Të fundit | Mediat serbe për aktgjykimin e Hagës ndaj ish-krerëve të UÇK-së: nga “dënim… Të fundit | Media ruse e serbe paraqesin rrejshëm protestën në Tiranë si “trazira” për… Të fundit | Pretendohet pabazë se Albin Kurti është vlerësuar pozitivisht në raportimet… Të fundit | Manipulohet fotografia e protestës së vitit 2022, i ndryshohet mbishkrimi n… Të fundit | Deklarata e vjetër e Musliut mundohet të paraqitet si reagim pas vendimit n… Të fundit | Vrasja e Xhemail Mustafës paraqitet rrejshëm si pjesë e aktgjykimit të Hagë… Të fundit | Bosnitch shtrembëron faktet për sulmet e autobusëve në Kosovë më 1999 dhe 2… Të fundit | Pretendohet rrejshëm se Kurti ka pranuar që Thaçi të bëhet president nëse l… Të fundit | Pretendim i pakonfirmuar se gjashtë futbollistë të tjerë do ta bojkotojnë K… Të fundit | Pretendohet pa bazë se vetëm dy nga ish-krerët e UÇK-së do të lirohen më 16…
[ ARTIKULLI ]

Mediat serbe për aktgjykimin e Hagës ndaj ish-krerëve të UÇK-së: nga “dënimet e turpshme” te narrativa e “drejtësisë së paplotë”

FESTIM RIZANAJ

Aktgjykimi i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit u bë një nga temat kryesore të raportimit të mediave serbe më 17 shtator 2026. Katër ish-krerët e UÇK-së u dënuan me gjithsej 81 vjet burgim: Thaçi dhe Krasniqi me nga 25 vjet, Veseli me 18 vjet dhe Selimi me 13 vjet. Gjykata i shpalli fajtorë për krime lufte, përfshirë ndalimin e paligjshëm të 385 personave, trajtimin mizor të 49 personave, torturimin e 303 personave dhe vrasjen e 96 personave.

Megjithatë, mënyra se si u kornizua ky vendim në një pjesë të konsiderueshme të mediave serbe nuk u përqendrua vetëm te faktet dhe përmbajtja juridike e aktgjykimit. Raportimi u organizua kryesisht rreth pyetjes se çfarë nuk u përfshi në dënim, veçanërisht akuzat për krime kundër njerëzimit dhe persekutimin e serbëve.

Nga ballinat dhe raportimet përcjellëse dalin tri korniza kryesore: dënimet paraqiten si të pamjaftueshme, theksohet mungesa e një dënimi për atë që përshkruhet si persekutim ose spastrim etnik i serbëve dhe aktgjykimi interpretohet si një formë e drejtësisë së paplotë. Megjithatë, këto korniza nuk shfaqen me të njëjtin intensitet në të gjitha mediat.

Dënimet si “të turpshme” dhe shumë të buta

Një nga shembujt më të qartë të gjuhës emocionale është Informer. Gazeta e paraqiti vendimin me titullin “Sramne kazne za šiptarske koljače” (Dënime të turpshme për kasapët shqiptarë). Në raportimin e saj, Informer theksoi se katër ish-krerët e UÇK-së morën gjithsej 81 vjet burg, ndërsa prokuroria kishte kërkuar gjithsej 180 vjet.

Krahasimi mes dënimeve të kërkuara dhe atyre të shqiptuara përdoret për ta paraqitur aktgjykimin si shumë më të butë sesa, sipas gazetës, do të duhej të ishte në raport me krimet e trajtuara në proces. Në këtë kornizë, vendimi nuk paraqitet vetëm si rezultat i një procedure gjyqësore, por si një vendim që, sipas gazetës, nuk përputhet me peshën e vuajtjeve të viktimave.

Një qasje të ngjashme, por me formulim tjetër, përdor Novosti. Gazeta e cilësoi vendimin me titullin se të dënuarit u “çliruan për dëbimin masiv të serbëve”, ndërsa në raportimin e saj e krahasoi dënimin e dhënë me dënimet që kishte kërkuar prokuroria. Gazeta raportoi se ata u shpallën fajtorë për arrestimin e 385 personave, torturimin e 303, trajtimin e rëndë të 49 dhe vrasjen e 96 personave, ndërsa në fund theksoi se “mbyllën edhe bebet dhe njerëzit i rrahnin me çekanë”.

