Është publikuar një imazh ku shihet ish-presidenti serb, Aleksandar Vuçiq i shoqëruar nga dy persona të veshur me uniforma policore, me mbishkrimin “Arrestim dhe burg për Aleksandër Vuçiqin”.
Përmbajtja u publikua të hënën (2 nëntor) në Facebook, nga faqja me emrin “Gazeta Minuti”.
Çka nuk shkon me përmbajtjen?
Pretendimi se Vuçiç është arrestuar është i rremë.

Përmbajtja e njëjtë është publikuar edhe në faqe tjera në Facebook (shih këtu, këtu dhe këtu).
Në postimin fillestar, postimi ka marrë mbi 200 reagime, ndërsa faqja që e ka publikuar ka mbi 250 mijë ndjekës (shih këtu).
Postimit i është bashkangjitur vegëza e një artikulli që ka titullin e njëjtë me atë që shfaqet në mbishkrim (shih këtu).
Pas verifikimit, u vërejt se artikulli në hyrje shkruan: “Aleanca e Re Policore-Sindikata ka ngritur kallëzim penal kundër presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke i kërkuar Prokurorisë së Lartë Publike të ndërmarrë masa ligjore ndaj tij.”
Kjo tregon se nuk bëhet fjalë për arrestimin apo burgosjen e ish udhëheqësit serb.
Hibrid.info verifikoi origjinën e imazhit përmes veglës online “Google Lens”. Përmbledhja e AI Overview tregon se nuk ka raportime zyrtare apo kredibile të lajmeve që informojnë se Vuçiq është arrestuar (shih këtu).
Edhe rezultatet nga kërkimi në makinën e kërkimit “Google” nuk kanë shfaqur burime që konfirmojnë pretendimin në fjalë (shih këtu).
Duke qenë se pretendimi është paraqitur përmes një imazhi dhe kërkimi nuk konfirmoi raportimin e pretenduar, hibrid.info analizoi edhe përmbajtjen e imazhit përmes veglës online “HiveModeration”.
Rezultatet nga analiza treguan mundësi të lartë që imazhi të jetë gjeneruar nga inteligjenca artificiale (IA).

Analiza
Publikimi paraqet një imazh ku shihet ish-presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, i shoqëruar nga dy persona me uniforma policore, me mbishkrimin “Arrestim dhe burg për Aleksandër Vuçiqin”, duke krijuar përshtypjen se ai është arrestuar ose se një veprim i tillë është ndërmarrë ndaj tij.
Megjithatë, verifikimi i artikullit të bashkëngjitur në publikim tregon se informacioni i paraqitur ka të bëjë me ngritjen e një kallëzimi penal nga Aleanca e Re Policore-Sindikata kundër Vuçiqit, përmes të cilit i është kërkuar Prokurorisë së Lartë Publike të ndërmarrë masa ligjore ndaj tij. Ky zhvillim nuk nënkupton se Vuçiqi është arrestuar apo se është marrë ndonjë vendim për burgosjen e tij.
Po ashtu, hulumtimi përmes Google Lens dhe kërkimi në Google nuk identifikuan raportime nga burime zyrtare apo media kredibile që konfirmojnë arrestimin e Vuçiqit. Kërkimi përmes këtyre veglave nuk ofroi dëshmi që mbështesin pretendimin e paraqitur në imazh.
Ndërkaq, analiza e imazhit përmes veglës online “HiveModeration” tregoi mundësi të lartë që ai të jetë gjeneruar nga inteligjenca artificiale (IA). Kjo e bën edhe më të pabazë paraqitjen e imazhit si dëshmi të një arrestimi të pretenduar.
Andaj, bazuar në metodologjinë e punës, Hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Mashtrim” dhe “Manipulim i fakteve”.
Arsyetimi
Vlerësimi “Mashtrim” u bëhet atyre përmbajtjeve informative të cilat manipulohen si në aspektin vizual (deepfake, cheapfake), zanor (audio) apo tekstual të përmbajtjes për të mashtruar audiencën. Zakonisht kjo formë e mashtrimit përdoret për të prodhuar përmbajtje të paqena dhe të manipuluara.
Vlerësimin si “Manipulim i fakteve” marrin ato përmbajtje informative që përdorin fakte të njohura si të sakta, por i interpretojnë ato në mënyrë të shtrembëruara. Këto raporte zakonisht përdorin informacion të saktë për të nxjerrë përfundime ose pretendime të pasakta, duke drejtuar kështu përfundimet e konsumatorëve të përmbajtjes së mediave në drejtim të gabuar në lidhje me kuptimin aktual të fakteve të paraqitura.