Shkroi: Fatbardh Dema
Portali informativ në gjuhën shqipe “Ntv.al” ka publikuar një postim në faqen zyrtare në Facebook, ku shfaqet portreti i komandantit të Forcës së NATO-s në Kosovë (KFOR), Gjenerallejtënant Enrico Barduani.
Këtij imazhi i është vendosur mbishkrimi “QETESIA ESHTE ILUZION. KOMANDANTI I FORCES SE NATO-S ALARMON PER KOSOVEN: NJE HAP LARG ESKALIMIT FATAL, NE PRAG TE TRAZIRAVE”.
Çka nuk shkon me këtë mbishkrim?
Pas klikimit në vegëzën e artikullit të vendosur në postim, në përmbajtje shihet se Barduani në deklaratën e tij nuk ka përmendur fjalitë si “një hap larg eskalimit fatal” e as “në prag të trazirave”.

Pas hulumtimit të kryer online, hibrid.info ka gjetur se ky artikull së pari është publikuar nga Agjencia e Lajmeve “Kosovapress.com”, i cili mban titullin “KFOR: Situata në Kosovë e qëndrueshme, por me rrezik eskalimi”. (shih këtu)
Çka tha Barduani?
Barduani ka deklaruar se situata në Kosovë është e qëndrueshme, por mbetet me rreziqe të eskalimit të menjëhershëm, për shkak të një sërë çështjesh të pazgjidhura.
Ai këto komente i bëri gjatë raportimit të shkurtër për përfundimin e misionit para Komitetit Ushtarak të NATO-s dhe Këshillit të Atlantikut të Veriut, të dyja në formatin e KFOR-it, në Shtabin e NATO-s në Bruksel.
Postimi në Facebook nga faqja “Ntv Televizion”, deri në shkrimin e këtij artikulli ka arritur të mbledh 48 reagime, 16 komente e 3 shpërndarje. (shih fotografinë më poshtë)

Analiza:
Portali “Ntv.al” publikoi në Facebook një foto të komandantit të KFOR-it në Kosovë, Gjenerallejtënant Enrico Barduani, me mbishkrimin “QETESIA ESHTE ILUZION… NJË HAP LARG ESKALIMIT FATAL, NE PRAG TE TRAZIRAVE”.
Megjithatë, në deklaratën e tij Barduani nuk ka përdorur këto fraza. Ai ka thënë se situata në Kosovë është e qëndrueshme, por ekzistojnë rreziqe të eskalimit për shkak të çështjeve të pazgjidhura, gjatë raportimit të misionit të KFOR-it para strukturave të NATO-s në Bruksel.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë artikull si “Dezinformatë” dhe “Clickbait”.
Arsyetimi:
“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bënë të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.
Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.