[email protected]
Jo, regjistruesit e popullsisë dhe Policia e Kosovës nuk kanë shkuar në veri për t’i dënuar personat që refuzojnë të regjistrohen
shape
shape
shape

Shkroi: Fatbardh Dema

Përmes një postimi u pretendua se regjistruesit e popullsisë së bashku me Policinë e Kosovës (PK) kanë shkuar në pjesën veriore të Kosovës dhe se kushdo që refuzon të regjistrohet, do të dënohet.

Ky pretendim u publikua dje (1 gusht) në median sociale “Telegram” nga llogaria në gjuhën serbe “BUNKER”.

Çka gjeti hibrid.info?

Pas hulumtimit të kryer përmes makinave online të kërkimit, hibrid.info nuk ka gjetur asnjë informacion të publikuar nga burime kredibile në lidhje me këtë pretendim.


Vegëza e postimit të publikuar në Telegram nga llogaria “BUNKER”:

https://archive.ph/Sm29K


Postimi i publikuar nga llogaria “BUNKER” në Telegram, i përkthyer në shqip:

Në pjesën veriore të Kosovës regjistruesit shkojnë së bashku me të ashtuquajturit Policia e Kosovës dhe kushdo që refuzon të regjistrohet do të dënohet


Një informacion i tillë nuk është gjetur i publikuar nga asnjë medium (shih këtu). Po ashtu, gjatë ditëve të fundit, as Policia e Kosovës e as Agjencia e Statistikave të Kosovës, të cilat përmenden në postimin e mësipërm, nuk kanë njoftuar lidhur me regjistrimin e popullsisë në pjesën veriore të Kosovës. (shih këtu dhe këtu)


Çka kishte thënë ushtruesi i detyrës së drejtorit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës Avni Kastrati në lidhje me dënimet për ata që refuzojnë të regjistrohen

Kastrati ka bërë të ditur edhe përqindjen e popullsisë që ka mbetur pa u regjistruar sipas të dhënave preliminare dhe zbatimin e dënimeve ndaj tyre.

Të dhënat preliminare ne që kemi marrë janë rreth 0.02 për qind e popullsisë që ka mbet pa u regjistruar. Ne vlerësojmë se janë regjistruar 99.8 për qind. Kjo është një e mirë, sepse shumë pak shtete arrijnë në botë ta kalojnë 98 për qind. Nëse në fund kur e bëjmë raportin e kualitetit dhe gjithëpërfshirjes, vërtetohet që Kosova arrin të regjistrojë mbi 99.8 për qind që supozojmë ne, do të jetë ndër vendet top me gjithëpërfshirje. Ata që kanë mbetur pa u regjistruar, do të shikojmë të zbatojmë ligjin dhe besojmë se vetëm ata që kanë refuzuar do të kenë dënime sipas ligjit, por ata që nuk kanë pasur mundësi për arsye të ndryshme, nuk kanë qenë mirë me shëndet apo diçka tjetër, nuk do të merren masa”.

Kastrati nga ASK nuk ka përfshirë serbët për çështjen e dënimit, kur flet për gjobitjen sipas ligjit të personave fizikë, pasiqë ata përbëjnë çështje tjetër. (këtu)

Kosova do të ketë pak mbi 1.6 milion banorë rezidentë, krejtësisht pak. Ata do të gjobiten në muajt dhe vitet në vijim kur kanë nevojë për mbështetje nga institucionet, për dokumentacione e çështje tjera…Nëse nuk ka marrë pjesë në regjistrim, keni rast të fitoni një grant, nëse nuk je i regjistruar nuk llogaritësh që mund ta fitosh atë grant, përndryshe si rrugë e parë duhesh të shkosh të paguash dënimin që nuk ka marrë pjesë në regjistrim. Juridik – janë dy përfaqësues të institucioneve që kanë dalë me qëndrime kundër regjistrimit. Ata do të gjobiten sipas ligjit. Ndërsa persona fizikë, nuk po flas për komunitetin serb në veri, ata që nuk morën pjesë, sepse është çështje tjetër, por pjesa tjetër e komuniteteve në jug, vlerësojmë se maksimum janë rreth 2000 apo 2500 që nuk morën pjesë në regjistrim, por një pjesë e madhe e tyre për arsye të ndryshme të punës, studimeve, aspekteve shëndetësore, nuk kanë qenë rezident gjatë kohës së regjistrimit. Në shtator e kemi një analizë më detale, as ne nuk i kemi të dhënat sa ka qenë refuzimi”.


Analiza:

Përmes një postimi në Telegram, llogaria në gjuhën serbe “BUNKER” ka pretenduar se regjistruesit e popullsisë së bashku me Policinë e Kosovës kanë shkuar në veri të Kosovës, e që sipas kësaj llogarie, ata që refuzojnë të regjistrohen, do të dënohen.

Pas verifikimit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se një informacion i tillë nuk është gjetur i publikuar në asnjë medium kredibil.

Përveç kësaj, as PK e as ASK, ditët e fundit, nuk kanë publikuar ndonjë informacion që flet për regjistrimin e popullsisë në pjesën veriore të Kosovës.

Me datë 21 korrik, ushtruesi i detyrës së drejtorit të ASK-së, Avni Kastrati, kishtë thënë institucioni që ai drejton, nuk ka përfshirë serbët për çështjen e dënimit, kur flet për gjobitjen sipas ligjit të personave fizikë, pasiqë ata përbëjnë çështje tjetër.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë pretendim të bërë nga llogaria “BUNKER” në Telegram si “Lajm i rremë”.

Arsyetimi:

Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.

Share With Others

Translate »
1406