info@hibrid.info
Pretendohet rrejshëm se grupi që kreu sulmin në Banjskë ka thënë që ka vepruar me porosi të opozitës në Kosovë
shape
shape
shape

Shkroi: Etrit Rexhepi

Nëpërmjet një postimi në median sociale Facebook është pretenduar se grupi i cili ka kryer sulmin në Banjskë të Zveçanit në shtator të 2023-s, ka thënë se ka vepruar me porosi të opozitës kosovare.

Pretendimi u publikua të premten (31 tetor) nga llogaria në Facebook, me emrin “Halil Geci” nëpërmjet një shkrimi dhe një imazhi.

E vërteta?

Përmbajtja e publikuar nuk bazohet në asnjë fakt. Aty citohen “qarqe mediatike rajonale”, teksa citohen edhe burime nga hetimet, por edhe njohës të zhvillimeve politike (pa emra specifikë). Në përmbajtje thuhet se ky grup ka pretenduar se pas aksionit qëndronin struktura politike nga opozita në Kosovë, me qëllim rrëzimin e Qeverisë Kurti.

Pjesë nga përmbajtja:

DEKLARATË TRONDITËSE NGA GRUPI I RADOJÇIQIT: “VEPRUAM ME POROSI TË OPOZITËS KOSOVARE”

Grupi i armatosur që kreu sulmin në Banjskë pretendon se pas aksionit qëndronin struktura politike nga opozita në Kosovë, me qëllim rrëzimin e qeverisë Kurti.

Një deklaratë e re, që po qarkullon në qarqet mediatike rajonale, ka tronditur opinionin publik në Kosovë. Grupi i udhëhequr nga Millan Radojçiqi, i cili akuzohet për organizimin e sulmit terrorist në Banjskë, thuhet se ka vepruar me porosi të disa përfaqësuesve të opozitës kosovare.

Burime të afërta me hetimet pohojnë se grupi kishte marrë premtime politike dhe mbështetje të fshehtë për veprime që synonin destabilizimin e qeverisë së Albin Kurtit. Këto pretendime, nëse vërtetohen, mund të hapin një kapitull të ri në hetimet për prapaskenat e ngjarjeve të shtatorit në veri të vendit.


Hibrid.info ka verifikuar nëpërmjet “Google” për artikuj me pretendimin e ngjashëm. Në asnjë rast nuk është hasur një përmbajtje e tillë se ka pasur deklaratë të tillë nga grupi i Radoiçiqit apo se ky grup ka deklaruar se ka vepruar “me porosi të opozitës kosovare”.

Nga kërkimet, doli se një përmbajtje e ngjashme ishte publikuar në Facebook më 9 korrik nga llogaria me emrin “Daim Hiseni”.

E përmbajtje të tilla nuk është gjetur se ka pasur as në gjuhën serbe (shih këtu).


Pos shkrimit, është publikuar edhe një fotografi që shfaq një fotografi nga rasti i Banjskës me një shkrim që ngjan sikur të ishte artikull mediatik.


Duke marrë për bazë kërkimet me imazhin e publikuar, del se përmbajtja ishte publikuar më parë në Facebook në formë të videos nga llogaria “Albin Kingi” më 14 korrik. E në këtë video të publikuar shihet se ajo ka qenë paraprakisht e publikuar në Tiktok.

Hibrid.info ka verifikuar për publikime të tilla në TikTok dhe ka hasur në të paktën katër llogari që e kanë publikuar përmbajtjen, por me datë më të vonshme (shih këtu, këtu, këtu dhe këtu).


Publikimi i llogarisë “Halil Geci” në Facebook ka marrë mbi 460 shpërndarje, mbi 380 komente e mbi 850 reagime, deri në momentin e trajtimit.

Çka dihet për deklarata nga ky grup?

Në shtator të 2023-s, Millan Radoiçiq e pati marrë përgjegjësinë për sulmet ndaj Policisë më 24 shtator të atij viti në Banjskë të Zveçanit. Si pasojë e këtyre sulmeve qe vrarë zyrtari policor Afrim Bunjaku. Radoiçiqi e pati bërë deklaratën përmes një letre të lexuar nga avokati i tij, Goran Petronijeviq për publikun nga Beogradi. (shih këtu) Në kërkime në internet nuk janë hasur deklarata të tjera nga Radoiçiq apo të akuzuarit tjerë.

Në shtator të 2024-s, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë kundër 45 personave për sulmin e armatosur në Banjskë duke i ngarkuar shumicën e tyre për kryerje të terrorizmit dhe të veprave të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës. Tre prej të pandehurve që përfshin aktakuza tashmë janë në paraburgim në Kosovë (shih këtu).

Analizë:

Nëpërmjet një publikimi në Facebook, llogaria “Halil Geci” ka pretenduar rrejshëm se grupi i cili akuzohet se ka kryer sulmin në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator 2023, ka dalë me një deklaratë në të cilën ka thënë se ka vepruar me porosi të opozitës kosovare.

Publikimi nuk bazohet në asnjë fakt. Hibrid.info ka verifikuar përmes makinave online të kërkimit dhe nuk ka hasur ndonjë deklaratë të tillë të publikuar në ndonjë burim kredibil.

Publikimi i ngjashëm si i llogarisë “Halil Geci” është hasur në disa llogari të tjera në Facebook e TikTok më herët.

Andaj, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson përmbajtjen si “Lajm i rremë”.

Arsyetimi:

Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.

Share With Others

Leave a Reply