Edhe Kurir e vendosi këtë dimension në ballinë përmes pyetjes Presuda ili farsa?” (Aktgjykim apo farsë?). Formulimi nuk e vë në dyshim ekzistencën e vendimit, por e zhvendos debatin te kuptimi, legjitimiteti dhe mjaftueshmëria e tij. Në raportimet e mëvonshme, gazeta publikoi edhe vlerësime se dënimet ishin minimale në raport me krimet e pretenduara.

“Jo për pastrimin etnik të serbëve”: fokusi te ajo që nuk u dënua

Korniza e dytë është veçanërisht e dukshme në ballina e Alo!. Ky medium përdori titullin “Osuđeni OVK krvnici, ali ne za etničko čišćenje Srba” (U dënuan kriminelët e UÇK-së, por jo për spastrim etnik të serbëve).

Vetë struktura e titullit është domethënëse. Pra, dënimi nuk mohohet, por paraqitet si i kufizuar për shkak se përgjegjësia penale nuk u shtri edhe te akuzat për krime kundër njerëzimit.

Blic përdori një titull më të shkurtër dhe më pak emocional, Tačiju 25 godina robije” (Thaçit 25 vjet burg). Megjithatë, në raportimin shoqërues theksoi se dënimi ishte për krime lufte dhe jo për krime kundër njerëzimit.

Viktimat, torturat dhe “drejtësia e paplotë”

Një tjetër mënyrë e fuqishme e kornizimit shihet te Srpski Telegraf. Gazeta e lidhi vendimin me titullin “Tačijev najveći masakr nad Srbima” (Masakra më e madhe e Thaçit ndaj serbëve). Në tekstin shoqërues përdoren përshkrime të rënda të torturave dhe dhunës, duke përmendur edhe foshnja, të moshuar dhe persona të trajtuar në mënyrë çnjerëzore.

Në këtë rast, viktimat bëhen pika kryesore përmes së cilës lexuesi udhëzohet ta kuptojë aktgjykimin. Dënimi prej 25 vitesh për Thaçin dhe dënimet e tjera vendosen në sfondin e një rrëfimi shumë më të gjerë mbi dhunën ndaj serbëve. Kështu, aktgjykimi shërben jo vetëm si raportim për një rezultat gjyqësor, por edhe si mundësi për të rikthyer një narrativë më të gjerë mbi krimet e luftës në Kosovë.

Në të njëjtën linjë, Informer përdor gjuhë që e lidh vendimin drejtpërdrejt me viktimat serbe. Gazeta e përshkroi aktgjykimin si një dënim të pamjaftueshëm dhe si një padrejtësi ndaj viktimave. Këtu, dënimi prej 81 vitesh nuk trajtohet si rezultat përfundimtar i procesit, por si një pikë krahasimi me atë që gazeta e paraqet si përgjegjësi shumë më të gjerë.

Kjo mënyrë e raportimit çon te korniza e tretë: aktgjykimi si drejtësi e paplotë. Në këtë interpretim, gjykata ka dënuar katër ish-krerët e UÇK-së për krime lufte, por nuk ka dhënë atë që një pjesë e mediave serbe e paraqesin si përgjegjësi të plotë për krimet ndaj serbëve. Kështu, ajo që mungon në aktgjykim bëhet po aq e rëndësishme sa ajo që përfshihet në të.

Prezantimi i aktgjykimit

Në këtë spektër, Politika dhe Danas paraqiten me një qasje prezantuese. Politika në ballinë theksoi se ish-udhëheqësit e UÇK-së u dënuan me gjithsej 81 vjet burg dhe raportoi dënimet individuale dhe reagimet pas shpalljes së vendimit. Edhe pse në raportimet e mëvonshme u trajtuan deklaratat politike dhe krimet që nuk u përfshinë në përgjegjësinë penale, ballina ishte më pak emocionalizuese se ajo e tabloideve.

