Shkroi: Etrit Rexhepi
Është publikuar një artikull i titulluar “Specialja merr vendim: Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi rikthehen më 19 gusht”.
Përmbajtja me këtë titull është publikuar dje (2 korrik) nga mediumi online “Klan Kosova”.
Çka nuk shkon me këtë titull?
Në titull mungon sqarimi se katër të akuzuarit do të marrin pjesë në një konferencë gjyqësore më 19 gusht, ku ekipet e tyre mbrojtëse do të bëjnë të ditur përfundimisht numrin e dëshmitarëve dhe listën e provave që synojnë të përdorin gjatë paraqitjes së rastit të tyre.
Hibrid.info ka gjetur se mediumi “Klan Kosova” e ka redaktuar më vonë artikullin, duke e ndryshuar titullin e tij nga “Specialja merr vendim: Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi rikthehen më 19 gusht” në “Specialja merr vendim: Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi rikthehen në gjykatë më 19 gusht” (shih këtu).

Lajmi me këtë titull është publikuar edhe nga media si “Periskopi.com”, “EkonomiaOnline.com”, “Lajmi.net” dhe nga një numër i konsiderueshëm i faqeve në Facebook (shih këtu).
Nga ana tjetër, në bazë të komenteve që ka marrë postimi i këtij artikulli në faqen e mediumit “Periskopi” në Facebook, mund të vlerësohet se audienca ka gjasë që ta lexojë titullin si informacion për lirimin e të akuzuarve dhe rikthimin e tyre në Kosovë (shih këtu).

Në kreun e lajmit tregohet se, “Trupi Gjykues në rastin e madh të Speciales, “Thaçi dhe të tjerët”, në krye me Charles Smith III e ka pranuar kërkesën e ekipeve mbrojtëse të katërshes për ta shtyrë konferencën përgatitore për Mbrojtjen nga 21 korriku në javën e tretë të gushtit 2025”.
Ndërsa, informacioni sqarohet kur thuhet se, “Rrjedhimisht, Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi dhe ekipet e tyre mbrojtëse do të bëjnë të ditur përfundimisht numrin e dëshmitarëve dhe listën e provave që synojnë të përdorin gjatë paraqitjes së rastit të tyre, të martën më 19 gusht nga ora 10 e mëngjesit”.
Që do të thotë se informacioni në përmbajtje e sqaron se “rikthimi” i përmendur në titull i referohet pjesëmarrjes së të akuzuarve dhe ekipeve të tyre mbrojtëse në konferencën përgatitore të caktuar për 19 gusht 2025.
Hibrid.info ka gjetur në ueb-faqen e Dhomave të Specializuara dhe Zyres së Prokurorit të Specializuar të Kosovës, dokumentin e vendimit të publikuar dje (2 korrik) mbi kërkesën e përbashkët të mbrojtjes së të akuzuarve për ndryshimin e orarit të konferencës përgatitore (shih këtu).
Pas kërkimit shtesë në ueb-faqe, për informacione rreth procesit, Hibrid.info ka gjetur se rasti i njohur si “Thaçi dhe të tjerët” është në fazën e gjykimit, ndërsa sipas të dhënave, paraqitja e provave nga ana e Prokurorisë është përmbyllur (shih këtu).
Analiza:
Titulli i përmbajtjes së trajtuar tregon se Gjykata Speciale ka marrë vendim që Thaçi dhe të tjerët do të rikthehen më 19 gusht, por nuk e sqaron se bëhet fjalë për rikthim në gjykim.
Paraqitja e titullit në këtë mënyrë pa kontekst, lë të kuptohet gabimisht se të akuzuarit po lirohen ose po kthehen në Kosovë.
Andaj, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Clickbait”.
Arsyetimi:
“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bënë të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.