Shkroi: Etrit Rexhepi
Është publikuar një artikull i titulluar, “Buka – 80 cent, ndjek shtrenjtimin e energjisë elektrike”.
Përmbajtja është publikuar sot (17 prill) nga një medium me emrin, “mediafokus.net”.
Çka nuk shkon me titullin e lajmit?
Në këtë titull çmimi i bukës, 80 cent, është paraqitur si fakt i kryer, ndërkohë që përmbajtja e tij tregon se kemi të bëjmë vetëm me një paralajmërim të mundshëm nga një individ dhe jo me një vendim zyrtar.

Në kreun e lajmit tregohet për rritjen e çmimit të rrymës kur thuhet se, “Shtrenjtimi i energjisë elektrike për 16.1% ka alarmuar afaristët kosovarë veçanërisht prodhuesit”.
Në paragrafin pasues jepet paralajmërimi për rritjen e çmimit të bukës, pas shtrenjtimit të rrymës, kur thuhet se, “Produkti i parë që pritet të shënojë rritje të çmimit është buka”.
Në po këtë paragraf tregohet se ky paralajmërim bazohet në deklarimin e një afaristi, kur tregohet se, “Pronari i një fabrike të miellit në Kosovë, Rexhep Rama thotë se pas shtrenjtimit të rrymës për 16.1% në mënyrë automatike do të rritë edhe çmimin e miellit dhe rrjedhimisht atë të bukës”.
Deklarata e Rexhep Ramës nxjerrë nga artikulli:
“Çmimi i rrymës u rrit po u rrit shumë. Do ta kemi problem ne ashtu kështu kemi pas një çmim jo të mirë tash pas kësaj rritje do të rrezikojmë t’i mbyllim fabrikat krejt sepse nuk mund ta përballojmë. Ndërsa rritja do të ndikoj me patjetër sepse me këtë çmim nuk do të mund të punojmë. Ne e rrisim çmimin e miellit furrtarët të bukës. Me këtë çmim aktual nuk mund të punojmë, sepse në Gjilan një bukë është 60 cent ndërsa tash pas rritjes tash shkon deri në 70/80 cent. Një kilogram miell është 34 cent tash patjetër duhet të bëhet 40 cent sepse nuk mund të mbulohemi”
Artikullin e parë që përmbante këtë deklaratë të Ramës, e publikoi mediumi “rtv21.tv”. Lajmi kishte titullin, “Pas shtrenjtimit të energjisë, çmimi i një buke pritet të shkojë deri në 80 centë”. (shih këtu).
Çka do të thotë se në titullin e lajmit të “mediafokus.net”, nuk tregohet se kemi të bëjmë me një paralajmërim për rritje të çmimit. Pra, mungon sqarimi se bëhet fjalë për një paralajmërim dhe jo për një vendim të zyrtarizuar.
Hibrid.info ka hulumtuar përmes makinës së kërkimit, “Google”, me fjalët kyçe, “shtrenjtohet çmimi i bukës”, duke specifikuar periudhën kohore për përmbajtjet e javës së fundit.
Rezultatet kanë shfaqur artikuj me tituj ku paralajmërohet rritja e çmimit të bukës, por nuk është raportuar se ka zyrtarizim të çmimit të paralajmëruar (shih këtu).
Hibrid.info gjeti gjithashtu se çmimin e bukës e përcakton Shoqata e Furrtarve në Kosovë, por nuk hasi në një kanal komunikimi online të këtij grupimi biznesesh, ku ata do të mund të informohej në rast të ndonjë vendimi zyrtar (shih këtu).
Çmimi aktual i bukës në Kosovë varion nga 50-60 cent (shih këtu).
Analiza:
Titulli “Buka – 80 cent, ndjek shtrenjtimin e energjisë elektrike” paraqet çmimin e bukës si fakt të kryer, ndërkohë që përmbajtja e artikullit flet për një paralajmërim të mundshëm të rritjes, të dhënë nga një deklaratë individuale e një afaristi.
Pra, mungon konteksti dhe burimi zyrtar, duke e bërë këtë titulli çorientues.
Andaj, Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson si “Clickbait”.
Arsyetimi:
“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bënë të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.