Të fundit | Rishikimi i javës: Pretendime të rreme dhe të pabazuara për figurat politik… Të fundit | Fenomeni “Pink Slime”: Kur faqet që paraqiten si media u japin përmbajtjeve… Të fundit | Nuk ka të dhëna se Gjermania ka 'shtrënguar' procedurat e azilit për të kon… Të fundit | Ende nuk ka konfirmim se Kurti do të udhëtojë në SHBA për Asamblenë e OKB-s… Të fundit | Gashi s'ka thënë se do ta votonte Listën Serbe para Vetëvendosjes Të fundit | Gotovina s’ka thënë se “Thaçi nuk është në gjyq, por UÇK-ja është në gjyq”,… Të fundit | Titulli nuk sqaron se në grevë kanë hyrë punëtorët teknikë të shkollave Të fundit | Raporti monitorues i keqinformimit për muajin gusht 2026 Të fundit | Pretendim konspirativ se nëse dënohen krerët e UÇK-së, do të shkaktohet dhu… Të fundit | Pretendohet rrejshëm se Trump i ka bërë ftesë Thaçit për vizitë në SHBA më…
[ ARTIKULLI ]

Rishikimi i javës: Pretendime të rreme dhe të pabazuara për figurat politike dhe zhvillimet në Kosovë, video të manipuluara me IA dhe dezinformata për azilin në Gjermani

ETRIT REXHEPI

Gjatë monitorimit të sferës keqinformuese gjatë periudhës 31 gusht – 5 shtator 2026, është konstatuar se përmbajtjet e paverifikuara, lajmet e rreme, dezinformatat, përmbajtjet “Clickbait”, teoritë konspirative dhe mashtrimet kanë qarkulluar kryesisht në rrjetin social Facebook. Temat që dominuan këtë periudhë lidhen kryesisht me zhvillimet politike në Kosovë, përfshirë pretendime të rreme dhe të paverifikuara për figura politike dhe zhvillime që lidhen me Gjykatën Speciale. Po ashtu, janë identifikuar përmbajtje keqinformuese që trajtonin çështje sociale, arsimin, migracionin dhe procedurat e azilit në Gjermani.

Lajme të rreme dhe përmbajtje të paverifikuara

Gjatë kësaj periudhe janë evidentuar katër përmbajtje të kategorizuara si “Lajm i rremë” ose “I pa verifikuar”, të cilat lidhen kryesisht me figura politike dhe zhvillime aktuale.

Një prej tyre pretendonte se ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, do të lirohej nga paraburgimi në Hagë më 16 shtator dhe më pas do të udhëtonte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me ftesë të presidentit amerikan Donald Trump. Pretendimi u publikua më 31 gusht në Facebook, por nuk u gjetën burime të besueshme që e konfirmonin një vizitë të tillë. Për më tepër, më 16 shtator është paralajmëruar shpallja e aktgjykimit në rastin ndaj Thaçit dhe tre ish-pjesëtarëve të tjerë të UÇK-së. Përmbajtja u vlerësua si “Lajm i rremë” (shih këtu).

Në një rast tjetër, një video e ish-kryeministrit të Shqipërisë, Pandeli Majko, u publikua më 29 gusht me pretendimin se ai kishte deklaruar së fundmi: “Kemi një Albin krejtësisht tjetër sot, të cilit mund t’i thuash me plot gojën: Albin Kurti, ta lumsha!”. Megjithatë, deklarata ishte bërë më 26 shtator 2023 dhe lidhej me zhvillimet pas sulmit në Banjskë. Përmbajtja nuk jepte kontekstin kohor të deklaratës, duke krijuar përshtypjen se ajo ishte bërë në kohët e fundit. Përmbajtja u vlerësua si “I pa verifikuar” (shih këtu).

Po ashtu, më 2 shtator është rikthyer në qarkullim një pretendim i rremë që i atribuon deputetit të LDK-së, Arben Gashi, deklaratën se, po ta kishte “lapsin e popullit” në dorë, do ta votonte Listën Serbe para Lëvizjes Vetëvendosje. Nuk janë gjetur dëshmi se Gashi e ka bërë këtë deklaratë, ndërsa i njëjti pretendim ishte verifikuar edhe në vitet 2023 dhe 2025. Përmbajtja u vlerësua si “Lajm i rremë” (shih këtu).

Në të njëjtën periudhë, disa faqe në Facebook pretenduan se kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, do të udhëtonte në SHBA për të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Megjithatë, Qeveria e Kosovës nuk e kishte konfirmuar një udhëtim të tillë. Për këtë arsye, përmbajtja u vlerësua si “I pa verifikuar” (shih këtu).