Danas e përmblodhi vendimin me formulimin “Tačiju i drugima za zločine OVK 81 godina zatvora” (Thaçit dhe të tjerëve 81 vjet burg për krimet e UÇK-së). Raportimi u fokusua te veprat konkrete për të cilat u shpallën fajtorë: ndalimet e paligjshme, trajtimi mizor, tortura dhe vrasjet. Në këtë mënyrë, përmbajtja e aktgjykimit qëndron më shumë në qendër sesa interpretimi politik i tij.

Këto dallime tregojnë se nuk ekziston një mënyrë e vetme e raportimit të aktgjykimit në mediat serbe. Tabloidët si Informer, Srpski Telegraf, Alo! dhe Kurir përdorin gjuhë më të fortë emocionale dhe e vendosin në qendër atë që e paraqesin si pamjaftueshmëri të drejtësisë. Večernje Novosti fokusohet te mungesa e përgjegjësisë për dëbimin ose persekutimin e serbëve, ndërsa Blic e lidh raportimin me dënimin e Thaçit dhe dallimin mes krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit. Në anën tjetër, Politika dhe Danas i japin më shumë hapësirë rezultateve juridike dhe zhvillimeve të procesit.

Deklaratat e Vuçiqit në konferencën e shtypit

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq mbajti të mërkurën mbrëma (16 shtator) një konferencë të veçantë për shtyp, ku e komentoi gjerësisht vendimin. Mesazhi i tij kryesor ishte se “nuk ka arsye as për gëzim, as për trishtim” dhe se serbët “nuk duhet të pranojnë këtë vendim me asnjë lloj euforie”.

Ai theksoi se nga 10 pikat e aktakuzës, të gjashta që kishin të bënin me krimet kundër njerëzimit (persekutimi, burgosja, veprime të tjera çnjerëzore, tortura, vrasja dhe zhdukja e detyruar) u hodhën poshtë. Sipas tij, “si gjykatë e të ashtuquajturës Kosovë, ata nuk donin të rrënonin kredibilitetin e UÇK-së dhe nuk hynë në meritumin e formimit të forcave që synonin shkëputjen e Kosovës nga Serbia dhe RFJ-ja”.

Vuçiq vuri në dukje se nuk u përfshinë krimet e kryera ndaj serbëve pas 20 qershorit 1999, kur erdhi KFOR-i, duke i cilësuar disa prej tyre si “më të rëndat e mundshme”. Ai përmendi veçanërisht se “Shtëpia e verdhë” (Žuta kuća) dhe tregtia e organeve nuk ishin pjesë e aktakuzës, as rrëmbimet e serbëve në Orahovec, minatorët e Belaçevacit, kampi i Lapushnikut, Gllogjani, liqeni i Radoniqit dhe raste të tjera.

“Serbët do të jenë gjithmonë kriminelë, ndërsa të tjerët çlirimtarë dhe heronj”, tha ai, duke kritikuar reagimet nga rajoni dhe komuniteti ndërkombëtar si “hipokrizi”. Vuçiq krahasoi tonet e ashpra ndaj funeralit të Ratko Mlladiçit me qëndrimin më të butë ndaj liderëve të UÇK-së dhe përmendi shembuj si Ante Gotovina.

Në fund, ai theksoi se për Serbinë “më e rëndësishmja është ruajtja e paqes dhe stabilitetit” dhe se “të gjithë së bashku nuk ishim mjaftueshëm të përgatitur për t’u përballur me gabimet tona dhe me krimet e kryera në emrin tonë”.

Në përgjithësi, mediat serbe e paraqitën vendimin si një kompromis politik: dënime të rënda për krime individuale, por “çlirim” për krimin më të madh – persekutimin sistematik të serbëve. Trazirat e shqiptarëve në Prishtinë dhe Hagë u shfrytëzuan gjerësisht si “dëshmi” e mungesës së respektit për drejtësinë, ndërsa deklaratat e Vuçiqit u bënë referenca kryesore për të mbështetur narrativën e “padrejtësisë së dyfishtë”.

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere