info@hibrid.info
Pretendim i paverifikuar për mbylljen e një baze ushtarake amerikane në Greqi
shape
shape
shape

Shkroi: Festim Rizanaj

Në emisionin debatues “Pressing” të televizionit T7, të transmetuar mbrëmë më 25 shkurt, u pretendua se baza ushtarake e trupave amerikane në Greqi do të mbyllet.

Këtë pretendim e bëri një nga panelistët, Dardan Islami, duke iu referuar raportimeve mediatike, sipas të cilave baza në fjalë është mbyllur. (këtu)

Megjithatë, kjo deklaratë është mohuar nga vetë Donald Trump, i cili ka kundërshtuar raportimet që flasin për një tërheqje ushtarake amerikane nga Greqia.

Çka tha Dardan Islami në Pressing?

Analisti Dardan Islami, duke iu referuar raportimeve mediatike, deklaroi se baza ushtarake amerikane në Aleksandrupolis të Greqisë po mbyllet, duke e cilësuar atë si një pikë kyçe strategjike për zbarkimet ushtarake në rajon, ndërsa pretendoi se këtë vendim e ka marrë vetë presidenti Donald Trump.

“Unë shoh sot lajme në gazetë që, baza amerikane në Aleksandrupolis në Greqi mbyllet, që ka qenë një bazë shumë e madhe, port ku bëhet zbarkimi…llogaritej, janë dy, ka qenë Aleksandrupolis në rast të luftës në Bullgari, dmth në Detin e Zi është fjala dhe Rumani, kanë ardh deri sot, krejt ai hekri që ka hy prej Amerike që 10 vjet ka hy andej. Në një moment Trumpi sot po thotë po e mbylli”.

Kush raportoi për mbylljen e bazës ushtarake amerikane në Greqi?

Pretendimi për mbylljen e bazës amerikane në Aleksandrupolis u publikua në mediat greke, konkretisht në gazetën Dimokratia, më 22 shkurt, ku zuri vend në ballinën e gazetës.

Në raportimin e gazetës greke u pretendua se administrata e Trumpit mori vendimin për t’u tërhequr nga Aleksandrupolisi me kërkesë të presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, dhe presidentit rus, Vladimir Putin.

Çka tha Trump lidhur me pretendimin?

I pyetur gjatë një konference për shtyp në Shtëpinë e Bardhë (24 shkurt), së bashku me presidentin francez Emmanuel Macron, lidhur me pretendimin e gazetës greke Dimokratia për mbylljen e bazës në Aleksandrupolis, Donald Trump fillimisht tha se nuk ishte në dijeni të raportit.

Pasi u informua nga Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ai e mohoi pretendimin duke deklaruar: “Nuk është raportim korrekt”. (këtu, këtu

Cili është statusi i bazës në Aleksandrupolis?

Aleksandrupolis është një port strategjik grek në Detin Egje, pranë kufirit turk, me një rol të rëndësishëm në lehtësimin e transportit të pajisjeve ushtarake drejt Evropës Lindore. Pozita e tij gjeografike e ka bërë atë një qendër kryesore logjistike për operacionet e NATO-s dhe për lëvizjet e mbrojtjes së ShBA-së në rajon.

Një zyrtar i mbrojtjes amerikane sqaroi situatën, duke theksuar se objekti në Aleksandrupolis është një instalim grek, i përdorur në përputhje me Marrëveshjen e Bashkëpunimit të Mbrojtjes së Ndërsjellë (MDCA), dhe jo një bazë amerikane.

“Nuk ka bazë amerikane në Aleksandrupolis. Është një objekt grek në të cilin ShBA ka akses në bazë të Marrëveshjes së Bashkëpunimit të Ndërsjellë të Mbrojtjes”, tha një zyrtar amerikan i mbrojtjes për Anadolu Agency. “Ai shërben thjesht si një qendër transporti për lëvizjen e pajisjeve amerikane brenda dhe jashtë Evropës”.

Zyrtari shtoi se personeli i transportit të ShBA-së vendoset periodikisht në këtë objekt për të menaxhuar mbërritjet dhe nisjet e pajisjeve, por theksoi se objekti nuk është një bazë ushtarake e përhershme amerikane dhe nuk është subjekt i mbylljes nga qeveria e ShBA-së. (këtu)


Analiza:

Në emisionin debatues “Pressing”, analisti Dardan Islami, duke iu referuar raportimeve mediatike, deklaroi se baza ushtarake amerikane në Aleksandrupolis të Greqisë po mbyllet.

Megjithatë, ky pretendim u mohua nga vetë Donald Trump, i cili kundërshtoi raportimet që flisnin për një tërheqje ushtarake nga Greqia.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info këtë pretendim e vlerëson si “përmbajtje e paverifikuar”.


Arsyetimi:

Vlerësimi “I pa verifikuar” u bëhet atyre përmbajtjeve informative që nuk ofrojnë informata të mjaftueshme për të konfirmuar pretendimet e bëra në raport, dhe të cilat nuk kanë mundur të verifikohen për shkak të rrethanave të caktuara (shpejtësisë, mungesës së burimeve) gjatë publikimit të përmbajtjes.

Share With Others

Translate »