[email protected]
Sanija Ameti nuk është me origjinë nga Kosova
shape
shape
shape

Shkroi: Fatbardh Dema

Mediat në gjuhën serbe kanë publikuar artikuj në lidhje me një personazh në Zvicër, të cilën e kanë identifikuar pa fakte se ka prejardhje nga Kosova.

Sanija Ameti është personazhi në fjalë, e cila në fundjavën që sapo lamë pas është vënë në qendër të kritikave në Zvicër pasi kishte publikuar në profilin e saj në Instagram disa fotografi ku ajo shihet teksa qëllon me armë zjarri në drejtim të një fotografie të Shën Mërisë dhe Krishtit bebe.

Çka thanë mediat në serbisht?

Në mediat në gjuhën serbe (Kurir.rs, Blic.rs, Kosovo-Online.com, Danas.rs) është raportuar për këtë rast. Në artikujt e tyre, Sanija Ameti pretendohet se është me prejardhje nga Kosova.

NJË POLITIKANE NGA KOSOVA KA SHTËNË NË NJË FOTO TË VIRGJËRESHËS ME JEZUSIN! Sanija bëri bujë në rrjete, fshiu me shpejtësi gjithçka: Ja si u justifikua pas skandalit”, është titulli i medial në serbisht, “Blic.rs”. “Në media dhe rrjete sociale thuhet se Ameti është me origjinë nga Bosnja dhe Hercegovina, ndërsa të tjerë thonë se ajo është me origjinë nga Shqipëria. Siç mësojmë, ajo është me origjinë nga Kosova”, pretendon ky medium.

SKANDAL I PAPARË NË ZVICËR: Një politikane me origjinë nga Kosova ka shkrepur një foto të Virgjëreshës Mari me Jezusin në krahë, duke ushtruar të shtënat?!”, shkruan media tjetër në serbisht “Kurir.rs”. “Sipas RT, familjarët e Sanija Ametit erdhën në Zvicër si refugjatë nga Kosova në vitet 1990. Ajo ishte një vajzë tre vjeçare në atë kohë”, shkruan “Kurir”.

Edhe media tjetër në serbisht, e që bazën e ka në Kosovë, “Kosovo-Online.com”, ka dalë me një artikull me titullin: “Politikania zvicerane me origjinë nga Kosova qëllon në imazhin e Shën Mërisë dhe Krishtit”, ndërsa në artikull më tej shkruan: “Siç raporton RT, familja e Sanija Ametit erdhi në Zvicër si refugjatë nga Kosova në vitet 1990”.

Njëjtë ka raportuar edhe gazeta në Serbi “Danas.rs”, e cila ka pretenduar pa fakte se Sanija Ameti është me origjinë nga Kosova. “Politikania zvicerane me origjinë nga Kosova që qëlloi Virgjëreshën Mari ka dhënë dorëheqjen: Kërcënohet edhe me përjashtim nga partia”, është titulli i këtij mediumi. “Ameti është me origjinë nga Kosova dhe ka shkuar në Zvicër me prindërit e saj nga Bosnja dhe Hercegovina në vitin 1995”, ka pretenduar “Danas”, pa ofruar asnjë fakt a dëshmi për këtë.


Por, cila është prejardhja e Sanija Ametit?

Pretendimet e mediave në serbisht nuk qëndrojnë, së paku nga të dhënat publike online për personazhin në fjalë, pasi autorja e dyshuar e kësaj ngjarjeje asnjëherë nuk ka deklaruar se është me origjinë nga Kosova.

Gjatë një interviste të zhvilluar për median zvicerane “pme.ch” (KËTU) në vitin 2022 me Sanija Ametin, në artikull është raportuar se ajo ka prejardhje nga Bosnja dhe Hercegovina.

E lindur në Bosnjë më 1992, ajo erdhi në Cyrih në moshën 3-vjeçare me prindërit e saj”, shkruan ndër të tjera në këtë artikull për Sanijen.

E vetmja gjë që atë e lidh me Kosovën, së paku nga të dhënat publike online, është një fushatë e saja zgjedhore për Këshillin Nacional të Zvicrës si bashkëpresidente e lëvizjes politike Operation Libero, të cilën fushatë ajo e kishte nisur nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës (KËTU).


Analiza:

Disa media në gjuhën serbe kanë pretenduar pa fakte se një personazh në Zvicër, me emrin Sanija Ameti, ka prejardhje nga Kosova. Në një intervistë që Ameti e kishte zhvilluar më 2022 për median zvicerane pme.ch, është raportuar se e njëjta ka prejardhje nga Bosnje e Hercegovina, dhe askund nuk është përmendur Kosova.

Edhe në faqen e saj në Ëikipedia shkruan se Ameti është e lindur në Bosnjë e Hercegovinë (KËTU).

Prandaj, në bazë të hulumtimit online që hibrid.info e ka kryer, nuk është gjetur askund se e njëjta ka prejardhje nga Kosova.

Sipas metodologjisë së punës të hibrid.info, këta artikuj hyjnë në kategorinë “Manipulim i fakteve”.

Manipulim i fakteve

Vlerësimin si “Manipulim i fakteve” marrin ato përmbajtje informative që përdorin fakte të njohura si të sakta, por i interpretojnë ato në mënyrë të shtrembëruar. Këto raporte zakonisht përdorin informacion të saktë për të nxjerrë përfundime ose pretendime të pasakta, duke drejtuar kështu përfundimet e konsumatorëve të përmbajtjes së mediave në drejtim të gabuar në lidhje me kuptimin aktual të fakteve të paraqitura.

Share With Others

Leave a Reply

Translate »
1406