info@hibrid.info
ShBA-ja nuk i ka premtuar Kosovës dhjetë avionë F‑16 pas anëtarësimit në NATO
shape
shape
shape

Shkroi: Etrit Rexhepi

Publikohet një imazh ku paraqiten disa avionë luftarakë, në bishtat e të cilëve është vendosur flamuri i Kosovës.

Kjo përmbajtje është publikuar të shtunën (21 shkurt) në Facebook nga një llogari me emrin “Lajme Nga Bota” dhe ka mbishkrimin që pretendon se Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë premtuar Kosovës dhjetë avionë luftarakë F-16, pas anëtarësimit eventual të vendit tonë në NATO.

Cila është e vërteta?

Hibrid.info ka gjetur se kjo përmbajtje është gjeneruar nga inteligjenca artificiale (IA). Madje, as pretendimi i paraqitur nuk konfirmohet nga burime zyrtare dhe të besueshme.

Kjo përmbajtje deri në momentin e trajtimit ka marrë mbi 1 mijë e 200 pëlqime dhe mbi 120 komente, nga përmbajtja e të cilëve mund të vlerësohet se audienca ka gjasa ta përceptojë pretendimin si të besueshëm.


Hibrid.info ka kontrolluar përmes programit të automatizuar të kërkimit “InVID” dhe ka gjetur se kjo fotografi është shkëputur nga një video-material i publikuar në Facebook nga llogaria me emrin “Labinot Gashi” (shih këtu).

Videoja e postuar nga Labinot Gashi ka përshkrimin që sqaron se e njëjta është gjeneruar nga IA.

Mundësia që ky imazh të jetë gjeneruar nga kjo teknologji është mbi 50%, sipas “HiveModeration”, që është platformë e analizimit të përmbajtjeve të krijuara nga IA.


Ndërkaq, pas analizimit të video-materialit prej nga është nxjerrë ky imazh, “Hivemoderation” e ka dhënë të lartë mundësinë që kjo përmbajtje është e gjeneruara nga IA.


Hibrid.info ka hulumtuar edhe për pretendimin me anë të makinës së kërkimit “Google”, duke kërkuar me fjalët “10 avionë f-16 për kosovën” (shih këtu).

Përveç disa përmbajtjeve që pretendonin se Turqia do ta pajisë Kosovën me avionë F-16, çështje e trajtuar më herët nga hibrid.info (këtu), kërkimi nuk nxori asnjë burim të besueshëm që do ta konfirmonte këtë pretendim.


Hibrid.info kontrolloi edhe në faqet në Facebook të Minisrisë së Mbrojtjes dhe Qeverisë së Kosovës, të cilat shërbejnë si burime zyrtare informimi, por nuk hasi në njoftime të këtyre institucioneve ku do të mund të vërtetohej pretendimi në fjalë (shih këtu dhe këtu).

Për shkak se në pretendim përmendet ShBA, hibrid.info ka kontrolluar edhe në uebfaqet e Departamentit të Mbrojtjes së këtij shteti dhe të Shtëpisë së Bardhë. As aty nuk u gjet asnjë njoftim zyrtar që do të përputhej me pretendimin e trajtuar në këtë artikull (shih këtu dhe këtu).


Në një intervistë të javës së fundit të Ejup Maqedoncit, ministrit të Mbrojtjes, ai ka bërë të ditur se Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) është në proces të blerjes së helikopterëve multifunksionalë, të cilët pritet të rrisin kapacitetet ajrore për transport, mbështetje operative dhe reagim në situata emergjente. Po ashtu, është paralajmëruar edhe sigurimi i një sistemi të katërt antitank, në kuadër të zgjerimit të kapaciteteve mbrojtëse tokësore (shih këtu).


F‑16 Fighting Falcon është një avion luftarak me një motor, i projektuar fillimisht nga General Dynamics për Forcën Ajrore të Shteteve të Bashkuara, që u bë një nga avionët më të përdorur në botë. Ai është i aftë për misione ajër‑në‑ajër dhe ajër‑në‑tokë, me sistem elektronik të avancuar dhe aftësi të operojë në kushte të ndryshme moti (shih këtu).

Analiza:

Me anë të një imazhi pretendohet se Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë premtuar Kosovës dhjetë avionë luftarakë F-16, pas anëtarësimit eventual të vendit në NATO.

Mirëpo, ky publikim nuk është i besueshëm. Analizat tregojnë se imazhi mund të jetë gjeneruar nga inteligjenca artificiale (IA), pasi ai është shkëputur nga një video të cilën platforma “HiveModeration” e ka vlerësuar me mundësi të lartë të jetë e gjeneruar nga IA.

Hibrid.info gjithashtu nuk ka gjetur asnjë burim zyrtar që të konfirmojë pretendimin e postimit, duke përfshirë faqet e Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës, Qeverisë së Kosovës, Departamentit të Mbrojtjes së ShBA-së dhe Shtëpisë së Bardhë. Kërkimi në Google nuk nxori ndonjë informacion të besueshëm që mbështet këtë pretendim.

Sipas informacionit zyrtar të ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) është duke blerë helikopterë multifunksionalë dhe po planifikon sisteme të tjera mbrojtëse tokësore, por nuk përmenden avionë F-16.

Andaj, bazuar në metodologjinë e punës, Hibrid.info e vlerëson këtë pretendim si “Lajm i rremë”.

Arsyetimi:

Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.

Share With Others

Leave a Reply