Në një reagim publik, Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë (ZKQS) ka pretenduar për thyerjen e një xhami të një ambulance në Grackë të Vjetër të Lipjanit.
Kjo zyrë e ka ndërlidhur rastin me “retorikë anti-serbe nga regjimi në Prishtinë”.
Në reagimin e ZKQS-së është thënë se kjo ambulancë ka ofruar shërbime mjekësore për disa familje serbe që vazhdojnë të jetojnë në këtë zonë. Sipas njoftimit, ambulanca ka rol të rëndësishëm në dhënien e kujdesit parësor shëndetësor.

Pjesë nga reagimi, përkthyer dhe përshtatur në shqip:
“Prandaj ky sulm në ambulancë po ashtu përfaqëson një sulm në mbijetesën e popullit serb në këtë enklavë, ku serbët vuajtën tmerrësisht në vitin 1999 kur 14 korrës u vranë brutalisht. Serbët në këtë vend po frikësohen me të drejtë dhe po shqetësohen për sigurinë e tyre dhe çdo incident duhet të trajtohet me seriozitetin më të madh, dhe pa dyshim, incidenteve të tilla u paraprin retorika anti-serbe e regjimit në Prishtinë, pandëshkueshmëria e përgjegjësve të incidenteve të mëhershme si dhe përgjigja joadekuate e komunitetit ndërkombëtar, që nuk i vëren këto sulme ndaj serbëve dhe institucioneve të tyre me vëmendjen e duhur”.
Çka nuk shkon me këtë pretendim?
ZKQS-ja nuk ka dhënë asnjë fakt se incidenti mund të ketë prapavijë ndëretnike apo që ndërlidhet me retorikën politike.
Mediumi në gjuhën serbe “kosovo-online.com” ka publikuar pamje nga vendi i ngjarjes. Ndërsa në raportimin për thyerjen e xhamit ka shkruar se “autorët janë të panjohur”.
Policia e Kosovës deri tash nuk ka publikuar ndonjë njoftim.
Reagimi i ZKQS-së u publikua në disa media në gjuhën serbe (shih këtu, këtu dhe këtu).
Hibrid.info ka trajtuar disa raste kur ZKQS-ja ka bërë pretendime të tilla, por pa ofruar asnjë fakt (shih këtu, këtu dhe këtu).
Analiza:
Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë (ZKQS) pretendoi se thyerja e xhamit të një ambulance në Grackë të Vjetër në Lipjan lidhet me “retorikën anti-serbe” të institucioneve të Kosovës.
Megjithatë, nuk ofroi asnjë fakt apo dëshmi që e mbështet këtë pretendim.
Edhe raportimet mediale flasin për autorë të panjohur, ndërsa Policia e Kosovës nuk ka dhënë ende informacione për motivin e incidentit.
Andaj, bazuar në metodologjinë e vlerësimit, hibrid.info e vlerëson pretendimin si “Teori Konspirative”.
Arsyetimi
Vlerësim si “Teori konspirative” marrin ato përmbajtje informative të cilat në vete përmbajnë një përshkrim të rremë ose të paverifikueshëm të një dukurie, ngjarje ose një personi, duke e paraqitur atë si pjesë ose rezultat të një plani të fshehtë (“komplot”). Karakteristikë e këtyre përmbajtje është se ato paraqesin një seri pretendimesh, të paraqitura si fakte, midis të cilave vendosen marrëdhënie shkak-pasojë, pa ofruar ndonjë provë të besueshme.