info@hibrid.info
Pretendimi i rremë për ‘migrante shqiptare hajdute’ në Venecia shpërndahet nga llogaritë në X
shape
shape
shape

Shkroi: Festim Rizanaj

Llogaritë Vukfenix dhe MarioZNA në platformën X, më 25 gusht (e hënë), kanë publikuar një video ku shihen duke u fjalosur dy gra. Sipas përshkrimit të postimit, incidenti ka ndodhur në Venecia të Italisë, ku pretendohet se një turiste amerikane ka kapur për flokësh një vajzë migrante shqiptare, e dyshuar si hajdute xhepash.

Postimi shton se turistes i ishin marrë kufjet AirPods dhe pasaporta, të cilat ajo i ka gjurmuar përmes aplikacionit “Find My”, duke identifikuar dhe përballur të dyshuarën. Pretendimi thekson gjithashtu se gruaja amerikane është nënë e tetë fëmijëve.

Çfarë u gjet pas verifikimit?

Pas kërkimeve në media ndërkombëtare dhe burime të tjera të besueshme, nuk ka asnjë informacion që konfirmon identitetin ose kombësinë e vajzës së përfshirë në incident. Artikuj të publikuar nga media si Daily Mail raportojnë rastin duke u fokusuar te veprimet e turistes amerikane, Christina Cadieu Greene, dhe konteksti i gjerë i problemeve me hajdutët e xhepave në Venecia.

Megjithatë, këto burime nuk e specifikojnë nacionalitetin e vajzës së dyshuar.

Nacionaliteti i të dyshuarës mund të jetë i hamendësuar ose i nxjerrë nga paragjykime të ndryshme, por pa prova konkrete nga burime të besueshme, ky mbetet vetëm spekulim.

Raportimet mediatike theksojnë më shumë reagimin e turistes dhe përdorimin e teknologjisë për të gjurmuar sendet e vjedhura, sesa prejardhjen e hajdutes së dyshuar. Prandaj, edhe pse postimi pretendon se hajdutja është shqiptare, ky detaj nuk mbështetet nga artikujt e lidhur apo raportet zyrtare.

Për llogaritë që e shpërndanë

Llogaria “VukFeNix” në X (e krijuar në vitin 2022) ka 951 ndjekës dhe shpesh publikon përmbajtje me prirje pro-serbe, pro-ruse, si dhe mesazhe anti-perëndimore, anti-islamike dhe anti-shqiptare. (shih këtu) Ajo ka postuar videon origjinale, e cila mori 15 ripostime dhe 4 mijë shikime.

E njëjta video u shpërnda nga llogaria Mario ZNA, e cila ka 25.9K ndjekës dhe arriti 118 ripostime dhe mbi 62 mijë shikime, duke e amplifikuar kështu dukshëm përhapjen e pretendimit të paverifikuar.


Analiza

Pretendimi se hajdutja e dyshuar është “migrante shqiptare” buron vetëm nga postimi i llogarisë VukFeNix në X.

Ky pretendim nuk është i konfirmuar nga burime zyrtare apo media të besueshme dhe vlerësohet si i paverifikuar.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info këtë postim e vlerëson si “dezinformatë”.


Arsyetimi

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.

Share With Others