca e Sigurisë së Kosovës, e mbajtur në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë (këtu).
Në po atë ceremoni, edhe presidenti i asaj kohe, Hashim Thaçi, pati thënë se “Forca e Sigurisë së Kosovës është kthyer në institucionin më të besueshëm dhe më të respektuar në Republikën e Kosovës”. Siç ishte shprehur ai, “bashkëjetesa, solidariteti, përkushtimi dhe profesionalizimi, janë vlera të FSK-së dhe tërë shoqërisë në Kosovë”. (këtu)
Se Ushtria e Kosovës nuk po bëhet për të sulmuar dikë, ishte shprehur edhe kryetari i atëhershëm i Kuvendit, Kadri Veseli.
“Ne jemi pjesëtarë të një kombi, i cili gjatë tërë ekzistencës së tij, asnjëherë nuk e sulmoi askënd, asnjëherë nuk ushqyem ambicie në dëm të të tjerëve, në zemrat tona kurrë nuk zuri vend urrejtja ndaj të tjerëve, në vendimin tonë politik kurrë nuk gjetën vend ideologjitë kundër të tjerëve, edhe pse në shumë raste ishim vetë viktimë e këtyre ideologjive – krejt çka deshëm ishte të mbrojmë veten tonë, atdheun tonë, dinjitetin tonë dhe lirinë tonë”, është shprehur Veseli. (këtu)
Edhe kryeministri (aktualisht në detyrë) i Kosovës, Albin Kurti ka nënvizuar se çdo blerje e pajisjeve ushtarake bëhet për të forcuar kapacitetet mbrojtëse të shtetit dhe për të siguruar paqe e stabilitet për qytetarët e Kosovës. (shih këtu)
Analiza:
Ish-zëvendëskryeministri i Serbisë, Alleksandar Vullin, ka deklaruar se militarizimi i Ushtrisë së Kosovës nga Perëndimi ka vetëm një qëllim, e ai është lufta kundër serbëve.
Ky pretendim i tij nuk është i bazuar, pasi që kur është themeluar Ushtria e Kosovës, 14 dhjetor 2018, vazhdimisht nga krerët e institucioneve të vendit është thënë se kjo forcë ka mision mbrojtës e jo sulmues.
Madje, asnjëherë nuk ka pasur raportime në mediat ndërkombëtare, apo deklarime nga krerë shtetesh perëndimore, se Forca e Sigurisë së Kosovës ka cenuar stabilitetin në vend a rajon.
Rrjedhimisht, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info deklarimin e Vullinit e vlerëson si “Teori konspirative”.
Arsyetimi:
Vlerësim si “Teori konspirative” marrin ato përmbajtje informative të cilat në vete përmbajnë një përshkrim të rremë ose të paverifikueshëm të një dukurie, ngjarje ose një personi, duke e paraqitur atë si pjesë ose rezultat të një plani të fshehtë (“komplot”). Karakteristikë e këtyre përmbajtje është se ato paraqesin një seri pretendimesh, të paraqitura si fakte, midis të cilave vendosen marrëdhënie shkak-pasojë, pa ofruar ndonjë provë të besueshme.