Shkroi: Hyrije Mehmeti
Në dy postime në TikTok është pretenduar për publikimin e rezultateve të sondazheve për zgjedhjet potenciale parlamentare në Kosovë. Pretendimet u bënë më 11 dhe 12 mars nga llogaritë “shtetari” dhe “qendrim65” dhe kanë gjeneruar rreth 65 mijë shikime.
Çka përmbajnë këto publikime?
Në postime, llogaritë kanë shfaqur imazhe që rendisin disa prej subjekteve politike në Kosovë me përqindje të caktuara. Po ashtu, ato kanë përfshirë emrin e presidentes Vjosa Osmani, njëra si të vetme e tjetra bashkë me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK).
Pretendimi 1
“Shtetari” ka publikuar një imazh në të cilin shfaqet pyetja “Cilën parti do ta votoni në zgjedhjet e ardhshme?”
Rezultatet e pretenduara janë paraqitur në përqindje. Sipas këtij pretendimi, në sondazh janë llogaritur 1,089 vota. Një nga opsionet aty është edhe emri i presidentes aktuale, Vjosa Osmani.
Në pretendim janë dhënë këto rezultate:

Pretendimi 2
Në publikimin e llogarisë “qendrim65” në imazh shfaqet pyetja në gjuhën angleze: “Nëse zgjedhjet do të mbaheshin sot, kush do të fitonte?”
Edhe këtu është përfshirë emri i Osmanit, por bashkë me LDK-në. Përqindja e mbledhur e të gjitha rezultateve del të jetë 106%.

E vërteta:
Përmbajtjet e trajtuara kanë mungesë të të gjitha informatave të nevojshme, që të konsiderohen sondazhe të besueshme.
Çka janë sondazhet?
Sondazhi është hulumtim paraprak për të njohur një gjendje, mendimet a qëndrimet për diçka të caktuar. Në këtë metodë statistikore nxirren rezultate bazuar në studimin e një pjese të popullatës, që quhet mostër. Bazuar në artikullin e institutit Pew Research (institut kërkimor për sondazhe dhe studime të bazuara në fakte), sqarohet se çfarë informata duhet të kërkohen për mënyrën se si është kryer një sondazh.
Kush e kreu sondazhin dhe kush e sponsorizoi atë?
Kush u intervistua?
Si u zhvillua sondazhi?
Si u përzgjodhën njerëzit për sondazhin?
Kur u krye sondazhi?
Sa persona u intervistuan?
A u peshua sondazhi? Nëse po, si?
A duken pyetjet e sondazhit sikur janë neutrale dhe të drejta?
Hibrid.info ka kontrolluar me anë të makinës së kërkimit “Google” me fjalët “Sondazh për zgjedhjet e reja”, por nuk ka hasur në asnjë burim kredibil të informacionit që të ketë publikuar një matje të tillë javën e fundit (shih këtu).
Imazhet e përdorura nga këto llogari janë gjeneruar me inteligjencë artificiale (IA). Kjo konfirmohet nga platforma për detektim të përmbajtjeve të gjeneruara me IA, “Hivemoderation”. Ato mbajnë edhe etiketën që TikTok ua vë përmbajtjeve me IA.
Pse po përmenden zgjedhjet e reja?
Më 5 mars, Kuvendi dështoi të zgjedhë presidentin e ri në një seancë të mbajtur në mbrëmje. Në Kuvend nuk pati kuorum të mjaftueshëm prej të paktën 80 deputetësh për të nisur rundin e parë të votimit për zgjedhjen e presidentit (shih këtu)
Presidentes aktuale mandati i përfundon më 4 prill 2026 (shih këtu).
Kushtetuta në nenin 86, paragrafi 2, specifikon: Zgjedhja e Presidentit të Republikës së Kosovës duhet të bëhet jo më vonë se tridhjetë (30) ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual.
Ndërkaq në nenin 82, paragrafi 3, thotë se Kuvendi mund të shpërndahet: nëse brenda afatit prej gjashtëdhjetë (60) ditësh nga dita e fillimit të procedurës së zgjedhjes, nuk zgjedhet Presidenti i Republikës së Kosovës.
Më 6 mars presidentja Osmani nxori dekretin për ta shpërndarë Kuvendin (shih këtu).
Ajo tha se fjala “duhet” te neni 86.2 specifikon që në rastin aktual “5 marsi ishte afati i fundit kushtetues që Kuvendi të zgjidhte presidentin e ri”.
Dekreti u dërgua në Gjykatën Kushtetuese nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Qeveria e Kosovës. Kryeministrin Albin Kurti mbështetur në nenin 82.3 tha se “nuk kanë kaluar 60 ditë nga fillimi i procedurës” për zgjedhjen e presidentit dhe se deri në fund të këtij afati “nuk ekziston baza kushtetuese për shpërndarjen e Kuvendit” (shihkëtu).
Kushtetuesja më 9 mars vendosi masë të përkohshme duke ndaluar çdo veprim të presidentes në lidhje me dekretin dhe punën e Kuvendit deri më 31 mars (shih këtu).
