Një video e publikuar në Facebook nga faqet “V7” dhe “Kosova Channel” u shpërnda me pretendimin se protestuesit në Tiranë po brohorisnin “Duam Albin Kurtin”. Në pamje shihen qytetarë që po protestojnë kundër ndërtimit të një resorti turistik në zonën e Zvërnecit.
E vërteta?
Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se protestuesit nuk po thërrisnin “Duam Albin Kurtin”, por “Ju erdhi fundi”.

FAKTET
Hibrid.info identifikoi fillimisht publikime të mediave në Shqipëri që kishin shpërndarë pamjet e së njëjtës protestë nga kënde të tjera filmimi. Në përshkrimet e këtyre videove sqarohet se brohoritja e protestuesve ishte “Ju erdhi fundi” (shih këtu dhe këtu).
Për të konfirmuar më tej këtë fakt, u gjetën edhe raportime të mediave shqiptare që mbuluan protestën dhe raportuan se slogani “Ju erdhi fundi” ishte një nga brohoritjet kryesore të pjesëmarrësve (shih këtu, këtu dhe këtu).
Pak kontekst
Në Shqipëri, me anë të protestave po kundërshtohet një projekt i madh turistik në zonën e mbrojtur Pishë Poro–Nartë, pranë Vlorës, i cili parashikon ndërtimin e hoteleve dhe vilave luksoze me vlerë miliarda euro dhe është i lidhur me investitorë të huaj, përfshirë plane të mëhershme të përmendura të Jared Kushner, dhëndrit të presidentit amerikan Donald Trump.
Banorët, aktivistët dhe shoqëria civile po protestojnë kryesisht për shkak të ndikimit të mundshëm në mjedisin e ndjeshëm të zonës, kontesteve të pronësisë së tokës, si dhe mungesës së transparencës rreth projektit dhe mënyrës së miratimit të tij (shih këtu).
Analiza
Pretendimi se protestuesit në Tiranë brohoritën “Duam Albin Kurtin” është i pavërtetë.
Verifikimi i videove të protestës kundër ndërtimit të një resorti turistik në zonën e Zvërnecit tregon se qytetarët po thërrisnin “Ju erdhi fundi”. Kjo u konfirmua nga pamje të publikuara nga media të ndryshme shqiptare nga kënde të tjera filmimi, si dhe nga raportimet mediale që kanë mbuluar protestën.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Manipulim i fakteve”.
Arsyetimi
Vlerësimin si “Manipulim i fakteve” marrin ato përmbajtje informative që përdorin fakte të njohura si të sakta, por i interpretojnë ato në mënyrë të shtrembëruara. Këto raporte zakonisht përdorin informacion të saktë për të nxjerrë përfundime ose pretendime të pasakta, duke drejtuar kështu përfundimet e konsumatorëve të përmbajtjes së mediave në drejtim të gabuar në lidhje me kuptimin aktual të fakteve të paraqitura.