Clickbait

Dy raste të evidentuara gjatë kësaj jave u kategorizuan si “Clickbait” dhe lidhen me çështje sociale dhe shërbimet publike.

Më 29 gusht, faqja “Gazetavip.com” publikoi pretendimin “S’ka shtesa me nga 30 euro për fëmijët”, ndërsa artikulli në lidhje trajtonte procesin e verifikimit të përfituesve të shtesave për fëmijë. Në realitet, pagesat nuk ishin ndërprerë në përgjithësi, por po bëhej verifikimi i përfituesve për të larguar rastet që nuk i plotësonin kriteret. Përmbajtja u vlerësua si “Clickbait”, pasi titulli krijonte një përshtypje më të gjerë dhe më alarmuese sesa përmbajtja e artikullit (shih këtu).

Një tjetër rast u publikua më 1 shtator nga faqja “Prishtina City”, me mbishkrimin “LAJM I KEQ PËR SHKOLLAT – NGA NESËR NË GREVË”. Në fakt, në grevë kishin hyrë punëtorët teknikë të shkollave fillore dhe të mesme në Komunën e Prishtinës, për shkak të mospagesës së një pjese të pagës së muajit korrik. Titulli nuk e specifikonte kategorinë e punëtorëve, duke krijuar përshtypjen se bëhej fjalë për grevë të përgjithshme në shkolla. Përmbajtja u vlerësua si “Clickbait” (shih këtu).

Teori konspirative

Gjatë kësaj periudhe është evidentuar një përmbajtje e kategorizuar si “Teori konspirative”, e cila lidhej me zhvillimet pas shpalljes së aktgjykimit në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

Më 31 gusht, mediumi në gjuhën serbe “Blic.rs” publikoi një artikull ku pretendohej se aktgjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit mund të pasohej nga trazira dhe dhunë ndaj serbëve në Kosovë. Në artikull përmendeshin deklarata politike dhe paralajmërime për tensione, por nuk ofrohej ndonjë dëshmi konkrete apo vlerësim nga institucionet e sigurisë që do të mbështeste pretendimin për përgatitje apo organizim të dhunës ndaj komunitetit serb. Përmbajtja u vlerësua si “Teori konspirative”, pasi krijonte një lidhje të pambështetur ndërmjet shpalljes së aktgjykimit dhe një skenari të mundshëm të dhunshëm (shih këtu).

Mashtrim

Një prej rasteve të evidentuara gjatë kësaj jave u kategorizua si “Mashtrim” dhe përfshinte përdorimin e inteligjencës artificiale për manipulimin e një materiali audio-vizual.

Disa faqe dhe llogari në Facebook publikuan një video të ish-gjeneralit kroat Ante Gotovina, duke i atribuar atij deklaratën: “Hashim Thaçi nuk është në gjyq, por UÇK-ja është në gjyq”. Verifikimi tregoi se pamjet ishin nga viti 2020, kur Gotovina kishte folur në Knin për 25-vjetorin e Operacionit “Oluja”, dhe në fjalimin origjinal nuk kishte përmendur Thaçin apo UÇK-në. Analiza e audios tregoi se 63.5 për qind e saj ishte gjeneruar me inteligjencë artificiale. Pra, pamjet reale ishin kombinuar me audio të manipuluar dhe një deklaratë të sajuar. Përmbajtja u vlerësua si “Mashtrim” (shih këtu).

Dezinformatë

Një tjetër temë e evidentuar gjatë javës ishte migracioni dhe procedurat e azilit në Gjermani.

Më 4 shtator, llogaria “Rilindja Shqiptare” publikoi pretendimin se autoritetet gjermane kanë “shtrënguar” procedurat për kërkesat për azil të personave të konvertuar në krishterim. Në postim pretendohej se në të kaluarën 90–100 për qind e këtyre kërkesave ishin miratuar, ndërsa vitet e fundit vetëm 10–20 për qind, si dhe se në disa zona refuzimet kalonin 90 për qind.

Megjithatë, statistikat zyrtare gjermane nuk regjistrojnë në mënyrë të veçantë arsyet e përndjekjes që lidhen me konvertimin fetar, prandaj këto shifra nuk mund të konfirmohen. Gjithashtu, termi “azil kishtar” nuk paraqet një kategori të veçantë të azilit apo një mekanizëm për marrjen e lejes së qëndrimit. Ndërsa janë dokumentuar raste individuale të konvertimeve të rreme, kjo nuk dëshmon se një fenomen i tillë është masiv apo se procedurat janë ndryshuar në mënyrën e pretenduar. Përmbajtja u vlerësua si “Dezinformatë” (shih këtu).

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere