Shkroi: Fatbardh Dema
“Raporti i SHBA: Qeveria Kurti më e korruptuara në histori të Kosovës”, është mbishkrimi që llogaria “newsilir” në TikTok ia ka vënë një përmbajtjeje të publikuar më 26 nëntor.
Në pamjet e publikuara shihet kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i prangosur në gjykatë. Videoja 22-sekondëshe shoqërohet në disa sekuenca edhe me logo të televizionit “Klan Kosova”. Aty po ashtu shfaqen pamje të raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit për Kosovën në të cilin shihen të hijezuara fjalët “korrupsion serioz qeveritar”.

Çka nuk shkon me përmbajtjen?
Pas verifikimit të fakteve, del se ky konstatim nuk është dhënë nga Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH). Kjo vërtetohet përmes vetë raportit, por edhe se diçka e tillë nuk është raportuar nga mediat kredibile. Po ashtu, audioja në video është gjeneruar nga inteligjenca artificiale.
Hibrid.info ka verifikuar përmes pamjeve në videon e publikuar. Pamjet janë reale dhe shfaqin Kurtin me pranga në duar në gjykatë në vitin 2016 kur ai akuzohej për hedhje të gazit lotsjellës (shih këtu dhe këtu). Pamjet nga ky rast janë marrë nga disa kronika televizive të televizionit “Klan Kosova”, por që nuk lidhen me raportin e DASH-it.
E pretendimi se sipas raportit të DASH-it “Qeveria Kurti është më e korruptuara në histori të Kosovës”, nuk është i vërtetë. Hibrid.info ka gjetur dokumentin i cili shfaqet në video i hijezuar. Bëhet fjalë për raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për Kosovën për vitin 2023 sa u përket të drejtave të njeriut. Në raport nuk bëhet krahasimi se cila ka qenë “qeveria më e korruptuar”. As kërkimi në “Google” me fjalët “Raporti i DASH: Qeveria Kurti më e korruptuara” nuk shfaq raportim të mediave kredibile me pretendimin e njëjtë si në TikTok.
Audioja e transkriptuar:
“Kjo është faqja e Departamentit Amerikan të Shtetit dhe ky është raporti për Qeverinë Kurti. Për herë të parë në histori të Kosovës, ata në raport e cilësojnë Qeverinë Kurti si qeveri me korrupsion serioz qeveritar. Qeveria Kurti përshkruhet si qeveri me korrupsion serioz qeveritar. Kurti e di që në momentin që bie në opozitë, do të futet në burg për korrupsion”.
Hibrid.info ka verifikuar përmbajtjen në platformën për verifikim të përmbajtjeve të gjeneruara me inteligjencë artificiale “Hivemoderation”, dhe ka rezultuar se audioja në këtë publikim është e gjeneruar me AI.

Publikimi në TikTok deri tash ka marrë rreth 150 mijë shikime, mbi 2500 pëlqime e mbi 155 komente.
Analiza:
Pretendimi se një raport i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka thënë se “Qeveria Kurti është më e korruptuara në histori të Kosovës” është i rremë.
Publikimi nga “newsilir” në TikTok përmban pamje të ngjarjeve të mëhershme dhe shfaq imazhe nga raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit për Kosovën për vitin 2023 sa u përket të drejtave të njeriut. Në asnjë rast aty nuk bëhet krahasimi se cila ka qenë “qeveria më e korruptuar”. Për këtë pretendim nuk janë gjetur as lajme në media kredibile.
Po ashtu, pas verifikimit të fakteve është gjetur se audioja në publikim është gjeneruar me inteligjencë artificiale.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë pretendim si “Lajm i rremë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.