Pse po përmendet emri i Osmanit për zgjedhje?
Më 29 dhjetor 2025, Osmani, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, pati shprehur synimin që të kandidojë edhe për një mandat për postin më të lartë në vend. Ajo pati thënë se edhe nëse nuk zgjidhet presidente, synon të vazhdojë angazhimin politik (shih këtu).
Edhe më 9 mars, pas dekretit, në një intervistë për “Syri TV”, Osmani u pyet se çka do të bëjë pas 4 prillit dhe sa janë gjasat për rikthim të saj në LDK.
“Do ta shoh se cili është interesi më i madh i Republikës së Kosovës në këto momente. Kjo do të determinohet edhe nga zhvillimet e tanishme. Siç e përmenda, derisa po e jepnim këtë intervistë edhe erdhi vendimi për masë të përkohshme, ajo jep pak kohë për t’u sqaruar gjërat dhe përfundimisht gjykata do të marrë vendimin e vet. Unë do ta kryej detyrën time me nder si presidente e Republikës së Kosovës deri më datën 4 prill. Pas kësaj, do ta bëj një vlerësim të ri se çka në momentin konkret është vërtetë në interes të Republikës së Kosovës dhe në bazë të këtij, dhe vetëm këtij kriteri, do ta marr vendimin për rrugën përpara”, tha ajo (shih këtu).
Sondazhet si fenomen i keqinformimit
Në vitin 2025, Kosova organizoi dy palë zgjedhje parlamentare dhe një palë lokale (që në disa komuna u organizua në dy runde). Në të tri ciklet zgjedhore, një prej fenomeneve më të shpeshta të keqinformimit ishin sondazhet e rreme.
Vetëm në prag të zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit, më shumë se 50 publikime me pretendimin se paraqesin matje të opinionit publik patën marrë shikueshmëri milionëshe në media sociale, me hapësirë të theksuar në TikTok.
Trendet e tri palë zgjedhjeve tregojnë se publikimet në masë të madhe kanë pasur mungesë të metodologjisë, mbi të cilën do të duhej të zhvilloheshin matjet e opinioneve publike. Ka pasur raste kur janë shkruar të dhëna që mund të bënin të besueshme metodologjinë, por në këto raste janë përmendur se “sondazhet” janë kryer nga kompani/organizata që pas verifikimit dilnin se nuk ekzistonin apo s’ishin të regjistruara. Pati edhe raste të manipulimeve duke publikuar matje të vjetra e duke i paraqitur në kontekst të ri. Në shumicë, këto sondazhe që u vlerësuan si lajme të rreme. Edhe kërkimet në “Google” nuk çonin në burime kredibile të informimit e që kanë publikuar përmbajtjet e dyshimta.
Pse bëhen sondazhet dhe cili është ndikimi tyre?
Sondazhet kryhen për të kuptuar mendimet, qëndrimet dhe preferencat e publikut mbi çështje të ndryshme, duke ofruar një pasqyrë të rëndësishme për politikanët, mediat dhe vendimmarrësit. Sipas Scott Keeter, këshilltar me përvojë i sondazhit në Qendrën Kërkimore Pew, sondazhet janë një mjet thelbësor për të matur opinionin publik, sidomos gjatë fushatave zgjedhore, pasi ato ndihmojnë në identifikimin e trendeve dhe vlerësimin e pritshmërive të votuesve. Për më tepër, ato kontribuojnë në informimin e qytetarëve dhe në ndërtimin e politikave që pasqyrojnë nevojat dhe interesat e publikut.
Megjithatë, Keeter thekson edhe disa nga kufizimet dhe dëmet e mundshme të sondazheve. Nëse nuk realizohen në mënyrë të saktë, ato mund të përçojnë rezultate të pasakta, duke krijuar perceptime të gabuara mbi mbështetjen politike ose trendet shoqërore. Po ashtu, përdorimi i tepërt i sondazheve mund të ndikojë në manipulimin e opinionit publik, duke i orientuar votuesit drejt fituesve të parashikuar ose duke margjinalizuar kandidatët më pak të mbështetur. Për këtë arsye, është e rëndësishme që sondazhet të realizohen me standarde të larta profesionale dhe interpretimi i tyre të jetë i kujdesshëm.
Çka duhet të kemi parasysh?
Marrë për bazë trendet në tri palë zgjedhjet e shkuara dhe publikimin e këtyre përmbajtjeve të trajtuara sot, lexuesi duhet të ketë kujdes kur informohet nëpërmjet mediave sociale. Ata duhet të verifikojnë se nga kush janë publikuar këto përmbajtje dhe se a i plotësojnë ndonjë nga kriteret e kërkuara që sondazhi të jetë i besueshëm.
Lexuesit duhet të përcjellin punën e verifikuesve të fakteve dhe të përdorin platforma online si “Google Lens” për të vërtetuar edhe vërtetësinë e imazheve.