info@hibrid.info
Vjosa Osmani nuk ka thënë se Kosova dhe SHBA kanë ushtrinë më të fortë në botë
shape
shape
shape

Shkroi: Etrit Rexhepi

Është publikuar një artikull që pretendon se Vjosa Osmani, presidentja e Kosovës ka deklaruar se Kosova dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës bashkë kanë ushtrinë më të fortë në botë.

Artikulli është publikuar të enjten (4 shtator) në domainin propagandistik rus “albania.news-pravda.com”.

Përmbajtja fillimisht është publikuar në kanalin në “Telegram” me emrin “wartimedia”.

Çka nuk shkon me përmbajtjen?

Hibrid.info ka gjetur se një deklaratë e tillë nuk ka ardhur nga presidentja Osmani.


Artikullit i është bashkangjitur një fotografi e një postimi në platformën “X”, ku shihet presidentja Osmani me mbishkrimin e deklaratës që pretendohet se është bërë nga ajo.

Në këtë fotografi nuk shihet se kush e ka bërë këtë postim në “X”.

Hibrid.info ka bërë kërkim manual në “X” me mbishkrimin e këtij postimi dhe ka gjetur se kjo përmbajtje është publikuar të mërkurën (3 shtator) nga një llogari me emrin “kos_data” (shih këtu).

Hibrid.info po ashtu kontrolloi në llogarinë e presidentes Osmani në “X”, për të verfikuar nëse ky postim figuron në hapësirën e përmbajtjeve të publikuara nga ajo, por i njëjti nuk është hasur (shih këtu). Kjo përmbajtje nuk është gjetur as në llogarinë e presidentes Osmani në Facebook (shih këtu).

Fotografia ku shihet Osmani prane ushtarëve, është shkrepur gjatë vizitës së saj më 21 shtator të vitit 2024, në akademinë ushtarake në West Point të ShBA-së (shih këtu).

Analiza:

Pretendimi se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë ndonjëherë deklaratë se Kosova dhe ShBA-ja bashkë kanë ushtrinë më të fortë në botë nuk qëndron.

Hibrid.info gjeti se në asnjë prej burimeve zyrtare të informimit të Vjosa Osmanit nuk figuron një deklaratë e tillë, dhe postimi është shpërndarë nga një llogari jozyrtare në “X”, që më pas është interpretuar se deklaratë e Osmanit..

Andaj, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson përmbajtjen si “Lajm i rremë”.

Arsyetimi:

Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.

Share With Others