Shkroi: Festim Rizanaj
Të martën (4 mars), në Kuvendin e Serbisë, deputetët e opozitës shkaktuan incident duke aktivizuar mjete piroteknike dhe duke hedhur bomba tymuese. Kjo ndodhi pasi shumica qeverisëse miratoi rendin e ditës, të cilin opozita e kundërshtoi. Deputetët opozitarë iu afruan tavolinës së kryetares dhe shpalosën një pankartë me mesazhin “Serbia po ngrihet për të rrëzuar regjimin”.
Kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiq, subjekti politik i serbëve të Kosovës, Lista Serbe, dhe shefi i Zyrës për Kosovën, Petar Petkoviq, e lidhën këtë zhvillim në Kuvendin e Serbisë me Albin Kurtin duke thënë se ata po e ndjekin modelin e tij dhe e quajtën këtë të fundit si bashkëpunëtor të opozitës në Beograd.
Deklaratat e Listës Serbe, Bërnabiqit dhe Petkoviqit e lidhin pa asnjë bazë opozitën në Serbi me Kurtin, duke e paraqitur çdo shprehje opozitare atje si një komplot të orkestruar nga Kurti kundër Serbisë.
Çka u pretendua nga zyrtarët serbë?
Lista Serbe, situatën e sotme në Kuvendin e Serbisë, e interpreton si një skenar të kopjuar nga Albin Kurti, duke akuzuar opozitën serbe se ndjek modelin e tij që, sipas kësaj partie, përmes dhunës dhe synimit po synon të dëbojë gjithçka serbe nga Kosova. Sipas tyre, opozita nuk fsheh lidhjen me Kurtin dhe, “me bombat tymuese kuqezi” i ka dhuruar atij dhe regjimit të tij – të cilin e cilësojnë si të mposhtur në zgjedhje – një fitore simbolike. (këtu)

Edhe kryetarja e parlamentit serb, Ana Bërnabiq, e lidh opozitën atje me Kurtin, duke thënë se ata janë bërë “yje” të mediave “shiptare” (term ky pezhorativ i përdorur për shqiptarët nga eksponentë politikbërës në Serbi) dhe se Kurti do t’i falënderojë për këtë. (këtu)

Sipas Petar Petkoviqit nga Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, opozita në Beograd po vepron sipas “recetës së Albin Kurtit”, duke shkaktuar kaos dhe dhunë në parlament. Ai pretendon se qëllimi i Kurtit ka qenë që nga fillimi goditja e Serbisë dhe se ai ka mbështetur këtë sulm kundër vendit të tyre. Petkoviqi e lidh drejtpërdrejt opozitën serbe me Kurtin duke i quajtur ata “bashkëpunëtorë të tij në Beograd”. Në fund, ai thekson se “as Kurti dhe as aleatët e tij nuk do të mund ta mposhtin Serbinë”. (këtu)

Deklaratat e Listës Serbe, kryetares së Kuvendit të Serbisë Ana Bërnabiq dhe Petar Petkoviqit përpiqen të krijojnë një narrativë të pabazuar në fakte, duke e lidhur artificialisht opozitën serbe me Albin Kurtin dhe duke portretizuar çdo kundërshtim ndaj regjimit të Vuçiqit si një komplot i orkestruar nga Kurti kundër Serbisë.
Ky është një vazhdim i një trendi të mëparshëm të narrativave serbe, ku mediat dhe zyrtarët serbë kanë tentuar të lidhin protestat opozitare në Serbi me Kurtin, duke shpërndarë dezinformata dhe duke i paraqitur ato si përpjekje të koordinuara nga ai për të destabilizuar vendin. (këtu, këtu)
Gazi lotsjellës në Kuvendin e Kosovës
Ishte viti 2015, kur protesta dhe kacafytje të ndryshme ndodhën në sallën plenare të Kuvendit të Kosovës. Krejt këto kulmuan kur Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit, asokohe në opozitë, kundërshtonte marrëveshjen e Brukselit për normalizimin e raporteve me Serbinë, që përfshinte formimin e një asociacioni të komunave me shumicë serbe, si dhe marrëveshjen për demarkimin e vijës kufitare me Malin e Zi.
Në këtë kohë, opozita ishte e bashkuar në veprime, pasi që, përveç deputetëve të LVV-së, edhe deputetë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe të Nismës Socialdemokrate hodhën gaz lotsjellës brenda sallës së Kuvendit të Kosovës, ne tentim për të bllokuar votimin.
Por, ngjarje të tilla u përsëritën edhe në vitin 2016, e kësaj radhe edhe për të kundërshtuar zgjedhjen e Hashim Thaçit në pozitën e presidentit të Kosovës. Edhe kësaj radhe pati protesta të shumta, por edhe përdorim të gazit lotsjellës.
Ndërkaq, demarkacioni me Malin e Zi u bë temë sërish në vitin 2018, dhe sërish Kuvendi u pushtua nga tymi lotsjellës.
Analiza:
Në Kuvendin e Serbisë, deputetët e opozitës shkaktuan incident gjatë së martës (4 mars) duke hedhur bomba tymuese dhe duke shpalosur pankarta kundër qeverisë, pasi kundërshtuan rendin e ditës.
Kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiq, Lista Serbe dhe Petar Petkoviq e lidhën këtë ngjarje me Albin Kurtin, duke i cilësuar opozitarët si bashkëpunëtorë të tij.
Këto deklarata, pa asnjë bazë, synojnë ta lidhin këtë ngjarje me Kurtin dhe ta paraqesin çdo kundërshtim ndaj pushtetit atje si pjesë të një komploti të Kurtit kundër Serbisë.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info këto pretendime i vlerëson si “teori konspirative”.
Arsyetimi:
Vlerësim si “Teori konspirative” marrin ato përmbajtje informative të cilat në vete përmbajnë një përshkrim të rremë ose të paverifikueshëm të një dukurie, ngjarje ose një personi, duke e paraqitur atë si pjesë ose rezultat të një plani të fshehtë (“komplot”). Karakteristikë e këtyre përmbajtje është se ato paraqesin një seri pretendimesh, të paraqitura si fakte, midis të cilave vendosen marrëdhënie shkak-pasojë, pa ofruar ndonjë provë të besueshme.