Shkroi: Fatbardh Dema
Kanalet në gjuhën serbe në Telegram “Српски Инат” (Inati serb) dhe “КОРИДОР” (Korridor), përmes një postimi të publikuar të hënën (22 dhjetor) kanë pretenduar se “Aktualisht në KM inspektorët terroristë shqiptarë po i vizitojnë barnatoret serbe, jozyrtarisht mësojmë se atyre u është dhënë një afat për mbylljen e barnatoreve”.
Çka nuk shkon me këtë pretendim?
Pas hulumtimit të kryer online, hibrid.info ka vërtetuar se një pretendim i tillë nuk është gjetur i publikuar në asnjë media apo burim kredibil.

Hibrid.info ka kërkuar në “Google” me fjalët kyçe “inspektorët shqiptarë vizitojnë barnatoret serbe”, por që rezultatet nuk shfaqin asnjë publikim në media kredibile (shih këtu). Po ashtu as në mediat në gjuhën serbe nuk është publikuar ndonjë artikull me këtë pretendim (shih këtu).
Për herë të fundit që raportohet të ketë ndodhur një vizitë e inspektorëve në barnatoret serbe, është prilli i vitit 2024 (shih këtu).
Hibrid.info ka kërkuar edhe në ueb-faqen zyrtare të Zyrës për Kosovën në Qeveri të Serbisë, e që gjithashtu një pretendim i tillë nuk është gjetur i publikuar (shih këtu).
As subjekti politik i serbëve të Kosovës, Lista Serbe, nuk ka raportuar për një vizitë të tillë në barnatoret serbe (shih këtu).
Analiza:
Pretendimi se inspektorë shqiptarë po vizitojnë barnatoret serbe dhe se atyre u është dhënë një afat për mbyllje, nuk mbështetet në asnjë fakt.
Pas hulumtimit online, nuk është gjetur asnjë raportim nga media apo burime kredibile, as në gjuhën shqipe e as në atë serbe, që do ta konfirmonin një zhvillim të tillë.
Rasti i fundit i raportuar për vizita të inspektorëve në barnatoret serbe daton në prill të vitit 2024, sipas raportimeve të mediave që thirren në burime zyrtare informacioni.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë pretendim si “Teori konspirative”.
Arsyetimi:
Vlerësim si “Teori konspirative” marrin ato përmbajtje informative të cilat në vete përmbajnë një përshkrim të rremë ose të paverifikueshëm të një dukurie, ngjarje ose një personi, duke e paraqitur atë si pjesë ose rezultat të një plani të fshehtë (“komplot”). Karakteristikë e këtyre përmbajtje është se ato paraqesin një seri pretendimesh, të paraqitura si fakte, midis të cilave vendosen marrëdhënie shkak-pasojë, pa ofruar ndonjë provë të besueshme.



