Shkroi: Fatbardh Dema
Riaktivizimi i faqeve pasive në Facebook gjatë fushatave zgjedhore është një fenomen që po ndodh aktualisht. Faqe që kanë qenë joaktive për një periudhë kohore po bëhen sërish aktive për të shpërndarë përmbajtje politike. Kjo strategji duket se përdoret për të shfrytëzuar audiencën ekzistuese të këtyre faqeve dhe për të ndikuar në opinionin publik në momentet kyçe të fushatës.
Në median sociale Facebook, hibrid.info ka arritur të gjejë faqe të cilat kanë qenë pasive dhe janë aktivizuar pak para fushatës zgjedhore duke publikuar postime me tema politike. Zgjedhjet parlamentare do të mbahen më 9 shkurt, ndërsa fushata ka nisur më 11 janar. E vendimi për caktimin e datës së zgjedhjeve, ishte bërë publik më 16 gusht 2024 nga presidentja Vjosa Osmani.
Faqja “Në Kohë” e cila numëron mbi 416 mijë ndjekës, nuk kishte postime që nga data 19 qershor 2024. Kjo faqe u rikthye nga data 30 dhjetor 2024 duke postuar deklarata të politikanëve kosovarë e postime që kishin për temë zgjedhjet.
Që nga 30 dhjetori deri sot (7 shkurt), kjo faqe publikoi gjithsej 10 postime që kishin për temë zgjedhjet në Kosovë.

Faqja tjetër “Politikajashtme.com” që numëron mbi 28 mijë ndjekës, ishte pasive që nga data 21 korrik 2024. Por, kjo faqe u aktivizua me datë 2 nëntor me një postim në formë sondazhi me pyetjen “Cilën parti do ta votoni në zgjedhjet e ardhshme?”.
Në muajin dhjetor, kjo faqe nuk kishte asnjë postim. Ndërsa gjatë janarit u aktivizua duke publikuar mbi 100 postime për dhe rreth zgjedhjeve në Kosovë, duke postuar deklarata të politikanëve e foto dhe video nga fushatat e subjekteve politike.

Faqja “Kosova e Re” me mbi 46 mijë ndjekës, ishte pasive që nga 28 nëntori i vitit 2023. Aktivizimi i kësaj faqe më 6 tetor 2024 me një postim me temë politike.
Që nga 6 tetori deri sot (7 shkurt), kjo faqe ka publikuar afro 200 postime me përmbajtje politike. Ndër to kishte deklarata të politikanëve, foto e video nga fushatat elektorale, si dhe thirrje për të votuar kandidatë të caktuar.

Faqet që kanë qenë të paaktivizuara për një periudhë kohore duket se përdoren në mënyrë strategjike për të angazhuar audienca të caktuara në periudhën e zgjedhjeve. Kjo mund të përfshijë faqe që dikur kanë qenë të orientuara rreth çështjeve të tjera, por që riaktivizohen për të promovuar mesazhe politike dhe për të rritur ndikimin në komunitetin virtual.
Kjo taktikë shfrytëzon algoritmet e platformave sociale, të cilat favorizojnë përmbajtjen që ka angazhim të lartë, dhe është një mënyrë për të shfrytëzuar audiencat ekzistuese për të shpërndarë mesazhe të fokusuara. Edhe pse mund të përdoret për qëllime pozitive, ajo gjithashtu mund të krijojë mundësi për manipulim të informacionit dhe ndikim në perceptimet politike të përdoruesve.