[email protected]
Kurti nuk e ka falënderuar Xhakën për festimin me fanellën “Jashari”, siç pretendohet nga mediumi në gjuhën serbe
shape
shape
shape

Mediumi në gjuhën serbe “Kurir” ka publikuar të mërkurën (18 janar) një artikull me pretendimin se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka falënderuar futbollistin Granit Xhaka për festimin me fanellën “Jashari”, duke mbështetur kështu provokacionet e tij. Ky medium, pretendon se Kurti ka thënë për të përditshmen zvicerane “Blick” se është mirë kur dikush shpreh qëndrime politike në fushën e futbollit.

Artikulli mbanë titullin, “KURTI MBËSHTET HAPUR PROVOKACIONET E TURPSHME TË KAPITENIT TË PËRFAQËSIMIT TË Zvicrës: Faleminderit Xhakës për festimin e Jasharit?!”

Në intervistën e dhënë për mediumin sportiv të Zvicrës, Kurti nuk e ka falënderuar Xhakën për festimin me fanellën “Jashari” dhe nuk është shprehur se është mirë kur shpreh qëndrime politike në fushën e futbollit.

Vegëza e artikullit e publikuar në “Kurir”:

https://www.kurir.rs/vesti/politika/4090924/kurti-otvoreno-podrzao-sramne-provokacije-granita-dzake

Pjesë të artikullit të publikuar në “Kurir”:

Aljbin Kurti, i ashtuquajturi Kryeministri i Kosovës ka thënë për të përditshmen zvicerane “Blik” se është mirë kur dikush shpreh qëndrime politike në fushën e futbollit.

Kurti i pyetur nëse mendon se është në rregull kur në fushën e futbollit shprehen qëndrime politike, si kur Granit Xhaka pas fitores ndaj kombëtares serbe kishte veshur një bluzë me mbishkrimin “Jasari”, tha: “Varet. “Unë i konsideroj të sakta dhe të rëndësishme mesazhet kundër racizmit. Nëse dikush respekton identitetin e tij, kjo është mirë për mua”.


Më 18 janar është publikuar një intervistë e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në mediumin sportiv të Zvicrës, “Blick”, ku ndër të tjera është pyetur për festimin e Xhakës me fanellën “Jashari” dhe për shprehjen e qëndrimeve politike në fushë.

Mediumi në gjuhën serbe duke marrë dy përgjigjet e Kurtit lidhur me këto tema ka hedhur pretendime të paqena duke manipuluar me fakte.

Së pari, Kurti nuk ka thënë se është mirë kur dikush shpreh qëndrime politike në fushën e futbollit, por ai është shprehur se varet nga rasti.

“Varësisht. Mendoj se deklaratat kundër racizmit janë të drejta dhe të rëndësishme. Dhe nëse dikush nderon identitetin e tij, kjo është në rregull për mua.” (këtu)

Së dyti, Kurti nuk e ka falënderuar Xhakën për festimin me fanellën “Jashari”, por e ka falënderuar Xhakën dhe Shaqirin për frymëzimin e të rinjve që të luajnë futboll edhe në Kosovë.

“Faleminderit që frymëzuan kaq shumë talente të rinj për të luajtur futboll. Edhe në Kosovë.” (këtu)

Duke u bazuar në këto dy përgjigje, mediumi në gjuhën serb ka ndërtuar një pretendim të sajuar se gjoja Kurti ka falënderuar Xhakën për festimin me fanellën “Jashari”, dhe se ka thënë që është mirë kur dikush shpreh qëndrime politike në fushën e futbollit.


Analiza:

Mediumi në gjuhën serbe “Kurir” ka publikuar një artikull me pretendimin se kryeministri, Albin Kurti e ka falënderuar Xhakën për festimin me fanellën “Jashari”, duke mbështetur kështu provokacionet e tij. Ky medium, pretendon se ka thënë për të përditshmen zvicerane “Blick” se është mirë kur dikush shpreh qëndrime politike në fushën e futbollit.

Së pari, Kurti nuk ka thënë se është mirë kur dikush shpreh qëndrime politike në fushën e futbollit, por ai është shprehur se varet nga rasti.

Së dyti, Kurti nuk e ka falënderuar Xhakën për festimin me fanellën “Jashari”, por e ka falënderuar Xhakën dhe Shaqirin për frymëzimin e të rinjve që të luajnë futboll, edhe në Kosovë.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info, këto pretendime i vlerëson si “manipulim i fakteve”.


Vlerësimi:

Vlerësimin si “Manipulim i fakteve” marrin ato raportime mediatike që përdorin fakte të njohura si të sakta, por i interpretojnë ato në mënyrë të shtrembëruara. Këto raporte zakonisht përdorin informacion të saktë për të nxjerrë përfundime ose pretendime të pasakta, duke drejtuar kështu përfundimet e konsumatorëve të përmbajtjes së mediave në drejtim të gabuar në lidhje me kuptimin aktual të fakteve të paraqitura.

Share With Others