Publikohet një video-material që shfaq Hyreme Gurrën, një profesoreshë dhe diplomate teksa deklarohet se George Washington, ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA-së) ishte me prejardhje shqiptare.
Kjo deklaratë është dhënë në kuadër të një formati audiovizual të titulluar “TROÇ”, të publikuar të premten (30 tetor) në rrjetet sociale të mediumit “Portalb.mk” (shih këtu).
Deklarata është publikuar edhe e në formë të shkëputur, por që më pas është larguar nga mediat sociale të këtij mediumi (shih këtu).
E vërteta?
George Washington nuk ishte me prejardhje shqiptare.

video është gjetur e publikuar në faqe tjera në Facebook (shih këtu dhe këtu).
Deklaratën mund ta gjeni edhe në videon e plotë të emisionit të publikuar në kanalin zyrtar në Youtube të këtij mediumi (shih këtu).
Deklarata e Hyreme Gurrës
“Në mandatin e Bill Clintonit, paramendo ai – çdo president ka të drejtë të futet në dokumentacionet sekrete të shtetit, që të pregaditet se çka ka shteti. Ai bie në nje dokument se George Ëashington ka qenë me prejardhje shqiptare nga Kosova. Nëna e tij në realitet, Mari Bali, Maria Bali, ndërsa në anglisht i themi Mary Ball“
Për shkak se diçka e tillë nuk pretendohet për herë të parë, fillimisht është hulumtuar në arkivën e hibrid.info për të kërkuar nëse ka pasur trajtim të këtij pretendimi (shih këtu).
Rezultatet nga kërkimi shfaqën një artikull të titulluar “Këshilla si të mos bini pre e lajmeve të rreme më 1 Prill” (shih këtu).
Aty hibrid.info kishte trajtuar fenomenin e publikimit të lajmeve të rreme në formë shakaje, të cilat më pas mund të keqkuptohen dhe të shpërndahen si informacione të vërteta.
Si shembull për këtë ishte marrë një artikull i Gazetës KOHA DITORE, i publikuar më 1 prill 2011, me titull “George Washingtoni me prejardhje shqiptare”. Në trajtimin e atëhershëm sqarohej se artikulli ishte publikuar si shaka për Ditën e Gënjeshtrave, ndërsa fjala “Aprililili”, e vendosur në fund të tij, shërbente si tregues i kësaj.
Megjithatë, siç theksohej në artikullin e hibrid.info, kjo përmbajtje ishte ripublikuar edhe në vitet 2016, 2019 dhe 2022 nga media online, kësaj radhe si lajm i vërtetë.

Pas publikimit të deklaratës së Hyreme Gurrës, hibrid.info hasi edhe në një postim të publikuar dje nga Flaka Surroi, drejtuese e grupit KOHA, në llogarinë e saj në Facebook.
Në reagimin e saj, Surroi rikujtoi se pretendimi për prejardhjen shqiptare të George Washingtonit ishte publikuar fillimisht si shaka nga Gazeta KOHA DITORE, më 1 prill 2011, dhe se artikulli përfundonte me fjalën “Aprililili”.
Ajo kritikon faktin që kjo përmbajtje, e cila ishte publikuar në kontekst humoristik, po përsëritet si fakt.
Sa i përket prejardhjes së George Washingtonit, burimet historike tregojnë se ai ishte me prejardhje angleze. Washingtoni lindi në vitin 1732, në koloninë e Virxhinias, në territorin e asaj që sot përbën Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Këto të dhëna nuk mbështesin pretendimin se ai kishte prejardhje shqiptare. (shih këtu).
Analiza
Publikimi paraqet një deklaratë të Hyreme Gurrës, profesoreshë dhe diplomate, sipas së cilës George Washington, ish-presidenti i parë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kishte prejardhje shqiptare nga Kosova. Ajo pretendon se nëna e tij, Mary Ball, ishte me prejardhje shqiptare.
Megjithatë, hulumtimi në arkivën e hibrid.info ka gjetur se ky pretendim ishte publikuar edhe më herët, në një artikull të Gazetës KOHA DITORE, më 1 prill 2011. Ky artikull ishte publikuar në formë shakaje për Ditën e Gënjeshtrave, gjë që dëshmohej edhe nga fjala “Aprililili” në fund të tij.
Po ashtu, pas publikimit të deklaratës së Gurrës, Flaka Surroi, drejtuese e Grupit KOHA, reagoi përmes një postimi në Facebook, duke rikujtuar se pretendimi ishte pjesë e një shakaje të publikuar nga KOHA DITORE më 1 prill 2011. Ky reagim përforcon kontekstin në të cilin ishte publikuar fillimisht pretendimi.
Ndërkaq, hulumtimi për prejardhjen e George Washingtonit tregon se ai kishte prejardhje angleze dhe kishte lindur në vitin 1732, në koloninë e Virxhinias, në territorin e sotëm të ShBA-së.
Andaj, bazuar në metodologjinë e punës, Hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Përmbajtje e paverifikuar”.
Arsyetimi
Vlerësimi “I pa verifikuar” u bëhet atyre përmbajtjeve informative që nuk ofrojnë informata të mjaftueshme për të konfirmuar pretendimet e bëra në raport, dhe të cilat nuk kanë mundur të verifikohen për shkak të rrethanave të caktuara (shpejtësisë, mungesës së burimeve) gjatë publikimit të përmbajtjes.